Shqipëria një ‘Lojë Fati’ e Kryeministrit Rama

779
Sigal

Jak Përpali

Janë dy momente për t’u veçuar të qëndrimit në raport me lojërat e fatit të mbajtura nga kryeministri Edi Rama: I pari në fillim të mandatit të parë të qeverisë me operacionin Fundi i Marrëzisë të shoqëruar me potere propagande, duke u shprehur se industria e kumarit kishte kryer në vazhdimësi evazion të madh fiskal kishte nxitur krimin në familje e shoqëri dhe kishte mundësuar pastrimin e parave. Dhe për çudi shohim heshtjen graduale mjegullore për gjithçka kishte rezultuar në përfundim të këtij operacioni. Pasi nuk dihet edhe sot për publikun: Çfarë nxori në dritë operacioni në shkallë vendi, masat që u morën në zbatim të ligjit për subjektet që u konstatuan – të paregjistruar, po për ato – të regjistruar por që mbanin salla me lojëra elektronike të padeklaruara. sasia e lojërave të fatit të sekuestruara dhe si u nxorën sërish në qarkullim për bosët e lojërave të fatit makinat elektronike të sekuestruara,

Po kështu edhe për pikat e basteve sportive:

Çfarë është bërë me atë sasi të sekuestruar aparatesh, Sasinë e gjobave, Vlerën e tyre, Mbledhjen e tyre dhe Hapat e tjerë ligjore që janë ndjekur në vazhdim? A vazhduan të jenë në treg ata që u gjetën me shkelje të rënda, pra të përfshirë në krim ekonomik? Kush prej tyre u nxor nga tregu nga aktiviteti kriminal i kazinove? Kush ishin përgjegjësit në strukturat e administratës për gjendjen kriminale në të cilën ushtronin aktivitet? A mbajtën përgjegjësi?

-Moment i dytë është qëndrimi i fundit i kryeministrit që duke u shprehur, se kazinotë elektronike dhe bastet sportive do të jenë larguar nga të gjitha qendrat e banuara te Republikës së Shqipërisë, duke filluar nga 1 janari 2019 e plotësoi këtë deklarim edhe dy këto ditët e fundit, duke u përpjekur për t’u shfajësuar për mospërfundimin e atij fillimi të bujshëm të aksionit, i cili, madje solli rritje të mbështetjes me ligj për shtimin e këtij aktiviteti.  Në mes të aksionit të marrëzishëm “Fundi i marrëzisë” dhe deri më tani janë pesë vite. Dhe ja cili ishte justifikimi kryesor që Kryeministri paraqiti këto ditë, pse “Fundi i marrëzisë” mbeti një aksion i dështuar i tij. Deklaron, se gaboi, pasi pranoi të bënte kompromis për hir të koalicionit, pra e penguan aleatët. Kjo përpjekje për shfajësim vetëm e rëndon me tepër Kryetarin e qeverisë për faktin se, në periudhën e koalicionit nuk kishte në qeveri ministër të financave dhe të ekonomisë nga partitë në koalicion, por ishin pjesëtarë të ‘Rilindjes’. Kështu dhe drejtoritë përgjegjëse për licencimin, mbikëqyrjen e kontrollin e lojërave të fatit, janë mbajtur në vazhdimësi nga shumica në koalicion. Dhe për favoret e shtuara industrisë së kumarit nga qeverisja e Kryeministrit ky justifikim bie.

Po kush e ka penguar atëherë?

Së pari, kryeministri me operacionin e kryer i kishte zënë në shkelje të rënda të gjithë industrinë e basteve, të cilët ishin shpërdorues e kriminelë sipas ligjit. Po çfarë e ka penguar realisht nuk dihet dhe ai tani përpiqet të shfajësohet tjetërkund. Kur vështron si ka ardhur duke u mbështetur ky aktivitet bie plotësisht alibia shfajësuese.

Së dyti, në vitin 2015 Ministri i Financave solli në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj të ri, i cili synonte rrallimin e pikave të basteve përmes distancave dhe rritjes së kostos së operimit.  Projektligji parashikonte të tatoheshin të ardhurat e kompanive në masën 25 për qind; Çdo kompani bastesh të lejohej të hapte jo me shumë se 500 pika; Distanca me shkollat dhe institucionet fetare jo më e afërt se 200 metër, duke filluar nga një shkurti i 2016-s.  Ky projektligj 24 orë para seancës pësoi ndryshime thelbësore, kur përmes dy deputetëve u propozuan dy ndryshime thelbësore: Tatimi mbi bixhozin të mos ishte 25 për qind mbi te ardhurat bruto, por 15 për qind. Të ndryshohej propozimi i ministri i Financave që lejonte një licencë të hapte deri 500 pika në gjithë territorin e Republikës dhe të miratohej ndryshimi deri në 1000 pika. Ky propozim i përgjysmonte detyrimet që do paguheshin çdo vit për licencë nga subjekti që mund të hapte 1000 pika. Për një licencë paguhet 160.000 mijë euro në vit. Pika e 3-të; largësia nga 200m u ul në 100m. Ne këtë zhvillim pangopshmëria e kompanive të basteve për të prekur çdo skaj e qoshe rruge, lagjeje, periferive e deri në fshatrat e largëta solli edhe një tjetër ndryshim: Heqja e kufizimit të distancave që u miratua në parlament. Ajo çka është më e rëndësishmja vërejmë se qeveria u tërhoq ngadalë dhe ligji i miratuar për t’i larguar nga qyteti kazinotë elektronike, u shty dy herë, së pari, deri në fund të 2016 dhe së dyti, po përmes një propozimi në parlament votoi shtyrjen deri në fund të 2018.

Po pse ndodhi kështu?

Kush e bindi Kryeministrin në atë që kishte premtuar dhe imponoi ndryshime e shtyrje e vazhdueshme për kazinotë dhe hapësira më toleruese për bastet sportive? Arben Ahmetaj, nga njëra anë kur duhej realizuar largimi i kazinove nga qendrat e banuara, ka argumentuar:

Se janë 22 akte nënligjore në zbatim të ligjit që nuk janë publikuar dhe janë në procesin e përgatitjes dhe do t’i sillte në kuvend brenda 31 janarit 2017.  Por nga ana tjetër përpiqet të sjellë një tjetër argument, se nuk ishin veç aktet që pengonin zbatimin e ligjit për kazinotë elektronike, por më tepër problemi qëndronte tek infrastruktura e dobët dhe mungesa e ndërtimit të resorteve turistike sipas sistemit me yje, që kanë penguar këtë ligj. Pra, kushdo që i ndjek me vëmendje dredhitë e Ministrit, mbetet i befasuar për këtë lojë. Po një argument tjetër sipas tij, janë të punësuarit nëpër aktivitetet e kumarit, që do të mbeten pa punë. Edhe ky argument është krejtësisht i pavlerë, pasi numri i të deklaruarve të siguruar nuk ka rol në qëndrueshmërinë e punësimin pa perspektivë dhe mbeten jashtë çdo profesioni. Një tjetër argument thuhet se, nëse fillon respektimi i distancave të pikave të basteve nga njëra anë do të sillte mbylljen e shumë pikave dhe do të sillte probleme me prishjet e kontratave me pronarët e ambienteve. Edhe ky argument është veç të tjerash pa logjikë dhe tallje e drejtpërdrejtë me shqiptarët. Po si ka mundësi, që mijëra biznese të tjera që ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente me qira dhe mbyllen, duke ndërprerë kontratat me të zotët e ambienteve, ndërkohë qe kanë marrë edhe kredi e, megjithatë ato nuk e shqetësojnë Ministrin?! Shtoi kësaj dhe faktin se shumica e këtyre aktiviteteve janë përpjekje vetëpunësimi në një treg, i cili kontrollohet nga oligarkët e ndërlidhur në mënyre korruptive me qeverinë. Ndërsa subjektet për aktivitetet e kumarit qenka dramatike, nëse ndërpresin kontratat?! Kuvendi votonte shtyrjen e futjes së ligjit në fuqi, kur duhet të monitoronte ecurinë e përgatitjes së akteve nënligjore të ligjit që ka miratuar vetë. Për ta bërë ligjin funksional, duke mos pranuar argumentet hipokrite të ministrit Ahmetaj, i cili ndër të tjera thotë, se nga futja e ligjit në fuqi krijohen probleme me buxhetin e shtetit, sepse mblidhen më pak të ardhura, edhe ky argument nuk ka logjikë ekonomike, pasi nga e gjithë paraja që qarkullon në këto subjekte, ajo që shkon në buxhetin e shtetit është e paktë në krahasim me fitimet që marrin pronarët e këtyre aktiviteteve duke ditur se edhe informaliteti është tejet i madh ndërkohë qe nuk merret fare parasysh. Ndërsa referuar përmbajtjes së dispozitës të ndryshuar rezulton se sipas nenit 6 të ligjit 39/ 2018 kemi prapë reduktim të barrës fiskale – Pasi me ligjin e ri përcaktohet si e ardhur bruto jo “xhiron totale”, siç parashikohet nga ligji ekzistues, por fitimet bruto përllogaritur, duke zbritur shumën e fituar nga lojtarët nga shuma totale e luajtur prej tyre dhe shpenzimet e tjera operative. Sipas këtij ligji barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitime bruto. Qysh këtu shquhet ndryshimi në favor të lojërave të fatit dhe megjithëse i kthyer nga Presidenti me argumente të qarta sërish mazhoranca e kalon, duke e mjegulluar me mashtrime për publikun. Tani kemi deklarimin e beftë të Kryeministrit që shkon deri aty sa ju kërkon deputetëve të tij të mos nënshtrohen nga presionet!