Sigal

Sot u përurua me një ceremoni në Tiranë, libri i ri gazetarit dhe ish-drejtuesit të “Zërit të Amerikës”, Frank Shkreli me titull “Demokracia nuk pret”. Tubimi ishte një rast për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në rajon, mbi demokracinë dhe tranzicionin shqiptar. Gazetari dhe ish-drejtuesi i njohur i “Zërit të Amerikës” në shqip dhe divizionin e Euro-Azisë, Frank Shkreli përuroi sot në Tiranë, së bashku me botuesit e tij të gazetës “Telegraf” librin e tij në 3 vëllime “Demokracia nuk pret”. Libri i tij përfshin një pjesë të shkrimeve të tij, që botohen rregullisht në gazetën “Telegraf”, ku ai është analist i përhershëm. “Për ne si redaksi është një fat shumë i madh dhe një privilegj po aq i madh të kemi një bashkëpunim gati 10-vjeçar me këtë njeri të mirë e të urtë. Gjithë bashkëpuniemt me të janë pasqyruar tek 3 vëllimet e sapobotuara” – tha Agim Çiraku, botues i gazetës TELEGRAF. Libri përmban një mori ngjarjesh e temash që shqetësojnë shqiptarët në Ballkan mbi lirinë e demokracinë, tranzicionin dhe korrupsionin, si dhe ndikimin ruso-turk në rajon. “Jam munduar të jap alarmin për shtimin në rritje e sipër dhe përhapjes së influencës së Rusisë dhe Turqisë në trojet shqiptare. Në mënyrën time kam paralajmëruar edhe mbi rrezikun e flirtimit të autoriteteve të larta shqiptare me udhëheqësit autoritarë të këtyre vendeve si diçka që nuk është në interesin afatgjatë të kombit shqiptar” – tha autori i librit Frank Shkreli në tubim. Simon Miraka, i dënuari politik i regjimit komunist, foli sot plot emocione në ceremoninë e përurimit të librit “Demokracia nuk pret” të gazetarit dhe ish-drejtuesit të njohur të “Zërit të Amerikës”, Frank Shkreli. “Zëri i këtyre djemve te “Zëri i Amerikës” ishte zëri që na jepte pak dritë e shumë shpresë në atë pus të errët ku na kishte zhytur diktatura komuniste apo si thotë autori Shkreli , “një popull i zënë rob”. Unë besoj se “Zëri i Amerikës” në ato vite ishte zëri i shpresës jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që ëndërronin një Shqipëri të lirë e demokratike” – tha zoti Miraka. Në tubim mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili theksoi ndihmesën, që dhanë për lirinë dhe demokracinë shqiptare figurat e njohura të diasporës shqiptare në SHBA për ruajten e identitetit kombëtar.

“Vepra e zotit Shkreli është edhe një shkundje për të gjithë ne, për rëndësinë që ka demokracia. Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, ajo duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standarteve më të avancuara ashtu si e meriton si yni, i cili ka vuajtur shumë nga mungesa e demoracisë” – tha zoti Meta. Botimin “Demokracia nuk pret” të zotit Frank Shkreli e përshëndeti me një shkrim të posaçëm edhe profesor Sami Repishti nga SHBA, së bashku me vlerësimet për autorin. Ndërsa shkrimtari dhe diplomati, Besnik Mustafaj, krahas origjinalitetit në trajtimin e temave, vlerësoi vecanërisht pasurinë dhe pastërtinë e gjuhës shqipe në librat dhe shkrimet e zotit Shkreli. “Gjuha e Frank Shkrelit është shumë e pastër nga fjalët e huaja se sa shumë nga gazetarët që kanë lindur, shkolluar, jetojnë e punojnë në Shqipëri. Ky është një shembull për të gjithë ne” – tha zoti Mustafaj. Zoti Shkreli ka qenë edhe Kryetar i Komitetit Amerikano – Shqiptar, e për disa dekada ka punuar si gazetar e drejtues në “Zërin e Amerikës” dhe detyra të tjera zyrtare. “Gjithë së bashku mundet dhe duhet të bashkëpunojmë, duke zhvilluar një dialog më njerëzor, më qytetar, sidomos në radhët e partive politike.

Na duhet një bashkëpunim më i mirë midis Kosovës dhe Shqipërisë edhe trojeve të tjera shqiptare për të mirën e shqiptarëve. Janë shumë gjëra që mund të bëhen pa kurrfarë problemi, pa asnjë kosto apo shpenzimesh. Jam optimist se një brez i ri do të bëjë akoma edhe më shumë përparime në këtë drejtim” – tha zoti Shkreli. Autori Frank Shkreli u vlerësua sot edhe për ndihmesën e madhe që ka dhënë për të informuar rajonin me lajme të besueshme, me pikëpamjet e SHBA-ve dhe për të nxitur demokracinë përmes fjalës së lirë qysh nga kohërat e egra të diktaturës komuniste deri sot 3 dekada në tranzicion e demokraci.

 Për Zërin e Amerikës Ilirian Agolli – Tiranë

Nga Frank SHKRELI

E ndjejë veten tepër të nderuar me pjesëmarrjen tuaj në këtë bashkëbisedim vëllazëror. Me disa prej jush, kam pas nderin dhe privilegjin të takohem, kryesisht, në rrethana zyrtare, por edhe shoqërisht, gjatë 30-viteve të periudhës post-komuniste, këtu në Tiranë, në Washington ose në Nju Jork, duke filluar nga marsi e prilli i vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Fillimisht, më lejoni të falënderoj, në mënyrë të veçantë, dy individë, miq dhe kolegë të mi të ngushtë, të cilët kanë mundësuar këtë bashkëbisedim vëllazëror sot me ju dhe te cilët njëherazi edhe kane sponsorizuar botimin e tre vëllimeve: Botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe Drejtorin e kësaj gazete, Z. Engjëll Musai. Në të vërtetë, po të mos ishte gazeta “Telegraf” dhe udhëheqësit e saj, nuk besoj se do të isha sot këtu para jush. Ishin Ëngjëlli dhe Agimi ata të cilët para më shumë se 10-vitesh më ftuan të bashkëpunoja me gazetën “Telegraf”. Ata më kanë inkurajuar dhe mbështetur pa ndërprerje dhe pa rezerva, me gjithë pikëpamjet e mia politike që shpesh mund të jenë ndryshe nga ato që mbizotërojnë në hapësirat e gazetarisë shqiptare. Ishte gjithashtu ideja e Agimit dhe Engjëll Musait që shkrimet e mia, të botuara rregullisht në gazetën Telegraf, të përmblidheshin në këto tre vëllime që kemi përpara. Vëllimi i parë, “Demokracia nuk pret” – është botuar para një viti nga Shtëpia botuese, Morava – të cilën gjithashtu e falënderoj sinqerisht edhe për botimin e vëllimeve II dhe III. Drejtuesit e gazetës dhe redaksia më kanë dhënë absolutisht dorë të lirë dhe pavarësi të plotë në përzgjedhjen e subjekteve si dhe përmbajtjen e lëndës. I falënderoj nga zemra dhe u jam mirënjohës për gjithmonë, për miqësinë, respektin dhe kujdesin që kanë treguar ndaj meje. Unë, kam punuar pranë “Zërit të Amerikës” për 30 vjet, ku bashkë me shumë kolegë gjatë viteve, jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest në shërbim të zhvillimeve demokratike të Atdheut të parëve tanë dhe të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona mike. Në “Zërin e Amerikës”, për më shumë se 7 dekada të ekzistencës së tij – u përpoqëm ta bëjmë këtë me fuqinë e fjalës së lirë, në shërbim të së vërtetës. Është në këtë frymë të fjalës së lirë, të vërtetës dhe objektivitetit, që jam përpjekur të shkruaj edhe për gazetën “Telegraf” edhe pasi kam dalë në pension nga “Zëri i Amerikës” — përfshirë shkrimet e përmbledhura në këto tre vëllime të “Demokracia nuk pret”.

Gjithë jetën jam munduar t’i paraqes mendimet e mia në frymën e vëllazërimit, pa urrejtje, pa sharje e pa ofendime ndaj askujt dhe gjithmonë duke i ndenjur larg përçarjeve të momentit, por duke u munduar të pasqyroj virtytet më të shëndosha të kombit tonë në një frymë të promovimit të dialogut. Ata që mund të kenë ndjekur shkrimet e mia modeste, kanë venë re se në ‘to jam përpjekur të pasqyroj dhe të promovoj dëshirën e shumicës së shqiptarëve për integrim të plotë në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake euro-atlantike — si një komb që ndien thellësisht, në palcën e tij, nevojën e lartësimit moral dhe qytetar dhe që në vetvete, i ka të gjitha aftësitë dhe mundësitë për t’u rreshtuar me kombet më të përparuara. Por, duhet të jemi të sinqertë me veten dhe me tjerët, se shqiptarët i ka penguar diçka që të zënë vendin e tyre ku iu takon me kombet e tjera, se pranvera e demokracisë shqiptare, si në Shqipëri, në Kosovë ashtu edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk ka çelur ende lulet që prisnim dikur e për të cilat presim gjithnjë. Prandaj kemi ruajtur gjithnjë titullin, “Demokracia nuk pret” për të tre vëllimet – një titull që në të vërtetë është sugjeruar nga miku im, Dr. Halim Kosova. Shqiptarët kurrë më parë në historinë e tyre nuk kanë qenë më të lirë se janë sot, por zhvillimi i demokracisë së vërtetë është diçka tjetër. 30-vjet më parë, Shqipërinë e donim si e gjithë Evropa. Është e drejtë e secilit prej nesh që të interpretojmë, të analizojmë dhe të gjykojmë tranzicionin politik post-komunist, pasi këtë na e mundëson kjo demokraci, cilido qoftë mendimi ynë për zhvillimin e saj të deritanishëm. Edhe unë jam munduar që në shkrimet e mia – në mënyrën më modeste – të them fjalën time – megjithëse larg gjeografikisht me Shqipërinë dhe trojet tona, por shumë afër me zemër – dhe për këtë mundësi gjej rastin të falënderoj lexuesit për mbështetjen e tyre. Përveç zhvillimeve demokratike në trojet shqiptare, ndër subjektet e tjera që jam përpjekur të trajtoj shpesh janë edhe marrëdhëniet historike dhe rëndësinë e tyre, midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar. Jam përpjekur gjithashtu të kujtoj edhe personalitete të njohura politike dhe intelektuale, jo vetëm të diasporës shqiptare, por edhe të tjerë, anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët ish-regjimi komunist i kishte përjashtuar nga historia, por të cilët, ma ka marrë mendja mua, se duhen vlerësuar për kontributin e çmueshëm të tyre në historinë e Kombit shqiptar. Kam venë në dukje gjithashtu edhe veprimtarinë e personaliteteve moderne të politikës amerikane dhe rolin e tyre në historinë e re e të vjetër të shqiptarëve — dhe mbështetjen e tyre të sinqertë për të drejtat bazë të njeriut për shqiptarët në trojet e veta. Miq të Kombit shqiptar pra, të cilët janë shquar me dekada, sidomos për ndihmesën e tyre historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht edhe promovues të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona dhe të integrimit të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike. Lidhjet shqiptaro-amerikane, për të cilat kam shkruar një numër artikujsh gjatë viteve, janë aq të vjetra sa është edhe diaspora shqiptare atje. Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e kolosëve të Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Fan Nolit dhe Faik Konicës. Atëherë, si edhe më vonë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri si dhe para dhe gjatë luftës në Kosovë – komuniteti shqiptaro-amerikan, ka luajtur dhe vazhdon të luajë rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare në Amerikë, pa dallim orientimesh politike, i ka konsideruar ato gjithmonë si të pa zëvendësueshme për interesat jetike të Kombit shqiptar.

Një subjekt tjetër që jam përpjekur të trajtoj nga koha në kohë, janë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se si ato prekin interesat shqiptare, sidomos këtu në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Jam munduar të jap alarmin për shtimin në rritje e sipër të përhapjes së influencës së Rusisë dhe të Turqisë në trojet shqiptare. Në atë mënyrën time, kam paralajmëruar edhe mbi rrezikun e flirtimit të autoriteteve të larta shqiptare me udhëheqësit autoritarë të këtyre vendeve, si diçka që nuk është në interesin afat gjatë të Kombit shqiptar. Të drejtat e njeriut në përgjithësi, liria e shtypit dhe liria e fjalës në veçanti, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë popujt e botës, janë një subjekt që më ka interesuar gjithë karrierën time. Viktimat e komunizmit ndërkombëtar dhe atij shqiptar dhe të drejtat e tyre, atëherë dhe sot, janë diçka që i kam pasur gjithmonë afër zemrës. Për të gjitha këto subjekte, ne mënyrën time modeste kam pasqyruar në Gazetën “Telegraf”, mendimet dhe qëndrimet e mia personale por edhe të atyre që, për arsye të rrethanave historike, nuk u është dhënë mundësia as e drejta të flasin për veten dhe të shprehin lirisht mendimet e tyre.

Por, në shkrimet e mia, mos u mundoni të gjeni promovimin e ideve dhe të qëndrimeve të shumicës ose preferencat e të fuqishmëve dhe të autoriteteve qeveritare, të cilës do palë qoftë, sepse nuk do t’i gjeni në shkrimet e mia. Objektivi im gjithmonë ka qenë dhe është, për të mos qenë kritik ose pesimist, vetëm për hir të qenët kritik, por me qëllim për të qenë gjithmonë i qartë në mendime, ndërtues dhe jo shkatërrues. Prandaj, ashtu siç përpiqem të përfundoj shumicën e shkrimeve të mia me një frymë ndërtuese, më lejoni ta mbyll këtë bisedë me një notë optimiste. Nga njëherë gjatë këtij tranzicioni të tej-zgjatur, shumë vetave u duket, ndoshta me të drejtë, sikur dielli ynë i demokracisë së vërtetë ta ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës politike shqiptare, ose të pakën ai diell të ketë devijuar nga rruga që duhej të ndiqte në jetën tonë post-komuniste. Por, me gjithë vështirësitë, me të cilat përballen sot shqiptarët, si popull dhe si komb, dhe me gjithë kritikat gjithmonë qëllim-mira që mund t’i keni lexuar ndonjëherë edhe në shkrimet e mia modeste ndaj disa fenomeneve politike shqiptare – unë jam i bindur, se dielli i demokracisë shqiptare nuk e ka humbur rrugën, as nëpër “vranësirat” politike të këtij tranzicioni, por mendoj se, mbi te gjitha, me besim në vetvete, ky diell do udhëheqë botën e re shqiptare drejt një të ardhmeje më të bukur për fatin e Kombit. Rrethanat dhe sfidat e sotme politike, ekonomike, shoqërore e të tjera me të cilat përballet Kombi shqiptar, mund të duken të ndërlikuara, nganjëherë të rënda dhe kaotike për fisin shqiptar, siç janë mungesa e bashkëpunimit dhe dialogut politik, pështjellimi i ideve, dhe grindjet e kacafytjet politike. Por, Ernest Koliqi, të gjitha këto probleme i ka cilësuar si, “Dëshmi e një gjallënie të pashueshme në gjakun arbnuer – që shërbejnë si shkas farzues e gratçuer n’errësi të nenvetëdijes së Kombit, të cilat njëkohësisht sajojnë fytyrën e re të tij, në pasqyrë të moteve të reja.” Një fytyrë e re në pasqyrën e moteve të reja për Kombin Shqiptar, është lutja dhe shpresa ime dhe e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën Kombit të vet, por Demokracia nuk pret gjithmonë, siç sugjeron edhe titulli i tre vëllimeve që kemi përpara. Por ia vlen pra të jemi optimistë për një të ardhme më të mirë e më të bukur, sidomos në këtë vit kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe – se Kombi shqiptar do të dalë ngadhënjyes mbi të gjitha sfidat me të cilat përballet sot. Shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës ka thënë: “Gjergj Kastrioti, simbol i vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mëshirimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza – mëshirimi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë – janë vlerat tona morale, ato që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”, drejt moteve të reja.

Ju falënderoj nga zemra! Zoti qoftë gjithmonë me Shqiptarët!