Shpronësohen pronarët e pasurive të paluajtshme në Orikum në favor të bashkisë, ja vlera e shpronësimit

543
Sigal

VENDIME QEVERIE/Këshilli i Ministrave bën shpronësimin e pronarëve për ndërtimin e rrugës

Është miratuar nga qeveria vendimi për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme,që preken nga ndërtimi i rrugës në lagjen “1 Maji”, pronë private në bashkinë   e Orikumit, të qarkut të  Vlorës. Sipas vendimit të qeverisë do të bëhet shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës në lagjen “1 Maji”, në bashkinë e Orikumit, të qarkut të Vlorës. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Orikumit.

Masa e shpronësimit

Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në masën përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për sipërfaqen 32.5 (tridhjetë e dy pikë pesë) m², truall, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 580 677.5 (pesëqind e tetëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e shtatë pikë pesë) lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga buxheti i bashkisë së Orikumit, sipas planifikimeve përkatëse. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Orikumit. Afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Orikumit për realizimin e këtij projekti. Regjistrimi i ri i pasurisë 32.5 (tridhjetë e dy pikë pesë) m², truall, shpronësuar në favor të bashkisë së Orikumit, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

 Gjirokastër, shpronësohet familja Rapo në  lagjen “Palorto”

Në mbledhjen e djeshme qeveria bëri shpronësimin, për interes publik, të pronarëve  të pasurive të paluajtshme, një kat dhe trualli, pjesë e shtëpisë së familjes Rapo, ndodhur në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Shpronësimi është bërë në favor të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen, banesë dhe tokë truall, 27 (njëzet e shtatë) m2, të vlerësuar me çmimin e banesës 49 000 (dyzet e nëntë mijë) lekë/m2 dhe çmimin e truallit 6000 (gjashtë mijë) lekë/m2, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 1 477 000 (një milion e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë) lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 477 000 (një milion e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë) lekësh, të përballohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.