Shqipëria në Panairin e Turizmit në Paris

541
IFTM TOP RESA është një nga panairet më të rëndësishëm te turizmit në Europë ku marrin pjesë mbi 30,000 vizitorë profesionalë, 350 ekzibitorë me stendat e tyre përfaqesuese, mbi 160 shtete dhe mbi 1000 gazetarë
Është hapur dje ‎Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Paris, IFTM Top Resa, një nga më të rëndësishmit në Europë dhe më i madhi në Francë. Shqipëria u përfaqësua këtë vit për të parën herë me stendën e saj. I pranishëm në Panair, Ministri i MZHETTS Arben Ahmetaj tha se:
“Panairi i Parisit për Francën është panairi më i madh i turizmit dhe pjesëmarrja e Shqipërisë është risi. Në dy vitet e fundit Shqipëria ka marrë pjesë në të gjitha panairet e rëndësishme ndërkombëtare të turizmit, në funksion të përmirësimit të imazhit, përhapjes së oportuniteteve dhe mundësive që ka Shqipëria si destinacion turistik i turizmit detar; të diellit, rërës dhe detit, apo kulturor dhe patjetër turizmit malor. Fatmirësisht shifrat janë shumë interesante, janë shumë shpresëdhënëse. Vetë në 6-mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje të numrit të vizitorëve prej 17 për qind dhe rritjes së të ardhurave nga turizmit 6 për qind, pa përfshirë muajt e pikut turistik, që janë korriku dhe gushti. Të dhënat që na vijnë nga tur operatorët janë vërtetë shumë entuziaste. Ka prezencë tur operatorësh në të gjithë panairet që ne kemi organizuar dhe sot në bashkëbisedim me ta konfirmojmë ato shifra që folëm, por konfirmojnë edhe një interes akoma edhe më të madh për Shqipërinë”.
Sfida e Shqipërisë është cilësia e shërbimit
“Sfida e Shqipërisë është cilësia e shërbimit, tha më poshtë Minsitri Ahmeti dhe shtoi se “Një nga tur operatorët më thoshte me të drejtë se shërbimi është thikë me dy presa dhe do të duhet që ta vëmë theksin te shërbimet. Në bazë të përmirësimit të shërbimeve patjetër do të kemi rritje të numrit të vizitorëve në vitet që vijnë, menjëherë vitin e ardhshëm. E rëndësishme është gjithashtu tipologjia e turistëve. Sot Shqipërinë e vizitojnë francezë, italianë, gjermanë, polakë, sllovenë, çekë, danezë, suedezë. Në qoftë se para disa vitesh ka pasur vetëm vizitorë nga rajoni sot numri i vizitorëve dhe tipologjia e vizitorëve ka ndryshuar, ndryshime qoftë sasiore, qoftë cilësore.
Është e vërtetë se Shqipëria kë një konkurrencë shumë të fortë në rajon por unë nuk e shoh si konkurrencë. Unë e shoh si një segment komplementar turizmi. Pra, do shkosh në Mal të Zi, do shkosh në Kroaci, vjen edhe në Shqipëri. Të tre vendet afrojnë vlera, kënaqësi, oportunitete të ndryshme turistike. Fakti ka treguar që paketat turistike janë të integruara, fillojnë nga Kroacia dhe zbresin deri poshtë në jug të Shqipërisë. Shqipëria afron eko turizëm. Shqipëria afron një det shumë të pastër. Shqipëria afron male, pyje edhe traile fantastike, të papërsëritshme. Megjithëse në qendër të Europës është një destinacion jashtëzakonisht shumë ekzotik, pra quhet Europa e Pazbuluar, Europa normale e pazbuluar. Sot Shqipëria është një vend i sigurt. Afron kënaqësi për turistët nga të gjithë vendet. Afron një ushqim fantastik, te vëçantë dhe më të lirë se sa vendet e rajonit. Pra, Shqipëria afron shumë. Është një destinacion i pazbuluar, është duke u zbuluar. Interesi është shumë i madh. Shumë site turistike flasin sot për Shqipërinë si perla e Ballkanit, që vërtetë është perla e ballkanit. E theksoj, është sfida jonë për të përmirësuar cilësinë e turizmit dhe për të qenë modestë kur ofrojmë shërbime të mikpritjes. Ligji i ri i turizmit është një platformë shumë e mirë për të përmirësuar sektorin e turizmit, që nga tërheqja e investimeve të huaja në fushën e turizmit deri te standardizimi i sektorit. Por ligji i turizmit nuk është gjithçka. Thelbi qëndron te shpirti mikpritës shqiptar dhe tek përmirësimi i cilësisë së shërbimeve që është, e theksoj sërish, sfidë e veçantë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që Shqipëria duhet të afrojë shërbime cilësore sepse gjithçka tjetër e bën natyra”.
Julinda Dhame: Promovimi i turizmit ka qenë shumë intensiv
Në panairin e Parisit ka folur për mediat edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame. Ndër të tjera ajo tha: “Ky është një nga panairet me shumë interes dhe është një treg i ri për Shqipërinë. Sigurisht që ne jemi të udhëhequr nga agjencitë e tur operatorëve. Ata bënë kërkesën për këtë panair pasi kërkesat që vijnë nga ky panair dhe puna që drejtohet për në Shqipëri është akoma dhe më e madhe. Është hera e parë dhe shpresojmë që të vazhdojmë gjithmonë, edhe vitin tjetër, sepse në momentin që futesh në treg duhet të mbash atë disa vite. Sot është dita e hera, është një ditë pune, që do të thotë se ka takime mes bizneseve dhe mes tur operatorëve. Mendoj që ka interes si dita e parë që është. Ne ndërkohë, si AKT bëjmë takime për promovimin e Shqipërisë në Francë me forma të ndryshme, si mediat apo social media, ture mediatike, etj. Patjetër që paketat tona janë rajonale dhe pastaj individuale si Shqipëri. Interesi ka qenë në ngritje dhe numri i turistëve është rritur çdo vit por ne duhet të vazhdojmë të përgatitemi dhe të jemi në nivele si shtetet tona fqinje”.
Stenda e Shqipërisë u vizitua dhe nga Sekretari i Shtetit për Turizmin në Francë, z. Matthias Fekl‎, i cili vlerësoi zhvillimin pozitiv të turizmit në Shqipëri, sikurse e tregon dhe përfaqësimi dinjitoz në këtë Panair.
IFTM TOP RESA është një nga panairet më të rëndësishëm te turizmit në Europë ku marrin pjesë mbi 30,000 vizitorë profesionalë, 350 ekzibitorë me stendat e tyre përfaqesuese, mbi 160 shtete dhe mbi 1000 gazetarë.
Sigal