Shqipëria dhe Kosova, renditen të parat në listat e azilkërkimit në Gjermani për 2015

610
Shqipëria dhe Kosova ishin mes tre vendeve kryesore, shtetasit e të cilëve bënë shumicën e kërkesave për azil në Gjermani për vitin 2015, tregojnë të dhënat e reja. Shqiptarët ishin shtetasit më të shumtë që kërkuan azil në Gjermani pas sirianëve vitin e shkuar, sipas një raporti të ministrisë gjermane. Rreth 54,726 njerëz nga Shqipëria kërkuan azil në Gjermani në vitin 2015. Kosovarët ishin grupi i dytë më i madh me 37,095 kërkesa. Shtetasit e Afganistanit dhe Irakut vinin në vendin e katërt dhe të pestë. Serbia vinte në vendin e gjashtë, përgjegjëse për rreth 26,945 kërkesa e pasuar nga Maqedonia me 14,131 kërkesa.

Vendet e Ballkanit gjithashtu ishin në krye të listës së azilkërkuesve në vitin 2014, pas së cilës Gjermania vendosi t’i deklarojë këto vende të sigurta origjine, duke i bërë shtetasit e tyre thuajse të papërshtatshëm për azil. Gjermania po përpiqet të përballet me një fluks prej qindra mijëra refugjatë, kryesisht nga Siria, që është edhe arsyeja përse ka prezantuar politika të ashpra për refugjatët dhe migrantët nga Ballkani. “Ne duhet të dallojmë imigrantët që kanë nevojë reale për mbrojtje dhe imigrantët që nuk kanë perspektivë rezidence,” tha kryetari i Bavarisë, Horst Seehofer vitin e shkuar ndërsa shpjegonte arsyet e ndryshimit.

Ndryshe nga Sirianët, migrantët nga Ballkani klasifikohen si migrantë ekonomikë, një term i përdorur jo vetëm për të kategorizuar arsyen e largimit të njerëzve nga shtëpitë por edhe për të përcaktuar se kush ka të drejtën të qëndrojë. Pa të drejtë azili, autoritetet gjermane po i vendosin migrantët e Ballkanit në kampe në të cilat deportimi në shtëpi është rezultati më i mundshëm. Disa mijëra aplikantë nga Shqipëria janë kthyer tashmë në Tiranë, ndërsa shumë të tjerë janë ende në kampe në Gjermani, kryesisht në Bavari.
Sigal