Shqiptarët ia nxorën bojën Shqipërisë

143
Nga Sokrat Ndreçka
Demokracia në Shqipëri erdhi me zhurmë të madhe. I thamë botës se e duam demokracinë. E duam, sepse u lodhëm nga diktatura. U ndryshua sistemi shoqëror, politik dhe u bë mirë. Erdhi koha që të veprohej kësisoj. Ndryshimin e kërkoi i gjithë populli. Demokracia u mbështet tërësisht nga njerëzit, sepse e menduam që liria do vinte lehtë. Do vinte, ashtu si e mendonim, si e dëshironim. Ashtu si na tha bota demokratike. Hoqëm qafe një diktaturë dhe duartrokitëm ardhjen e shteti ligjor, shtetin e së drejtës. Kështu menduam edhe kur filloi të hedhë hapat e para demokracia. Ndryshe nuk kishim si të mendonim. Nuk kishim përvojë, por me kalimin e kohës, me ndihmën e ndërkombëtarëve menduam se integrimi i vendit do ishte i lehtë. Nuk do ishte i vështirë kaq sa na duket sot. Kemi 27 vjet tranzicion të lodhshëm. Na duket sikur kemi njëqind vjet që po sundohemi nga një diktaturë e re. Paçka, se na thuhet: Jeni në rrugën e duhur. Po ikin dalëngadalë tre dekada, shoqëria shqiptare ka ngelur përsëri e brishtë, e zbehtë, nuk po merr dot shtyllën kurrizore. Kjo ka arsyen e vet. Dhe këtë të keqe të mos e kërkojmë shumë larg. Fajtorin e kemi brenda. Më saktë, mola na hyri me ardhjen e demokracisë. Nuk na erdhi nga jashtë, të keqen e kemi brenda, midis nesh. Mola është e racës shqiptare dhe nuk ka pse fajësojmë të tjerët. Të huajt nuk na kanë ndonjë borxh. Borxhin ia kemi krijuar vetë vetes. Që në fillimet e erës së demokracisë në Shqipëri, veçanërisht politika është përfolur si faktori më destabilizues i jetës së shqiptarëve. Kujtojmë se në politikën e brendshme janë vetëm shqiptarë. Ata që kanë sjellë jo pak pështjellime, të cilat kanë terrorizuar njerëzit dhe nuk i kanë lënë rehat të mendojnë për hallet, për të ndërtuar jetën njerëzore e shoqërore. Dhe nuk e kanë lënë rehat, jo një vit, as një dekadë, por disa dekada. Dhe nuk janë pak. Shkurt: Shqiptarët kanë krijuar furtunë, tornado për shqiptarët. Nuk është nevoja këtu të rreshtojmë data dhe ditë kur kanë ndodhur ngjarje tragjike në Shqipëri, sepse koha i ka në memorien e saj. Ajo që duhet shënuar është se shqiptarët e kanë pasur të keqen nga raca e tyre. Ky fakt është dëshmi autentike dhe askush nuk i heq dot asnjë presje. Dikush mund të thotë se në tranzicione të tilla lindin probleme, të cilat kanë kosto. Dakord. Kanë edhe kosto. Po këtë kosto e ka krijuar politika, politikan, njerëz që i qëndrojnë shtetit dhe pushtetit si hiena. Janë pikërisht ata që nuk duan të ngrihet shteti ligjor, ata që të ardhmen e krijojnë përmes vjedhjeve, shkeljes së ligjeve dhe janë gati të shpërbejnë çdo rregull e normë, vetëm e vetëm për t`u pasuruar në mënyrë abuzive. Të mos shkojmë shumë larg. Thuhet sot se Shqipëria është shumë afër çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian. Pra Evropa e do Shqipërinë në gjirin e saj. Kanë arsyet e tyre që ofrohen kaq shumë. Sidoqoftë ky vend, sipas tyre, ka ecuri të mbarë dhe e meriton t`i bashkohet popujve të qytetëruar. Politika shqiptare është e përçarë, është bërë lesh arapi, ku njeri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Kur bota thotë bëni detyrat e shtëpisë që t`u pranojmë, në Shqipëri opozita ngre pretendimin se korrupsioni ka kapur shtetin, pushtetin dhe nuk e meriton integrimin. Politikanët, sherret personale, i kthejnë në kundrapedal për vendin dhe ky antikap ka kosto të lartë, në sy të ndërkombëtarëve. Të bësh opozitë, të monitorosh shtetin, shtetarët, institucionet vendimmarrëse është krejt normale për një opozitë kushtetuese. Të bësh kritika kur konstaton se shpërdorohet pasuria publike, të denoncosh vjedhjet e taksapaguesve, kjo është normale. Dhe kështu ka ndodhur dhe duhet të ndodh. Nuk ka qeveri të suksesshme në rast se ajo nuk monitorohet me detaje nga aktorët e opozitës. Shqiptarët e duan demokracinë të jetë e pjekur, të mos jetë abuzive. Shteti ligjor konfirmohet atëherë kur përcaktohet qartë çmimi i demokracisë dhe vlera e saj. Pse, çfarë ndodh? Kemi 27 vjet që themi se po ecim në drejtimin e duhur. Kështu si po ecim na duhen edhe shumë vite të tjerë për të mbërritur në portat e Evropës. Ndërkombëtarët u lodhën së thëni se për të shkuar në Evropë, rruga kalon nga vetë shqiptarët. Dhe është një detyrë shtëpie për t`u kryer, e cila për Shoqërinë tonë paraqitet si tepër e vështirë. Në fakt të vështirë e bënë politika, se po të ishte për njerëzit e zakonshëm do kishim vite në familjen evropiane. Po s`të lënë hajdutët, vjedhësit, të fortët, kllounët, që pengojnë reformat dhe janë bërë pengesë serioze që trazojnë ecurinë e mbarë të reformave. Duket se grosistët, ata që kanë kapitale deri në çmenduri, fshihen pas demokracisë, duke mbajtur në ngrirje procese të tëra pune të komisioneve dhe nuk lejojnë që të dalë nga ngërçi i futur prej muajsh. Peshqit e mëdhenj janë tepër të fuqishëm dhe i bëjnë karshillëk ligjit, ndërkombëtarëve, të cilët, siç kemi dëgjuar, janë ekspertë në fushën e drejtësisë ligjore. Përballë kësaj barriere, njerëzit e zakonshëm e njohin mentalitetin e njeri-tjetrit dhe presin që zgjidhja e lëmshit të kokolepsur të vijë nga forca e pathyeshme e ndërkombëtarëve, të cilët janë zotur e shprehur publikisht, se krimi, autorët e veprave penale do thyhen. Do shemben dhe shteti ligjor do funksionoi normalisht. Deri tani të gjitha këto i kemi quajtur premtime të tyre. Por premtimet e shumta, të pa mbajtur, në çdo rast ulin besimin e njerëzve, sidomos tek ndërkombëtarët .