Shqipëria shënon regres në luftën kundër korrupsionit gjatë 2019-s

453

Sipas Indeksit të Korrupsionit 2019 të Transparency International, Shqipëria ka humbur 7 vende krahasuar me një vit më parë, duke u renditur në vendin e 106-të.

Sigal

Organizata ndërkombëtare “Transparency International” publikoi të enjten Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, me renditjen e nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik për 180 vende në mbarë botën.

Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 106-të, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh dhe përkeqësim në luftën e saj kundër korrupsionit krahasuar me një vit më parë, kur ajo renditej në vendin e 99-të.

Shqipëria ka marrë 35 pikë, njësoj me Maqedoninë e Veriut që gjendet gjithashtu në vendin e 106.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit, vetëm Mali i Zi ka shënuar përmirësim duke u ngjitur në vendin e 66-të, nga vendi i 67 që ishte një vit më parë.

Kosova u rendit në vendin e 101 me 36 pikë, Bosnja në vendin e 101 me 36 pikë, ndërsa Serbia ra nga vendi i 87 që ishte një vit më parë në vendin e 91 me përkatësisht 39 pikë.

Delia Ferreira Rubio, kryetare e Transparency International u bëri thirrje qeverive që të trajtojnë urgjentisht rolin korruptiv të parave të mëdha në financimin e partive politike, si dhe ndikimin që ato ushtrojnë në sistemin politik.

Edhe drejtoresha e Transparency, Patricia Moreira e vuri theksin tek lidhjet e politikës me korrupsionin.

“Që të mund të kemi ndonjë shans për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të përmirësuar jetët e njerëzve, ne duhet të trajtojmë marrëdhënien midis politikës dhe parasë të madhe. Të gjithë qytetarët duhet të përfaqësohen në vendimmarrje,” deklaroi ajo.

Transparency International përdor një shkallë nga zero deri në 100 pikë, ku tregon që vendi me zero pikë është shumë i korruptuar dhe 100 nënkupton që ai shumë i pastër. Bazuar në këto pikë, më pas IT përpilon një listë me renditjen e vendeve.

Vendet me renditjen më të mirë përsa i takon luftës së tyre kundër korrupsionit këtë vit janë Zelanda e Re dhe Danimarka, secila me nga 87 pikë, pasuar nga Finlanda (86), Singapori (85), Suedia (85) dhe Zvicra (85).

Ndërsa vendet me renditjen më të keqe sipas Indeksit janë Somalia, Sudani Jugor dhe Siria me përkatësisht 9, 12 dhe 13 pikë.