Shqipëri-Izrael/ Policia e shtetit: Në stadium 4 orë para ndeshjes, kontroll të rreptë fizik nga FNSH, ja çfarë nuk ju lejohet

582
Sigal

Ndeshja
Shqipëri-Izrael do të luhet nën masa të rrepta sigurie në stadiumin “Elbasan
Arena”. Të gjithë tifozët duhet të tregohen të vëmendshëm ndaj zbatimit të
rregullave të vendosura, duke nisur që nga hyrja në stadium 4 orë para
ndeshjes, e deri tek sendet që nuk u lejohen të kenë me vete.

Policia
e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe
sigurisë. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshje ndërkombëtare ndërmjet
ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe problematikat e
evidentuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të mëparshme, strukturat
e Policisë së Shtetit janë angazhuar maksimalisht, ku është bërë një planifikim
i plotë i masave për të garantuar rendin sigurinë para, gjatë dhe pas
përfundimit të ndeshjes së futbollit.

Për
garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit
sportiv, do të angazhohen rreth 2.000 forca policore dhe konkretisht: Reparti
Special RENEA, F.N.SH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e
Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të
Policisë në Qarqe.

Masat
kanë filluar të zbatohen që prej mbrëmjes së djeshme me mbërritjen e Ekipit të
Futbollit të Izraelit në Rinas, ku është bërë shoqërimi pa asnjë problem nga
Rinasi në Hotel “Plaza”.

Strukturat
e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës ka në marrë masa
sigurie në hotelin ku është akomoduar skuadra deri në largimin e saj nga
Shqipëria.

Gjithashtu
nga strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë masa për shoqërimin e ekipit të
Izraelit për në stadiumin “Elbasan Arena” dhe anasjelltas gjatë datës 11 dhe 12
Nëntor.

Sakaq,
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë masa për të garantuar rendin dhe
sigurinë në qytet.

Kontrollet,
si dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit do realizohen
nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Mësohet
se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kontrollit fizik të tifozëve para
hyrjes në stadium, nga ana e FNSH. Kontrolli në portat e hyrjes për në stadium
do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje
të FNSH-së.

Tifozët
që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten
4 orë përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe
konfuzionit gjatë check in-it të biletës.
Tifozët gjatë hyrjes në stadium do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe
të imtësishëm.
Nuk do të lejohen të mbajnë me vete gjatë hyrjes për në stadium, monedha
metalike, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe
uji me tapë, si dhe çadra, por vetëm mbulesa prej plastmasi në rast shiu.

Nuk do
lejohen të futen në stadium banderola me parrulla raciste dhe politike.
Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e
Elbasanit do të boshatisen.

Si dhe
do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të
aktivitetit.
Më datat 11 dhe 12 Nëntor do të ketë kufizime të shpeshta të lëvizjes në
drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit.

Lëvizja
për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve të realizohet nga Durrësi.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në
zbatimin e këtyre masave, si dhe të tifozërisë për të zbatuar udhëzimet e dhëna
nga Policia.