Shqipëria zbaton kapitalizmin me rregulla komunizmi

856
Kapitalizmi me rregulla komunizmi: Ndërtuesit do dorëzojnë apartamente falas për shtetin
Një projekt/ligj i ri parashikon dhënien pa pagesë të sipërfaqeve në favor të banesave sociale. Si u ndryshua projekti dhe absurdi i drejtorive që kërkojnë “llokma” nga privati
Ndërtuesit do të jenë përballë një taksë të re, që këtë herë nuk do ta paguajnë në organet tatimore. Taksambledhësi i radhës do të jetë Enti Kombëtar i Banesave për të përmbushur programin e banesave sociale. Zgjidhjen për këtë program duket se nuk do ta japë shteti dhe fondet e administruara prej tij, por sytë janë kthyer te privati. Në projektligjin për banesat sociale është përcaktuar detyrimi që kompanitë e ndërtimit të dhurojnë sipërfaqe funksionale pa pagesë. Një formë e veçantë e zbatimit të rregullave të sistemit kapitalist, me metoda krejtësisht komuniste. Ekspertë të Shoqatës së Ndërtuesve thanë për “Telegraf”, se marrja e sipërfaqeve, pa asnjë pagesë, sipas projektligjit, do të bëhet pasi të jenë shlyer të gjithë detyrimet ndaj organeve shtetërore. Sipas ekspertëve, ndërtuesit do të paguajnë dy herë detyrime. Ata do të jenë të detyruar të shlyejnë detyrimet, që përfshijnë edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë që tashmë ka shkuar në Tiranë në nivelin 8 % dhe më pas të “dhurojnë” sipërfaqe shtesë për Entin e Banesave. “Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor, që investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi, për efekt përfitimi, mbi 2 mijë metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale me qira. Këto 50 metra katrorë, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepen në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi”, thuhet në projektin e debatuar edhe në komisionet parlamentare. Megjithatë, ky përcaktim në projektin aktual është ndjeshëm më i zbutur se nisma fillestare e qeverisë. Aty nënvizohej se detyrimi për të dorëzuar 50 metër katror në duart e shtetit do të niste prej sipërfaqes 1 mijë metër katror. “Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor që, investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore mbi 1000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim e të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik, të banesave sociale me qira”, theksohej në projektin fillestar. Aty nënvizohej se “subjekti privat që investon ose ndërton banesa në treg, ka të drejtë të kalojë në pronësi, të paktën 5 % të sipërfaqes së ndërtimit për fondin publik të banesave sociale me qira,duke përfituar një reduktim të taksës mbi vlerën e shtuar deri në ½ e saj, por jo më shumë se kostoja e sipërfaqes që falet, e llogaritur me koston e ndërtimit për metër katror, sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave”.

Gjatë viteve të fundit, komuniteti i biznesit është ankuar për taksat e shtuara në sektorin e ndërtimit, duke ndikuar në rritjen e çmimit të apartamenteve. Bashkia e Tiranës u përplas me ndërtuesit në vitin 2015 kur pothuajse e katërfishoi taksën e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja. Kjo taksë është konceptuar si e tillë që ndihmon bashkitë të kompensojnë dëmet që pëson infrastruktura publike si rrugët apo nevoja për zgjerimin e shërbimeve publike në kanalizime dhe ujë në rast ndërtimesh të reja. Më parë, kjo taksë ishte në masën 4% të kostos së investimit, gjë që do të thotë se ndërtuesit paguanin 4 për qind të kostos së përafërt prej 30 mijë lekë për metër katror. Bashkia e rriti atë në 8 për qind të çmimit të shitjes, i cili zakonisht është dy-pesë herë më i lartë se sa kostoja e ndërtimit. Ndërtuesit u ankuan në atë kohë se vendimi i bashkisë efektivisht e rrit koston e ndërtimit në Tiranë me 50-100 euro për metër katror, gjë që nga ana e saj, sjell një rritje po kaq dramatike në çmimet e apartamenteve që paguajnë konsumatorët.

Projekti fillestar
Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik
1 – Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor që, investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore mbi 1000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim e të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik, të banesave sociale me qira.

2 – Subjekti privat që investon ose ndërton banesa në treg, ka të drejtë të kalojë në pronësi, të paktën 5 % të sipërfaqes së ndërtimit për fondin publik të banesave sociale me qira,duke përfituar një reduktim të taksës mbi vlerën e shtuar deri në ½ e saj, por jo më shumë se kostoja e sipërfaqes që falet, e llogaritur me koston e ndërtimit për metër katror, sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave.

3- Çdo subjekt privat, ndërtues, ka të drejtë që, sipërfaqet ndërtimore, të cilat vijnë nga detyrimet që burojnë nga pika 1 dhe 2 e këtij neni, t’i transferojë në ndërtime të tjera, në raport me vlerën e truallit, sipas parimit të transferimit të së drejtës për zhvillim.

4 – Nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore, kërkon rritje të volumit të ndërtimit, krahasuar me standardet e miratuara në planin vendor dhe vetëm atëherë, kur bashkia ka miratuar një plan vendor, mund t’i akordohet shtesa në volum, përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi, në favor të bashkisë.
Projekti në Kuvend
Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik
1 – Çdo shoqëri ndërtuese ose investitor, që investon dhe kryen ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi, për efekt përfitimi, mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 50 metrave katrorë sipërfaqe funksionale dhe që të plotësojë kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale me qira. Këto 50 metra katrorë, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepen në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi.

2 – Nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese, për efekt përfitimi, kërkon rritje të volumit të ndërtimit, në përputhje me standardet e miratuara në planin vendor, dhe vetëm atëherë kur Bashkia ka miratuar një plan vendor, atij mund t’i akordohet shtesa në volum përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi në favor të bashkisë, për strehim social.
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:
a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:
I. nuk disponojnë banesë në pronësi;
II. banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;
III. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;
IV. kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
V. familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.
b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:
I. familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna;
II. të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;
III. familjet me më shumë se katër fëmijë;
IV. bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.
c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:
I. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;
II. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;
III. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;
IV. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;
V. familjet e policëve të rënë në detyrë;
VI. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);
VII. punonjësit e repartit RENEA;
VIII. viktimat e dhunës në familje;
IX. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
X. anëtarët e komunitetit rom;
XI. anëtarë të komunitetit egjiptian;
XII. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;
XIII. vajzat nëna;
XIV. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.
ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.
Sigal