Shqiptarët, më të pakënaqurit e Evropës për arsimin

470
Sigal

Shqiptarët janë më të pakënaqurit në Evropë me arsimin dhe janë njerëzit me të ardhura të ulëta të cilët e vuajnë më shumë. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, të zhvilluar nga Komisioni Evropian në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ato kandidate për t’u anëtarësuar, Shqipëria ka nivelin më të ulët të kënaqësisë me arsimin në vend (satisfaction with education). Niveli i kënaqësisë në vend është 5.8, ndërsa mesatarja evropiane është 7.3. Edhe në krahasim me vendet e tjera kandidate për t’u anëtarësuar, shqiptarët janë sërish më të pakënaqurit. Nivelin më të lartë të kënaqësisë ndaj arsimit e ka Serbia, pothuajse sa mesatarja e Bashkimit Evropian. Të anketuarit atje kanë raportuar një nivel kënaqësie nga sistemi arsimor prej 7.2 pikë. Mali i Zi gjithashtu ka një nivel të lartë kënaqësie me sistemin arsimor, me një diferencë të ngushtë me Serbinë, prej 6.7 pikësh. Më pas, vendet ndiqen nga Maqedonia dhe Turqia me përkatësisht 6.1 dhe 6 pikë. Në Evropë, vendet me nivelin më të lartë të kënaqësisë ndaj sistemit arsimor janë Danimarka me 8.2 pikë dhe Finlanda me 7.9 pikë. Ndërsa nivelin më të ulët e ka Greqia me 6.5 pikë. Por siç tregojnë rezultat e Anketës së Cilësisë së Jetës, Shqipëria ka dhe pabarazinë më të madhe për sa i përket arsimit. Sipas të ardhurave, më të pakënaqurit me arsimin në vend janë njerëzit me të ardhura të ulëta. Eurofound i ka ndarë të anketuarit në katër klasa të ardhurash (nga klasa I në IV) duke i renditur nga më e ulëta te më e larta.

Individët me të ardhura më të ulëta kanë nivelin më të ulët të kënaqësisë ndaj arsimit, me 4.6 pikë. Ndryshe nga Shqipëria, në vendin fqinj, në  Malin e Zi, të anketuarit që i përkasin nivelit më të ulët të të ardhurave që kanë një nivel kënaqësie më të lartë se mesatarja. Në kontrast me të anketuarit më të ardhura të ulëta, ata që iu përkasin klasës IV të të ardhurave kanë raportuar relativisht të lartë kënaqësie ndaj sistemit arsimor. Në krahasim me vendet e rajonit për të anketuarit me të ardhura të larta, Shqipëria ka nivel të lartë të kënaqësisë ndaj arsimit. Studentët shqiptarë prej më shumë se 10 ditësh janë ngritur në protestë ndaj cilësisë së universiteteve në vend. Kërkesë kryesore e studentëve është përgjysmimi i tarifave universitare dhe përmirësimi i kushteve në auditorë dhe konvikte, duke rritur buxhetin për arsimin në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Arsimi iu rëndon shqiptarëve krahasuar me BE-në. Pesha e shpenzimeve për arsim ishte sa afro 4% e totalit të shpenzimeve të familjeve, nga 1% që ishte mesatarja e Bashkimit Evropian.