Shqipëria hap portat për kolumbianët

583
Vjollca KUTA

Qeveria shqiptare heq vizat për kolumbianët, në 5 ditë kanë hyrë 89 persona
Ishin listuar në grupin e skeduar “Vende aktiviteti, strehe dhe tranzitimi krimi”, u futën në grupin e vendeve me “Siguri në luftën kundër krimit”
U miratua kur drejtësia italiane, ka servirur dosje trafiku droge, me akuza edhe për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kur në tavolinën e kryeministrit Rama, gjenden informacione për lidhje të këtij trafiku edhe me kolumbianët e, sidomos, kur ekziston lista me emra kryepolicësh, ministrash, deputetësh, diplomatësh, kryebashkiakësh e shtetarësh shqiptarë, të skeduar si pjesë aktive e këtij krimi

Ky vendim, krijon mundësi për shtetas të vendeve problematike, të cilët nuk lejohen pa viza, që për të kaluar, qëndruar e ushtruar veprimtari në Shqipëri, të pajisen me shtetësi kolumbiane, gjë e cila dihet se si realizohet në atë vend “plantacion droge”, më të cilin bota po krahason edhe Shqipërinë 

Ndërsa në çdo seancë parlamentare, në konferenca shtypi, në deklarata në media dhe në rrjetet sociale të 4 viteve të fundit, po bëhen akuza dhe kundër-akuza politike e personale mes palësh opozitë-pozitë, për kultivim-trafikimin e drogës, duke e krahasuar Shqipërinë me simbolin e drogës botërore “Kolumbia e Evropës”, Qeveria Shqiptare ka miratuar 5 ditë më parë, një vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, me të cilin hiqen vizat e hyrjes në Shqipëri, për shtetasit kolumbianë. Tashmë, janë plotësisht të lirë të futen në territorin e vendit tonë. Propozimi është i Ditmir Bushatit, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe nga Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, miratuar si vendim nga Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 13 dhjetor 2017 dhe ka hyrë në fuqi po atë ditë (menjëherë), mbështetur në VKM Nr. 513, datë 13.6.2013 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”. Sipas këtij vendimi, çdo kolumbian ose person që ka shtetësi kolumbiane, disponon të drejtën të qëndrojë dhe ushtrojë veprimtari në grup ose në organizatë OJF-je me objekt ekonomik, kulturor, arsimor, eksplorues, turistik, humanitar e fetar. Me këtë vendim, qeveria shqiptare, i hoqi kolumbianët nga lista e hyrjes në Shqipëri me vizë të “skanuar”, duke i bërë të barabartë për hyrje në vendin tonë, me shtetasit e SHBA, Gjermanisë, Anglisë, Danimarkës, Francës, Holandës Belgjikës, Brukselit, Austrisë, Kroacisë dhe të krejt vendeve anëtare të BE-së e të 73 shteteve të tjerë të botës, të cilët kanë standarde të larta sigurie në kontroll-qarkullimin e shtetasve të tyre dhe ndaj të huajve, që pranojnë brenda territoreve. Sipas këtij vendimi, çdo kolumbian pa “damkë” në shtetin e tij, mjafton të “trokasë” në çdo pikë kalimi kufitar të Shqipërisë me pasaportë, të paguajë 25 euro dhe futet e qëndron, qarkullon e ushtron lirshëm aktivitetin që dëshiron në Shqipëri. Sipas vendimit, për dy dhe më tepër hyrje në Shqipëri, kolumbianët duhet të paguajnë 60 euro. Kujtojmë, që e drejta e hyrjes së të huajve në Shqipëri, përcaktohet nga 5 ligje, nga 29 vendime dhe nga 98 urdhëresa shtetërore. Në nenin 30, të Ligjit Nr. l08/2013, datë 28. 03. 2013 “Për të huajt”, përcaktohet kështu: “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”. Këtë ka bërë edhe qeveria shqiptare me vendimin e datës 13 dhjetor, duke ndryshuar listën e vendeve, shtetasit e të cilëve lejohen të futen pa vizë në territorin shqiptar. Heqja e bllokazhit kufitar për kolumbianët është bërë para 5 ditësh, me këtë ndryshim: “Në aneksin nr. 3, VKM nr.513, datë 13.6.2013 të Këshillit të Ministrave, me titull “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë”, shtohen fjalët “Kolumbi” dhe “Peru”, hyrje me dokumentin pasaportë”. Po në këtë vendim, thuhet: “Në aneksin nr. 4, me titull “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë me vizë në Republikën e Shqipërisë, hiqen fjalët “Kolumbi” dhe “Peru”. Pra, kolumbianët janë hequr nga lista e hyrjes në Shqipëri me vizë dhe janë pranuar në “bllokun e vendeve” që futen pa vizë, por vetëm me paraqitje pasaporte të thjeshtë personale. Me këtë vendim, qeveria shqiptare i ka hequr kolumbianët nga “lista e zezë” e grup-vendeve të skeduara si “vatra mbizotërimi, strehe e tranzitimi krimi në botë” dhe i ka futur në listën e vendeve, që kanë “siguri në luftën kundër krimit”! Kujtojmë, që sipas VKM Nr. 513, datë 13.6.2013, deri në datën 13 dhjetor 2017, Kolumbia ka qenë në listën e grupit të vendeve të tilla si Afganistani, Angola, Afrika e Jugut, Gjeorgjia, Gana, Haiti, Guineja, Hondurasi, Libia, Libani, Kuba, Kuvajti e madje në këtë grup, bëjnë pjesë edhe Kina e Rusia dhe shumë vende të tjerë, që Shqipëria i cilëson “me probleme krimi” të çdo lloji, shtetasit e të cilëve duhet të futen në Shqipëri, me vizë të miratuar nga dy ministri: E Brendshme dhe e Jashtme, por të kontrolluar paraprakisht me “imtësi” nga shërbimet sekrete brenda e jashtë Shqipërisë! Sipas këtij vendimi edhe kolumbianët, ashtu si gjithë shtetasit e vendeve të BE e SHBA, kanë të drejtën e plotë të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në 90 ditë, brenda 180 ditëve nga hyrja e parë. Por, përpara mbarimit të periudhës 180-ditëshe, mund të përdorin periudhën e qëndrimit 90 ditë, për të rihyrë dhe qëndruar përsëri. Nuk jepet asnjë shpjegim, se për çfarë motivesh është miratuar pikërisht tani ky vendim, kur Shqipëria vazhdon të etiktohet dhe shigjetohet si “Kolumbia e Evropës” për kultivim-trafikimin e drogës. Miratohet futja lirshëm e kolumbianëve në vendin tonë, në një moment kur drejtësia italiane ka servirur një dosje trafiku droge, me akuza edhe për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për bashkëpunim me bandat e këtij aktiviteti kriminal. Miratohet ky vendim, në një moment kur në tavolinën e kryeministrit Rama, gjendet një dosje me informacione të sakta, për lidhje në këtë trafik edhe me kolumbianët e, sidomos, kur kryeministri ka edhe një raport-listë, me emra kryepolicësh, ministrash, deputetësh, diplomatësh, kryebashkiakësh e shtetarësh shqiptarë të çdo niveli, të cilët janë skeduar si pjesë aktive e këtij krimi, që 3 vite më parë “pushtoi” gjithë territorin dhe strukturat e larta të shtetit. Sipas një informacioni, të ardhur në “Telegraf” nga burime të shërbimeve sekrete: Në 5 ditët pas miratimit të këtij vendimi, në territorin shqiptar janë futur dhe po qëndrojnë 89 shtetas kolumbianë. Se me çfarë “projekti” kanë ardhur, se nga cilët janë ftuar e pritur, se ku strehohen dhe se cilat “rezidenca po vizitojnë”, këtë e di vetëm qeveria. Ne dimë vetëm faktin, që kolumbianët kanë marrë nga qeveria shqiptare e akuzuar si “qeveri e drogës”, statusin të futen pa viza në Shqipëri. Po kështu, krijon mundësi për shtetas të vendeve problematike, të cilët nuk lejohen pa viza, që për të kaluar ose qëndruar në Shqipëri, të pajisen me shtetësi kolumbiane, gjë e cila dihet se si realizohet në atë vend “plantacion droge”, më të cilin po na krahason bota. 

Ja vendimi, i datës 13 dhjetor 2017
1. Në VKM nr.513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në aneksin nr.3, “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë si rrjedhojë e hyrjes pa vizë në zonën “Shengen”, që i bashkëlidhet vendimit, shtohen fjalët “Kolumbi” dhe “Peru”, me dokumentin pasaportë.
b) Në aneksin nr.4, “Lista e vendeve, shtetasit e të cilëve hyjnë me vizë në Republikën e Shqipërisë dhe përfaqësitë ku mund të bëhet aplikimi, si dhe tarifa përkatëse e shërbimit me vizë”, që i bashkëlidhet vendimit, të hiqen fjalët “Kolumbi” dhe “Peru”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA