Shqipëria, vendi me shërbimin më të keq shëndetësor në Evropë

465
Sigal

Indeksi i Shëndetit Konsumator: Shqiptarët, të parët për vetëvrasjet dhe aksidentet

Shqipëria renditet e fundit nga 35 shtete evropiane në Indeksin e Shëndetit Konsumator 2018 të matur nga instituti suedez, “Health Consumer Powerhouese”. Në krahasim me publikimin e vitit të mëparshëm, Shqipëria është përkeqësuar me tre vende, duke zbritur e fundit. Në indeksin e 2017-s, më keq se ne ishin; Rumania, Mali i Zi dhe Bullgaria, por tashmë stafetën e ka marrë vendi ynë.

Indeksi është një mënyrë për të matur, se në çfarë mase, secili nga 35 vendet përmbush pritshmëritë e një shëndeti të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve, raporton Monitor. Shqipëria, thekson raporti, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor. Shpjegimi i Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë për nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor lidhet me faktin se “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”. Por, sipas raportit, ky është një thjeshtim i situatës: Shqiptarët vizitojnë mjekun e familjes më se dy herë më shumë se suedezët (3.9 vizita në vit kundrejt 1.7)! Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të Ballkanit kanë bërë përpara në drejtim të përmirësimit të shëndetit konsumator. Serbia vijon të ngjitet në renditje, duke zënë vendin e 18-të si rrjedhojë e përmirësimit të situatës së kohës së pritjes dhe për shkak të investimeve të ndjeshme në skanera dhe zbatimit të recetave elektronike. Edhe Mali i Zi është përmirësuar në renditje, duke u ngjitur në vend të 23-të, duke pasur si arritje uljen e vdekjeve të foshnjave në lindje.

Shqipëria e fundit në çdo standard shëndetësor

Indeksi përbëhet nga 6 nën/disiplina:

  1. Të drejtat e pacientit dhe informacioni;
  2. aksesi (koha e pritjes për trajtimin);
  3. rezultati;
  4. lloji dhe aksesi në shërbime;
  5. parandalimi;
  6. produktet farmaceutike.

Sipas raportit, Shqipëria merr pikët më të ulëta në Evropë në treguesin e të drejtave të pacientit dhe informacionit (67 pikë), parandalimit, me 71 pikë, produkteve farmaceutike me 33 pikë, llojit dhe aksesit në shërbime, ku është e fundit në Evropë me vetëm 42 pikë.

Më mirë Shqipëria paraqitet në kohën e pritjes për trajtimin. Në total, Shqipëria merr 544 pikë.

Sipas grafikëve të paraqitur në raport, Shqipëria ka dhe shpenzimet më të ulëta për frymë për kujdesin shëndetësor, të matura sipas barazisë së fuqisë blerëse.

Një tjetër tregues ku jemi të fundit është numri i doktorëve për 100 mijë banorë. Pacientët shqiptarë nuk kanë as akses tek të dhënat e tyre mjekësore dhe as nuk ndërveprojnë me mjekun përmes telefonit ose internetit, por paraqiten fizikisht pranë qendrës më të afërt.

Vendi ynë është i parafundit në Evropë edhe për aksesin në trajtimin ndaj kancerit, duke lënë pas vetëm Hungarinë, ndërsa për sa i përket kohës së pritjes së skanerit ka një renditje pozitive, në zonën e gjelbër.

Shqipëria ka dhe nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Evropë, me 12 vdekje për 1,000 lindje.

Vendi është i treti në Evropë për nga niveli i ulët i mbijetesës nga kanceri, së bashku me Poloninë dhe Rumaninë, me një normë mbijetese midis 40-50%, nga gati 70% që e ka Zvicra, shteti me normë më të lartë mbijetese.

Vetëvrasjet dhe aksidentet

Shqipëria renditet e dyta në Evropë dhe për normën e lartë të vetëvrasjeve, me 0.05 për 100 mijë banorë, pas Qipros. Jemi të fundit në Evropë dhe transplantet e veshkave si dhe për kujdesin shëndetësor për të moshuarit mbi 65 vjeç. Për vdekjet nga aksidentet renditemi të dytët në Evropë, pas Rumanisë.