Shqipëri-Greqi, realizohet për herë I monitorimi i mjedisit me satelitë

549
Sigal

Prej muajsh, në qytetin e Vlorës është instaluar dhe funksionon një platformë satelitore, që realizon monitorimin e mjedisit sipas praktikave më të përparuara bashkëkohore.

Kjo metodë që zbatohet për herë të parë në Shqipëri, fjala e fundit e teknologjisë, tepër e avancuar dhe që aplikohet edhe nga vendet më të zhvilluara, krijon një tablo të plotë të fushave që mbulon, ndërkohë që realizon kushtet për t’u paraprirë problemeve mjedisore dhe për të parandaluar pasojat në një hapësirë të gjerë që përfshin zonat ndërkufitare Shqipëri-Greqi, mes të cilave Qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, si dhe në një territor të gjerë në vendin fqinj.

Kjo qendër është mundësuar përmes një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian të emërtuar SSM Nature “Monitorim përmes platformës satelitore, i mjedisit dhe resurseve natyrore në zonën ndërkufitare Shqipëri-Greqi” dhe të realizuar nga Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, “Auleda”.

Gjatë kësaj periudhe, projekti, që është vlerësuar nga financuesit me mjaft rëndësi për qytetin, për bregdetin e Vlorës në funksion të turizmit dhe më gjerë, për të gjithë territorin ku shtrihet, ka konkretizuar të gjitha pritshmëritë. Kjo, sepse monitorimi i territorit në fjalë, veç të tjerash hap dritare dhe krijon një vizion shumë më të gjerë për t’i paraprirë problemeve mjedisore dhe për të parandaluar pasojat.

Metodat dhe aparaturat bashkëkohore që janë mundësuar nga ky projekt për monitorimin, kanë ofruar një informacion të vazhdueshëm dhe në varësi të këtij informacioni, në bashkëpunim me institucionet lokale ka nisur puna për planifikimin e kuadrit të masave për ruajtjen e mjedisit ndaj ndryshimeve.

Pjesë e dimensioneve të punës të platformës satelitore janë edhe metodat më të avancuara në funksion të ruajtjes së mjedisit, si përgatitja e hartave dixhitale të zonave të mbrojtura nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, përdorimi i metodave të ndryshme dhe analiza e të dhënave të menaxhimit dhe modelimit, apo më tej akoma, zhvillimi i rrjeteve ekzistuese lokale, rajonale, kombëtare, apo më gjerë, evropiane, për ndikimet në mjedis, duke u shoqëruar me një informacion të bollshëm dhe me përcaktimin e faktorëve që shkaktojne ndryshimet në mjedis.

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal “AULEDA”, Mirela Koçi sqaron se, në funksion të zbatimit të kësaj teknologjie tepër të përparuar janë ndërtuar 5 stacione “insitu”, ose stacione monitorimi(hardëer)”, të cilët janë instaluar në Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe dy të tjera në territorin grek, të cilat janë në lidhje me njeri tjetrin, shkëmbejnë të dhëna, harta, informacione. Në të njëjtën kohë vizualizimi i tyre, përpunimi i të dhënave, realizohen në serverin që është vendosur pranë rezidencës së Agjensisë “Auleda” në Vlorë.

Ky sistem, që realizon përputhjen e të dhënave dhe imazheve në kohë reale, mbështetet nga një aparaturë helikopter mbi të cilin në varësi të natyrës së monitormit, vendosen kamera, që mundësojnë fotografimin në kohë të ndotjeve, të parqeve natyrore. Në trupin e helikopterit, mund të vendosen gjithashtu sensorë të ndryshëm në varësi edhe të parametrave që do të maten, çka mundëson gjithashtu edhe funksionimin e stacionit të kontrollit të këtij sistemi, në serverin qendror.

Nga ana tjetër, kjo teknologji dhe skema përkatëse parashikojnë që, përmes antenës satelitore të realizohet marrja e informacionit për të krijuar një “database” të dhënash dhe përpunimin e tyre në një sistem tredimensional. Në fund të procesit, synohet të përmirësohet situata aktuale, veçanërisht emisioneve atmosferike. Nga ana tjetër, përmes këtij sistemi i përkthyer në një softwer, do të realizohet një tjetër sistem alarmi, për të parandaluar situata të caktuara dhe për të bërë të ndërgjegjshme institucionet, qysh në momentin fillestar të katastrofave natyrore të mundshme.

Për ta bërë sa më efektive këtë metodë bashkëkohore, ka nisur të përfshihen në një rrjet të gjitha institucionet që janë të lidhura drejtpërdrejtë ose indirekt me mjedisin, në nivel rajonal, kombëtar dhe lokal. Ky “database” do të shërbejë për hartimin e politikave mjedisore por në të njëjtën kohë edhe të planeve operacionale të ndërhyrjes së emergjencës, për të mundësuar procesin e koordinimit të punës në rastin e zjarreve, të përmbytjeve etj. Pra, secili aktor në bazë të informacionit që do t’i vihet në dispozicion, mund të ndërtojë planin e vet operativ. 

Marrë nga ATSH