Shqipëria, për herë të parë, bllokon kalimin e grekëve në Shqipëri

557
Sigal

Autoritetet greke për hakmarrje për ngjarjet e Përmetit bllokojnë në kufi shqiptarët

 Një ditë pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, që dënonte ndërhyrjet greke në çështjet e brendshme të Shqipërisë, Athina reagoi në mënyrën e saj tradicionale, duke mbyllur kufirin për emigrantët shqiptarë. Të mërkurën paradite, pikat kufitare Kapshtica dhe Kakavija kanë refuzuar futjen e shtetasve shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi në Greqi. Ata që u refuzuan të futen në Greqi ishin qytetarë shqiptarë që disponojnë pasaportën biometrike e me të cilën lëvizin në çdo shtet të Shengenit, mes të cilëve edhe në Greqi, që nga koha e heqjes së vizave.

Pala shqiptare vendos reciprocitetin

Pas vendimit të palës greke për të mos lejuar kalimin e shqiptarëve ne dy pikat e kalimit, Kakavijë dhe Kapshticë, pala shqiptare vendosi t’ia kthente me të njëjtën monedhë asaj greke. Policia kufitare vendosi marrëdhënien e reciprocitetit me Greqinë. Ka qenë vetë drejtori i Policisë Kufitare, Admir Abrija, i cili e ka bërë të ditur këtë vendim dhe urdhëroi zbatimin e procedurave reciproke. Ai kërkoi që të mos lejohej kalimi i asnjë shtetasi grek, në qoftë se nuk e justifikonin kalimin.

Autoritetet greke deklaruan heqjen e bllokadës

Pas situatës së krijuar, pak para orës 15:00 bëhet e ditur se Konsulli grek në Gjirokastër ka telefonuar pranë Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër dhe ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë pengesë për kalimin e shtetasve shqiptarë drejt Greqisë, duke u tërhequr kështu nga vendimi i paradites që çoi praktikisht në bllokimin e paprecedentë të kufirit mes dy vendeve.

Rama komunikon me Athinën zyrtare, zgjidhet konflikti

Burime të mirinformuara në Athinë tregojnë se, mes Edi Ramës dhe Athinës për çështjen e toponimeve, si edhe për krizën në Përmet ka patur një komunikim intensiv. Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë i ka kërkuar mikut të tij të majtë Venizellos në Ministrinë e Jashtme heqjen e kufizimit për shqiptarët, deri në fund të shtatorit për ta zgjidhur pastaj përfundimisht këtë problem në rrugë bilaterale. Dhe pala greke ka mbajtur fjalën, deri kur kriza e Përmetit ka risjellë në skenë fantazmën e toponimeve, kur dje,  përsëri sipas të njëjtave burime, zoti Rama ka komunikuar me Athinën. Është e konfirmuar se rikthimi i normalitetit ka ardhur falë këtij komunikimi. Nga ana tjetër Edi Rama nuk ka dhënë asnjë deklaratë për çështjen e krizës në Përmet, por burimet  tregojnë se Kryeministri i ri dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati janë të angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi. Mesa duket edhe dialogu i hapur nga Kryebashkiaku socialist me përfaqësuesit e kishës është produkt i planit Rama – Bushati për zgjidhjen e këtij problemi.

 Braçe: “Niveli i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, i turpshëm, duhet të ndryshojë”

 Deputeti i PS-së, Erjon Braçe ka reaguar në lidhje me incidentin e kthimit të emigrantëve shqiptarë nga autoritetet greke në dy pikat e kalimit kufitar, Kapshticë dhe Kakavijë. Braçe nëpërmjet një postimi në rrjetin social, nënvizon se kjo nuk është çështje as e Shqipërisë dhe as e Greqisë, por e Bashkimit Evropian. Braçe e cilëson ‘të turpshëm” nivelin e marrëdhënieve mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë, duke kërkuar të ndryshojë çdo gjë. “Kjo nuk mund të jetë as çështje e jona vetëm me Greqinë! Shqipëria ka përfituar nga “lëvizja e lirë” dhe ka marrë këtë të drejtë për shtetasit e saj nga BE-ja. As nga Greqia më vete dhe as ndonjë shtet tjetër, po më vete. Nga Bashkimi Europian! Atje duhet të shkojë, atje duhet të shqyrtohet, atje duhet të zgjidhet! këtë vend, qytetarët e tij, nuk mund t’i marrë peng cilido polic i Greqisë. Dhe jo vetëm kjo çështje, por edhe: fluksi i emigrantëve nga Siria e më gjerë që Greqia qëllimisht po derdh në kufirin e gjelbër me ne!! Përtej këtij fakti; vijoj të mendoj se kjo është edhe çështje mes nesh, mes Shqipërisë e Greqisë. E shkruajta edhe dje; është i turpshëm niveli i marrëdhënieve mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë. Duhet të ndryshojë çdo gjë. Rrënjësisht. Dhe me një zgjidhje që garanton lëvizjen e lirë; nuk e bllokon atë reciprokisht! Ndryshe; të humbur do të ishin qytetarët, në më shumë dhe grekët më pak!!”, shkruan Braçe.