Shpresa LEKA/ Një “katalog” me vizion të ri shkencor, për standarde moderne në projektimin dhe ndërtimin e rrugëve

538
Libri, punim shkencor “Projektimi i rrugëve dhe siguria rrugore”, ideuar dhe përgatitur me skica, projekte e ide shkencore studimore bashkëkohore, nga ekipi specialistëve të shoqërisë projektuese “47 EK79&Iliriada PKS”, nën drejtimin arkitektit të njohur e të talentuar Kujtim Bektash Çela është një “katalog” i rrallë, i pari në llojin e vetë, ndërtuar si punë shumë e mirë dhe një material i çmuar, që ju vjen në ndihmë ekspertëve të fushës së inxhinierisë civile. Unë, duke qenë një eksperte e planifikimit të territorit me një përvojë mbi 40 vjeçare, do të ndalem për opinionin tim në kapitullin e II të librit, i cili shtjellon çështje të infrastrukturës urbane. Rrjeti rrugor, i quajtur dhe “armaturë urbane” është një element i rëndësishëm për të mos thënë më i rëndësishmi në projektimin dhe ndërtimin e territoreve. Duke qenë i tillë ai që në lashtësi dhe në të gjitha periudhat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore ka qenë determinues në formimin e qendrave urbane. Specifikimi i rrugëve kushtëzohet nga pozicioni gjeografik, ndërtimi natyror i terrenit ku është zhvilluar qendra e banuar. Skema që zgjidhet për zhvillimin e qendrës së banuar kushtëzohet nga skema e rrjetit rrugor. Prandaj përcaktimi, funksionaliteti dhe rregullat e përdorimit të rrjetit rrugor janë mjaft të rëndësishme sepse kanë ndikim direkt në ndërtimin dhe funksionimin e qendrës urbane. Në libër përcaktohet klasifikimi funksional i rrugëve urbane, që nga autostrada dhe rakordimet e tyre, rrugët urbane me lëvizshmëri të lartë, rrugët urbane të lagjeve dhe rrugët lokale. Në sqarim të këtyre kategorive jepen dhe profilet tërthore për çdo kategori me karakteristikat gjeometrike, duke e ilustruar me kombinime të ndryshme në funksion të rajonit ku ato kalojnë apo dhe zgjidhjeve të detyrueshme që duhet të përdoren. Në rastet e autostradave jepen shembuj të cilat me ritmet e zhvillimit të trafikut tek ne duhet të merren në konsideratë dhe të zbatohen rigorozisht me qëllim të disiplinimit të lëvizjeve të ndryshme dhe që të eliminohen aksidentet. Për çdo rast është e rëndësishme të zbatohen në mënyrë të qartë korsitë e automjeteve, rrugët e shërbimit sektorial, të cilat lidhin arteriet kryesore të autostradave me rajonet ku kalojnë që më së shumti në vendin tonë janë rastet më tipike sepse ato kalojnë në zona të urbanizuara dhe lidhja me to është e pashmangshme. Edhe rastet e rrugëve urbane me lëvizshmëri (me shpejtësi dhe intensitet trafiku), janë modele të përdorshme tek ne, por rastet e realizuara deri më sot kanë mangësi të theksuara në elementët e domosdoshëm, si korsitë e emergjencës, hapësirat mbrojtëse dhe izoluese, distancat nga vijat e ndërtimit etj,. Rrugët urbane dhe lokale që shpjegohen në libër janë më së shumti rrugët që ne kemi sot dhe për shkak të mungesave të theksuara të elementëve të domosdoshëm dhe me shtimin e mjeteve të lëvizjes janë në një trysni të vërtetë dhe që në shumë raste ato janë shkak dhe për aksidentet e shumta që po ndodhin. Defektet kryesore të tyre janë në mungesën e brezave të sigurisë, distancave nga vijat e ndërtimit, mungesa e trotuareve dhe më e theksuar është defektet në kthesat dhe në kryqëzimet. Bashkë me elementët ndërtimorë dhe teknikë të autostradave dhe rrugëve rekomandohen dhe shembuj që lidhen me shpejtësitë minimale të lëvizjes, rrezja minimale planimetrike, rrezja minimale altimetrike, pjerrësia minimale tërthore dhe pjerrësia minimale gjatësore. Në kapitullin e elementëve rrugorë një rëndësi i kushtohet elementëve rrugorë në shërbim të këmbësorëve, biçikletave, mjeteve të transportit publik dhe ndalimit apo parkimit të përkohshëm, elemente këto që ndeshen më së shumti në qytetet tona. Studimi hyn deri në detaje teknike të thjeshta në dukje, por të rëndësishme në lëvizje siç janë rakordimet e bordurave dhe lidhjet e tyre me trupin e rrugës. Lëvizjet me biçikleta përveçse janë praktike dhe komode në lëvizje kanë një rëndësi të madhe për mbrojtjen e mjedisit sepse reduktojnë në maksimum trafikun dhe ndikojnë në uljen e numrit të aksidenteve nga lëvizjet me automjete. Në trajtimin teknik të korsive të biçikletave jepen të gjithë elementet e duhur të rakordimit të korsive të biçikletave hapësirat e tjera të lëvizjeve që janë kryesisht ato këmbësore. Kalimet e biçikletave dhe motorëve janë gjithmonë në mos baraz me kuotën e rrugës së mjeteve, më lart se to, kjo për shkak të sigurimit të kuotës së shikimit me prioritet të personave që lëvizin me biçiklete apo motor. Realizimi i kryqëzimeve dhe ndërprerjeve të rrugëve të kategorive të ndryshme me njëra tjetrën kërkon vëmendje dhe kushtëzime ekzakte, që në anën ndërtimore, ashtu dhe në sinjalistikën e komanduar sidomos kur trupi i rrugës ndeshet apo kryqëzohet me rrugë këmbësore. Kryqëzimet dhe vendkalimet e komanduara janë pjesë të menaxhimit të trafikut dhe rrjeti rrugor duhet të ketë fleksibilitet për t’ju përshtatur nevojave të reformimeve të duhura. Rreth-rrotullimet, si pjesë e rrjetit rrugor në shumicën e rasteve ndërtohen për të zbutur skemat e lëvizjes, por dhe për të harmonizuar lëvizjen brenda skemës së përgjithshme të një qendre urbane. Gjithashtu rreth-rrotullimet ndërtohen të detyruara për të bërë të mundur lidhjen e zonave të ndryshme të zhvillimit si në një nivel ashtu dhe në nivele të ndryshme. Rreth-rrotullimi shërben dhe për të ndihmuar në mjaft raste frenimin dhe uljen e shpejtësisë së lëvizjes. Në ndihmë të rakordimeve shërbejnë dhe bordurat dhe shumë elementë të tjerë ndërtimorë të trupit të rrugës të cilat në libër jepen me shumë detaje teknike. Bordurat janë jashtëzakonisht të rëndësishme në kufizimet e rrugëve. Ato kryesisht janë të parapërgatitura dhe me qëndrueshmëri ndaj goditjeve. Libri trajton me kujdes kushtet dhe kondicionet e kryqëzimeve me disnivele, të cilat mund të jenë me destinacion vetëm për mjete motorike, por dhe te kombinuara me biçikleta, këmbësorë etj,. Tunelet për kalimin e biçikletave trajtohen me kujdes duke pasur përparësi sigurimin e jetës njerëzore, prandaj në libër jepen shumë përcaktime, përkufizime dhe masa të tjera mbrojtje paraprake të jetëve njerëzore. 
Transporti publik
Transporti publik sot, në shumëe qytete të mëdha ka një rëndësi dhe ndikon direkt në lehtësimin e trafikut. Për këtë arsye në libër i kushtohet një vëmendje trajtimit të kushteve teknike dhe elementët e duhur që duhet të pasqyrohen në projektet e territoreve të qendrave urbane. Gjatë planifikimit të territoreve duhet që në rrjetin rrugor te planifikohen korsitë për lëvizjen e transportit publik dhe si rregull ato planifikohen gjithmonë ngjitur me trotuaret dhe me lehtësi komunikimi me këmbësoret dhe me kalimet e tyre në të dy drejtimet e lëvizjeve. Në libër jepen në mënyrë të detajuar dhe shoqëruar dhe me skica shembuj të trajtimit të këtij problemi mjaft delikat dhe në mbrojtje të jetës së çdo banori. Korsitë e kalimi të mjeteve publike përfshijnë të gjitha llojet e mjeteve publike të regjistruara si të tilla si autobuzë, trolejbuzë shërbim i emergjencës shëndetësore, korsitë e biçikletave dhe madje dhe kalime për këmbësore. Në vendin tonë këto mjete, në kuadrin e lëvizjeve në qytete, nuk kanë marrë drejtimin dhe rendësin e duhur, por me rritjen dhe përqendrimin e popullsisë në qytetet kryesore, kjo është një domosdoshmëri për tu zgjidhur. Prandaj libri merr një rëndësi të veçantë sepse del në momentin e duhur dhe pas zgjedhjeve të pushtetit vendor rishikimi i të gjitha territoreve të bashkive me ndarjen e re administrative do të mund të bëjë një përmirësim të situatës në terren në drejtim të lëvizjes së mjeteve private, publike, urbane dhe interurbane. Një problem mjaft i mprehtë është dhe parkimi i mjeteve dhe në këtë kapitull jepen mundësitë dhe variantet e parkimeve në anë të rrugëve, duke ilustruar me shembuj konkrete sidomos parkimet që në afërsi të kthesave dhe kryqëzimeve duhet të respektojnë fushëpamjen e mjeteve në lëvizje. Ky proces në situatën aktuale është në kaos prandaj del si domosdoshmëri zgjidhja e parkimeve të përkohshme dhe ato të zgjatura duke përdorur norma dhe kondicione për të evituar dhe konfliktet që ekzistojnë për këtë veprimtari. Në libër i kushtohet një kujdes i veçantë dhe sinjalistikës për persona me aftësi të kufizuar si një e drejtë legjitime për këtë grup të popullsisë që së bashku me persona të moshuar duhet të kenë mbështetjen e të gjithë shoqërisë për të pasur lirshmëri dhe lëvizje pa pengesa. Në shërbim të këtij elementi dhe të lëvizjes me biçikleta në libër shtjellohet me detaje dhe sinjalistika me ngjyra dhe sistemi grafik i sinjalizimit në pistën e pedalimit. Kjo mënyrë sinjalistike e kombinuar atë në terren dhe sinjalistika me ndriçim kërkon dhe një edukatë qytetare korrekte dhe respektim të përpikte të këtyre rregullave. Në këtë kapitull jepen disa variante të vendkalimeve për këmbësore me një, dy ose më shumë korsi dhe vendkalim të këmbësoreve me disnivele dhe shembuj zgjidhje në kuadrin e disa skemave të lëvizjes së trafikut e kombinuar dhe me lëvizje të mjeteve të tjera. Ne fund të këtij kapitulli i kushtohet një rëndësi dhe masave zbutëse të projektimit, që kanë të bëjnë me indikatorët e rrezikut që janë prezent në çdo situatë lëvizjeje, duke i specifikuar veçanërisht ato në kthesa dhe në vendkalimet e këmbësoreve. Në kuadrin e ndarjes së re territoriale dhe marrjen e masave për politika territoriale gjithëpërfshirëse, duke i trajtuar territoret brenda kufirit të njësisë se re territoriale një potencial në zhvillimin territorial për një mjedis më të shëndetshëm dhe për struktura ekonomike prodhuese, duke ruajtur tokën bujqësore të kategorive I-IV problem i rrjetit rrugor rajonal, ndër-rajonal dhe ndërthurja e tyre merr një rëndësi të posaçme dhe libri, mendoj se do të shërbejë dhe do të jetë një vlerë e shtuar në fushën e projektimit urbanistik e territorial në tërësi.
Sigal