Shqipëria, 14 mijë lekë të reja në muaj minimalisht vetëm për të ngrënë

1280
Sigal

Faqja e
sondazheve, “Numbeo”, ka nxjerrë një përllogaritje të shpenzimeve minimale që i
duhen një njeriu në Shqipëri që të ushqehet aq sa të marrë kaloritë e
nevojshme, që të vazhdojë ekzistencën e vet me veprimtaritë e një qenie
njerëzore të zakonshme.

Sipas anketës së “Numbeo”-s për të marrë kaloritë
e nevojshme ditore duhen afërsisht 500 lekë të reja për të shpenzuar për
ushqime. Këtë përllogaritje e “Numbeo”-s e ka bërë duke marrë një mesatare të
çmimeve dhe të sasisë së artikujve ushqimorë në Shqipëri. Dhe çmimet e
artikujve ushqimorë të përllogaritura nga “Numbeo” pasqyrojnë realitetin
shqiptar. Kështu sipas anketës të “Numbeo”-s, në 31 ditë një shqiptar, për të
përmbushur nevojat e veta minimale ushqimore, duhet të shpenzojë rreth 14,800
lekë të reja

Në dietën ditore të anketës së
“Numbeo”-s përfshihen 6 fruta dhe perime si edhe mish lope dhe pule. Ndërkaq
nëse do të hiqnim sasinë e mishit nga kjo listë, atëherë shpenzimet ditore
minimale të ushqimeve për një shqiptar do të përllogariteshin në vlerën e rreth
294 lekëve. Ndërsa nëse do të hiqeshin nga lista e dietës ditore e “Numbeo”-s
artikujt ushqimorë të mishit, atëherë vlera minimale e shpenzimeve ushqimore të
një shqiptari për 31 ditë do të ishte 9116 lekë.

Studimi i Avokatit të Popullit

Një studim i Avokatit të Popullit,
së fundmi, ka përllogaritur minimumin jetik për frymë në Shqipëri për vitin
2015 në vlerën e rreth 16 mijë lekëve të reja në muaj. Minimumi jetik
përkufizohet si shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme
për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e
shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal
shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social-kulturore. Për sa
i përket shpenzimeve ushqimore, studimi i Avokatit të Popullit nxori, se nga
minimumi jetik 7089 lekë shpenzime në muaj shkojnë për ushqime.

Numbeo

“Numbeo” është një faqe e cila
specializohet në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, për të dhënë statistika
të cilësisë së jetesës, ndotjes, kriminalitetit , çmimit të jetesës etj në
qytetet dhe vende nga e gjithë bota. Të dhënat e “Numbeo”-s citohen si nga
media dhe revista prestigjioze ndërkombëtare si “The Economist”, “New York
Times”, “BBC”, “Finacial Times”, “Forbes”, “Fox News” etj./BW/