Shqiptarët “falen e luten” për bukën e gojës, “Rilindja jep 11 miliardë lekë për pagat e priftërinjve dhe hoxhallarëve

617
– Kryegjyshata Botërore është i vetmi institucion, të cilit i ka dhënë financime për ndërtime objektesh fetare 
Vendimi qeveritar i datës 19 prill 2017, ka krijuar debat për vetë përmbajtjen e tij, për më tepër në këtë situatë varfërie ekstreme që po përjetojnë afro 60% e familjeve shqiptare dhe pothuajse të gjitha kategoritë sociale si; jetimët, të papunët, invalidët, fëmijët e policëve të vrarë në detyrë, të moshuarit e braktisur e të vetmuar etj. Bëhet fjalë për financimin e “Shtëpive të Zotit” që janë hapur e kryejnë shërbesa fetare, me lutje edhe për njerëzit që jetojnë në varfëri. Mirëpo lutjet e priftërinjve, hoxhallarëve e baballarëve, duket se janë dëgjuar për të sjellë bollëk për ta e jo për popullin që vuan për bukën e gojës! Kishave, xhamive e teqeve, këtë bollëk nuk ua ka hedhur Zoti nga qielli, por ua ka hedhur qeverive me vendimin e saj të datës 19 prill 2017, me të cilin i financon me miliona lekë nga buxheti i shtetit. Në vend që taksat e popullit, të përdoren për “pak bukë” më tepër për popullin, çuditërisht çohen për paga mujore për ata që luten kundër varfërisë së popullit. Sipas këtij vendimi, selive të besimeve fetare që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, u janë akorduar (dhuruar) 109 milionë lekë për vitin 2017. 
Ja financimi për 4 bashkësi fetare
Me këtë vendim thuhet, se kjo jepet si mbështetje financiare për bashkësitë fetare. 
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë: I jepen 31 milionë e 416 mijë lekë, nga të cilat 11 milionë e 748 mijë lekë i jepen për financimin e 50% të pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës, ndërsa 19 milionë e 668 mijë lekë, i jepen për për financimin e gjysmës së pagës minimale buxhetore, për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar e universitar. 
Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: I jepen 25 milionë e 872 mijë lekë, nga të cilat 20 milionë e 592 mijë lekë i jepen për financimin e 50% të pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës, ndërsa 5 milionë e 280 mijë lekë i jepen për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar e universitar.
Kishës Katolike në Shqipëri: I jepen 25 milionë e 872 mijë lekë, nga të cilat 5 milionë e 676 mijë lekë i jepen për financimin e 50% të pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës, ndërsa 20 milionë e 196 mijë lekë, i jepen për financimin e 50% të pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar e universitar.
Kryegjyshatës Botërore Bektashiane: I jepen 25 milionë e 840 mijë lekë, nga të cilat 3 milionë e 696 mijë lekë i jepen për financimin e 50% të pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës, 10 milionë e 144 mijë lekë i jepen për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit, 3 milionë lekë i jepen për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në Gjirokastër, 2 milionë lekë i jepen për ndërtimin e Teqesë së Martaneshit, 7 milionë i jepen për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit. 
A është normal, ky financim?
Nuk e kemi fjalën, se përse shteti, ndërhyn financiarisht në veprimtaritë fetare, kur ka vetëm një detyrim kushtetues: Të monitorojë zbatimin e ligjeve, në veprimtarinë e tyre! Nuk duket aspak normale, madje quhet “blerje”, fakti që bashkësitë fetare financohen nga taksat publike, kur ato kanë më shumë prona se shteti; si objekte, toka, troje, zyra e deri HEC- private që i administrojnë 100% vetë. U jepen “peshqesh” 11 miliardë lekë bashkësive fetare, ndërkohë që shteti vonon me 4-5 muaj ndihëm ekonomike, pensionet e invaliditetit e të jetimëve. Shteti jep miliarda lekë për pagat e priftërinjve, hoxhallarëve e baballarëve dhe prej 6 muajsh nuk jep pagat e naftëtarëve, nuk paguan sigurimet shoqërore të punonjësve buxhetorë, nuk dëmshpërblen banorët për shtëpitë dhe tokat e shkatërruara nga “Bankers”, nuk ndërton asnjë banesë sociale për të pastrehët, nuk rimburson ilaçet jetike, nuk hap qendra shëndetësore në zonat rurale e shuam mangësi të tjera sociale-ekonomike. 
Sigal