Shqipëria më e palumtura në Evropë, ndër vendet me përkeqësimin më të madh

698
Shqipëria renditet në vendin e 112 nga 156 shtete në indeksin e lumturisë 2018, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke qenë e fundit në Evropë, pra më e palumtura. Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit, tregues për të cilët shqiptarët duket se rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Evropë. Shqipëria renditet në pothuajse të njëjtat nivele me shtete të tilla si Laosi, Tunizia, Sierra Leone, Bangladeshi, Iraku etj. Në krahasim me një vit më parë, renditja është përkeqësuar me 3 pozicione, teksa në indeksin e vitit të mëparshëm ishim në vend të 109. Ndërsa një vit më parë, në 2016, Shqipëria ishte në pozicionin e 95. Pra në tre vjet është përkeqësuar me 22 vende. Në grafikun e ndryshimit për periudhën nga 2008–2010 në 2015–2017, Shqipëria renditet ndër 9 vendet në botë që kanë shënuar përkeqësimin më të madh (-0791 pikë), së bashku me vende si Madagascar, Botswana, Turkmenistan, Ukrainë, Yemen, Syri, Malazi, Venezuela (shih grafikun e dytë). Nga vendet e rajonit, Bosnja është në vend të 93, Maqedonia në vend të 89, Mali i Zi në vend të 81, Serbia në vend të 78, Kosova në vend të 66. Vendet nordike, sigurisht që vazhduan të ishin më të lumturat. Në renditjen e fundit, në vend të parë ka kaluar Finlanda, duke i zënë vendin Norvegjisë, të ndjekura nga Danimarka, Islanda, Zvicra, Holanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Suedia.
Sigal