Shqipëria e vërtetë përtej paragjykimeve

424
Sigal

Nisma “Rrëmbyer nga Shqipëria” – Fushatë për të përmirësuar imazhin e vendit tonë

Ministri Klosi: Synimi ynë është të kemi 10 milionë turistë çdo vit

Nisma “Rrëmbyer nga Shqipëria” u lançua gjatë ditës së djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. E krijuar dhe e prodhuar me mbështetje nga Programi Zviceran për Sipërmarrjen kjo fushatë synon të përmirësojë imazhin e Shqipërisë në botë dhe të afrojë më shumë turistë drejt vendit tonë. Nisma “Rrëmbyer nga Shqipëria” i drejtohet stereotipave që mbizotërojnë në disa filma dhe media perëndimore dhe përpiqet të tregojë se realiteti është në fakt i kundërt me to. Ajo merr shkas nga filmi “Rrëmbyer” me aktorin e njohur Liam Neeson dhe e fton atë si dhe të tjerët që të vijnë dhe të shohin vetë bukurinë, mikpritjen dhe veçantinë e Shqipërisë. Në aktivitetin e zhvilluar pranë pistës së avionëve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës u bë ceremonia e fillimit zyrtar të kësaj fushate. Në fjalën e tij Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maitre u shpreh: “Le të rrëmbehemi nga Shqipëria. Unë jam rrëmbyer nga njerëzit e saj miqësorë, nga peizazhet e bukura, nga historia e saj mbresëlënëse. Ky vend është i sigurt, mikpritës dhe interesant. Prandaj siç po bëni ju sot me fushatën ‘Rrëmbyer nga Shqipëria’ të gjithë palët mund të punojnë më shumë për të ndikuar reputacionin”. Ndërkohë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se synohet arritja e një numri prej 10 milionë turistësh në vit në Shqipëri. “Më qëllim që të arrijmë synimin tonë për 10 milionë turistë në vit, na nevojitet turizëm për 12 muajt e vitit duke kombinuar kulturën, natyrën dhe trashëgiminë njerëzore”, tha Klosi. Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha: “Unë jam rrëmbyer nga Shqipëria prej disa kohësh. Nga bukuritë e saj natyrore, trashëgimia e pasur kulturore, ushqimi i shkëlqyer, dhe njerëzit zemërngrohtë! Shpesh lajmi i mirë nuk del në lajme. Duhet të njihni Shqipërinë e vërtetë, përtej paragjykimeve”. ‘Rrëmbyer nga Shqipëria’ do të vazhdojë përgjatë 2019-s dhe do të mbledhë video individuale të regjistruara nga vizitorë dhe vendas në pika të ndryshme të vendit nën hashtagun rrëmbyerngashqipëria. Videot më pas do të promovohen online dhe në mediat sociale nga organizatorët e fushatës. Ideja kreative për fushatën erdhi nga Programi Zviceran për Sipërmarrjen, i cili financohet nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe punon për të përmirësuar mjedisin për krijimin dhe menaxhimin e bizneseve të reja. Gjithashtu, projekte të tjera nga qeveria zvicerane kanë mbështetur zhvillimin dhe marketingun e turizmit në disa rajone të vendit