“Shqipëria e Madhe”, Daçiç: Rama e Thaçi luajnë ‘bllofin”me BE

613
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur se kryeministri Edi Rama dhe presidenti Hashim Thaçi luajnë bllofin me Bashkimin Europian kur flasin për projektin e Shqipërisë së Madhe, dhe se mesazhet e tyre nuk i drejtohen Beogradit por Brukselit. Daçiç shtoi se nëse BE nuk do të jetë e vëmendshme ndaj situatës në rajon, nuk përjashtohet mundësia që të ketë konflikte.

Sipas Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaratat e kryeminstrit Edi Rama dhe presidentit Hashim Thaçi, për të ashtëquajturën Shqipërinë e Madhe, nuk i drejtohen Beogradit, por kanë për qëllim të bëjnë një lojë bllofi ndaj Bashkimit Europian, me qëllim përshpejtimin e proçesit të integrimit në BE.

Në një intervistë të dhënë për mediat serbe, Daçiç theksoi se kjo është një manovër për të marrë gjithçka ose asgjë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë tha gjithashtu se Brukseli mund të zgjedhë mes një vendi që përdor retorikë përçarëse dhe një vendi që kontribon në ruajtjen e paqes e stabilitetit.

“Rama dhe Thaçi po luajnë bllofin me Europën. Është një lojë për të marrë gjithçka ose asgjë. Më lejoni t’u them se këto deklarata për të ashtëquajturën Shqipërinë e Madhe, nuk i drejtohen Beogradit, por Brukselit. Megjithatë, nëse BE nuk do të marrë masa dhe nuk do të tregohet e ndjeshme ndaj situatës, kjo mund të çojë në konflikte. Dua të pyes edhe njëherë BE-në, nëse do të zgjedhë mes një vendi që përdor retorikë përçarëse, apo një vendi që kontribon për paqen dhe stabilitetin.”

Më tej, Daçiç komentoi edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa shprehu edhe njëherë pakënaqësi në lidhje me vendimin e Francës për lirimin e Ramush Haradinajt.

Ai shtoi se Serbia mbetet e hapur për dialog dhe se nuk pajtohej me faktin që bisedimet u ndërprenë për rastin e ish-komandantit të UÇK-së.
Sigal