Shqiptarët nuk po i largon “begatia”, por papunësia dhe varfëria që ka pllakosur vendin

594
Mirë qeveria shqiptare, që vazhdon e reciton citate për “lumturi të popullit”, paçka se e ka braktisur dhe e ka shkatërruar edhe psikologjikisht, po BE a e di vallë, se përse qeverisë shqiptare po i ikën gjithë populli edhe duke u hedhur “mbi telat me gjemba” që ka vendosur në kufi? 

Edhe konferencën e ditës së shtunë në takimin informal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, komisionieri i BE dhe kryeministri Rama, dukshëm të stresuar, theksuan disa herë krizën e largimit të shqiptarëve drejt vendeve të BE dhe presionin për t’i ndalur me çdo lloj mënyre e mjeti! Madje, ndoshta krejt pa dashje, kryeministri zbuloi edhe “sekretin”, që urdhrin për bllokimin e shqiptarëve në kufi ia kishte dhënë BE! Na bëri përshtypje, fakti që të dy, folën me të njëjtën “gjuhë”, madje aq sa dukej, sikur ishin “bashkë-kryeministra” të Shqipërisë. Ata deklaruan: “Për asnjë shqiptarë nuk do të jepet azil, në asnjë nga vendet e BE, prandaj mos të mundohen e mos të harxhojnë kot, sepse do të bllokohen që në kufi dhe kjo skemë ka nisur e po zbatohet me sukses nga qeveria shqiptare”! Që shqiptarët po ikin kjo dihet. Që do vazhdojnë të ikin edhe kjo dihet! Ajo që nuk dihet është kjo: Përse u fol vetëm për ikjen dhe izolimin e shqiptarëve? Përse nuk u fol asnjë fjalë për ikjen drejt vendeve të BE, të shtetasve të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Kosovës, Bosnje&Hercergovinës?! Përse trajtohemi si popull skllav, si në regjim internimi që duhet të marrim leje për të dalë nga Shqipëria edhe kur janë liberalizuar vizat?! Përse na i mohojnë të drejtën e kërkimit dhe zënies së punës jashtë Shqipërisë, kur shtetasit e vendeve të tjera të rajonit jo anëtarë të BE, nuk ndalohen?! Në takimin e Durrësit, ishin prezent edhe kryeministrat e Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Kosovës, Bosnje&Hercergovinës! Askush nuk ua përfoli e nuk ua kërcënoi shtetasit e tyre me izolim brenda kufijve! Përse BE, kërkon rikthimin e “telave me gjemba” vetëm për kufirin shqiptar, për të bllokuar vetëm daljen e shqiptarëve nga vendi?! Mirë qeveria shqiptare që flet për “lumturi të popullit”, paçka se e ka braktisur dhe shkatërruar edhe psikologjikisht, po BE a e di vallë, se përse po ikin masivisht shqiptarët? A e di, se përse qeverisë shqiptare po i ikën gjithë populli? Mund ta pyesnit kryeministrin Rama para buke e jo ta dëgjonit pas buke! Po ua themi ne, shkakun e ikjes së shqiptarëve:

– Shqiptarët po ikin dhe do të vazhdojnë të ikin masivisht edhe duke u hedhur “mbi telat me gjemba”, jo se duan të ikin, por sepse po i detyrojnë politikanët dhe qeveritarët e këtij tranzicioni të tejzgjatur qëllimisht që është krijuar prej tyre. 

– Shqiptarët po ikin, mbasi nuk kanë as bukë thatë për të mbushur barkun, për shkak se shtetarët me korrupsionin dhe trafiqet e tyre, po mbyllin vendet e punës, po shtojnë e po thellojnë varfërinë. 

– Shqiptarët po ikin, mbasi shtetarët dhe politikanët, prej 27 vitesh po nxitin krimin në moshat e reja, po shkatërrojnë familjet me divorce varfërie, me konflikte pronash, me krizë papunësie, me pamundësi jetese minimale! 

– Shqiptarët po ikin, mbasi pagën minimale e kanë më të ulët edhe se në 6 vendet e rajonit të Ballkanit që kanë mbetur jashtë BE! 
– Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk është vendosur akoma minimumi jetik, ku është vendosur edhe në Somali! 
– Në Shqipëri, ndihma ekonomike mujore është sa 60 kilogramë miell për familje dhe sa 10 bukë në muaj, për çdo person të papunë! 
– Në Shqipëri, nuk të pranojnë për vizitë e shërbim mjekësor shtetëror edhe sikur të çojnë “me barelë” tek dera e ambulancës apo spitalit! 
– Në Shqipëri, nuk të rimbursojnë ilaçet për sëmundjet e rënda, mbasi i vjedh ministri i Shëndetësisë dhe banda e tij zyrtare dhe private! 
– Në Shqipëri, nuk ka paketë sociale minimale falas për energji, bukë, ujë e ilaçe, për personat pa të ardhura! 
– Në Shqipëri edhe sikur të jesh shkencëtar, nuk të pranojnë as nëpunës të thjeshtë në administratë, nëse nuk je dashnor apo dashnore e titullarit, nëse nuk je hajdut e imoral, nëse nuk je familjar, shok apo sekser kryeministri, ministri, deputeti, prefekti, kryetari partie, bashkie, biznesmeni…
– Në Shqipëri të ikën fëmija nga jeta, mbasi shteti nuk të ofron shërbime për sëmundje jetike e nuk të kuron jashtë shtetit, nëse nuk je pjesë e njerëzve të klikës së pushtetit!
– Në Shqipëri, shteti nuk u jep invalidëve as lekët për ilaçe, nuk u garanton dot një karrocë, u heq pensionet e invaliditetit, nuk i pranon në zyra, i përzë me dhunë policore kur ata protestojë për të drejtat e tyre.
– Në Shqipëri, nuk çregjistron dot as familjarin e vdekur, pa paguar ryshfet në zyrat e shtetit!
Ja disa tregues, që detyrojnë ikjen e shqiptarëve
1. Afro 65% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 40% të ushqimit jetik ditor me 25% të kalorive të domosdoshme ose ushqehen vetëm 1.1 herë në ditë.
2. Afro 75% e shqiptarëve konsumojnë ushqime, të cilat kanë vetëm 25% të kalorive të domosdoshme ushqimore ditore për mbijetesë.
3. Afro 20% e shqiptarëve sigurojnë vetëm 35% të ushqimit të nevojshëm minimal ditor.
4. Afro 15 % e shqiptarëve jetojnë me lypje dhe sigurojnë vetëm 30% të ushqimit të domosdoshëm për të mbijetuar në ditë.
5. Afro 10% e familjeve shqiptare, sigurojnë 70% të ushqimit minimal jetik ditor, duke përdorur fëmijët 1-13 vjeç për lypje e punë rruge.
Sigal