Shqipëria rrezikon të mbetet me më pak se 2.6 milionë banorë në 2031

540
Sigal

INSTAT ka publikuar projeksionet e reja të popullsisë për periudhën 2019-2031 në Shqipëri, të cilat rezultojnë më të përkeqësuara se pritjet aktuale. Sipas publikimit të INSTAT, popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, llogarite që të jetë 2.745.996 banorë sipas projeksioneve normale dhe më pak se 2.6 milionë banorë sipas skenarit pesimist. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011-2031. INSTAT vë në dukje se, ndryshimi i këtij numri është pasojë direkte e normave më të ulëta të lindshmërisë dhe shpërndarja gjinore e emigrantëve. Popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë procesin e plakjes dhe pritet që mosha mesatare e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031. Ky proces i plakjes shoqërohet me rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35,0 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune.

Popullsia e Tiranës do të rritet

Deri në vitin 2031, vetëm popullsia e Qarkut të Tiranës pritet të jetë më e lartë se ajo e vitit 2019, duke arritur në rreth 954 mijë banorë. Në vitin 2031, në Qarkun e Tiranës pritet të banojnë rreth 35% e popullsisë së Shqipërisë. Qarqet me popullsinë më të ulët do të vazhdojnë të jenë qarqet e Gjirokastra dhe Kukësi, respektivisht me rreth 53 mijë dhe 60 mijë banorë.