Shpresa BEÇAJ, Kryetare e Gjykatës së Lartë / Kriteret objektive të karrierës së gjyqtarëve

721
Sigal

Këto kritere ligjore të përcaktuara për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve, janë të vlefshme për sigurimin e një sistemi juridik meritokratik

Gjyqtarët në çdo vend të botës janë personat përgjegjës për administrimin e drejtësisë. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që të ketë kritere ligjore sa më të përcaktuara në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve, të bazuara këto në vlerat dhe cilësitë personale të nevojshme për sigurimin e një sistemi meritokratik karriere, që garanton një gjyqësor profesional, të pavarur, të paanshëm, i cili inspiron besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Kushtetuta jonë garanton pavarësinë e gjyqtarëve nga organet e tjera të pushtetit shtetëror, duke sanksionuar se pozicioni i gjyqtarëve është i papajtueshëm me asnjë veprimtari shtetërore, politike ose private. Me qellim garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, në vendin tonë janë krijuar me ligj një serë institucionesh shtetërore të pavarura, përgjegjëse për aspekte të veçanta të administrimit gjyqësor. Përzgjedhja dhe trajnimi i gjyqtarëve realizohet nga Shkolla e Magjistraturës, ndërsa karriera, vlerësimi profesional dhe procedimi disiplinor janë aspekte të cilat janë në kompetencë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Një hap tjetër i rëndësishëm drejt forcimit te pavarësisë së sistemit gjyqësor në raport me institucionet e tjera, si dhe brenda vetë sistemit gjyqësor, është dhe miratimi i Ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin mishërohen dhe konkretizohen dispozitat kushtetuese për sistemin gjyqësor. Në kuadër të parashikimeve kushtetuese, në këtë ligj janë parashikuar procedurat mbi emërimin e gjyqtarëve, ngritjen e tyre në karrierë, transferimin apo procedimin disiplinor. Përzgjedhja e gjyqtarëve bëhet nga një organ i pavarur i krijuar për këtë qëllim që është Shkolla e Magjistraturës, e cila është e angazhuar në shpalljen dhe organizimin e konkursit për përzgjedhjen e kandidaturave për gjyqtarë dhe prokurorë. Megjithatë, është e nevojshme që të përmirësohen kriteret dhe kushtet e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, me qellim thithjen e studentëve, të cilët kanë treguar jo vetëm arritje të mira në fushën e studimeve juridike por dhe të kenë integritetin e duhur dhe aftësitë e cilësitë e nevojshme për t’u bërë gjyqtar. Në mbështetje të Kushtetutës dhe Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si një organ kolegjial dhe i pavarur, është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit. Tjetër garanci që parashikon Kushtetuta është dhe palëvizshmëria e gjyqtarit nga detyra, duke sanksionuar se koha e qëndrimit të gjyqtareve në detyrë nuk mund të kufizohet. Kushtetuta parashikon se transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përveçse kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor. Mosmarrja për bazë e këtyre kritereve në procesin e emërimit të gjyqtarëve, apo zbatimi i kritereve të tjera të ndryshme nga këto (qoftë edhe ato politike, klienteliste etj.,) sjellin rënie të cilësisë dhe respektit për gjyqësorin, ulje të autoritetit të tyre si dhe mund të krijojnë mundësinë e komprometimit të detyrës së ngarkuar. Përcaktimi i këtyre kritereve ka qenë në vëmendje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nëpërmjet akteve të tij normative ka miratuar një serë kriteresh dhe treguesish të matshëm, të cilët mundësojnë një vlerësim objektiv të kandidatit. Ndër treguesit që përdoren për vlerësimin e meritës përkatëse të gjyqtarit përfshihen a) rezultatet e përfundimit të studimeve universitare e pasuniversitare; b) vjetërsia si gjyqtar; c) treguesit e punës; d) trajnimet apo specializimet e ndryshme; e) të dhëna për studime të kryera apo botime në fushën juridike; f) të dhëna për qëndrimin moral; g) të dhënat për masa disiplinore; h) çdo të dhënë tjetër që tregon epërsi të kandidatit përkatës, ndaj kandidatëve të tjerë, i) aftësia në ushtrimin e detyrës. Ligji i jep të drejtë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mbledhë informacion rreth aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe të përgatisë raporte të bazuara në atë informacion, siç parashikohet në ligj. Gjykata e Lartë e Shqipërisë është organi më i lartë i pushtetit gjyqësor, dhe si i tillë roli dhe rëndësia që zë kjo gjykatë në sistemin gjyqësor është shumë i madh. Procedura e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë është e ndryshme nga ajo që përdoret për gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit, dhe është disi më komplekse. Me krijimin e një vendi vakant në përbërjen e trupës gjyqësore, kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore për të emëruar në Gjykatën e Lartë, paraqesin kërkesë te Presidenti i Republikës. Sipas Kushtetutës ata emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Mbas nxjerrjes së Dekretit të Presidentit, kandidatura e gjyqtarit kalon për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve, i cili organizon një seancë dëgjimore publike me kandidatin, me të cilën synohet të konstatohet përmbushja e kritereve ligjore për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, si dhe përshtatshmëria e tyre për këtë post. Sipas kuadrit tonë ligjor dhe atij jurisprudencial pëlqimi që kërkon norma kushtetuese për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, nënkupton një lloj konsensusi midis dy organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, dhe pjesëmarrja e Kuvendit në këtë proces ka për qëllim balancimin e kompetencës së Presidentit në emërimin e gjyqtarëve, gjë kjo që vjen në harmoni edhe me parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve. Përfshirja e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces, ka të bëjë, jo vetëm me shqyrtimin e rregullshmërisë juridike, por edhe të meritës së zgjedhjes së bërë nga ana e Presidentit të Republikës. Në këtë vështrim, pjesëmarrja e Kuvendit në procesin e emërimit të gjyqtarëve, që shkon tej një kontrolli juridik të procesit, është në harmoni të plotë me natyrën politike të këtij organi, dhe pëlqimi që ai jep motivohet me rëndësinë që paraqet Gjykata e Lartë, si rezultat i rolit thelbësor që ato kanë në interpretimin që i bëjnë ligjeve dhe Kushtetutës. Në përfundim të punës së tij shqyrtuese Komisioni i Ligjeve harton një raport përfundimtar në të cilin pasqyrohen cilësitë e meritat e kandidatit, përmbushja e kritereve ligjore, raport i cili më pas i paraqitet Kuvendit për miratim. Në ato vende që kane një sistem të ngjashëm me tonin për emërimin e gjyqtarëve të këtyre gjykatave, nuk mund të shpërfillet dhe një lloj shqetësimi që ka organi ligjvënës lidhur me orientimin politik apo ideologjik të kandidatit, dhe pikërisht kjo afërsi apo patronazh politik i kandidatit mund të përbëjë një faktor të fortë dhe determinues në emërimin e tyre. Kjo për faktin se, forca politike që ka shumicën në parlament synon që të emërojë në këto gjykata ata gjyqtarë, të cilët do të përdorin funksionin e tyre të lartë gjyqësor në mbështetje të politikave apo veprimtarive shtetërore dhe jo kundër tyre. Por në disa raste kjo frymë militantizmi mund të jetë e dëmshme për gjyqësorin, për shkak se ky lloj kontrolli mund të pasjellë një vetë-censurë dhe për rrjedhojë mund të sjellë moskandidimin e gjyqtarëve të kualifikuar, të cilët kanë pikëpamje apo bindje politike të ndryshme nga forca politike në pushtet, dhe nga ana tjetër mund të favorizojë gjyqtarë të cilët, të shtyre nga ambicia për të zëne poste të larta në gjyqësor në mënyrë të pamerituar, të fillojnë të krijojnë lidhje apo të lobojnë me personat me pushtet dhe influencë për të fituar postin, ç’ka mund të sjellë një ndikim jo të mirë në pavarësinë e gjyqësorit, dhe duke i mbyllur rrugën kështu gjyqtarëve të aftë e të ndershëm. Ky kontroll që bën Parlamenti lidhur me përshtatshmërinë e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nuk duhet të përdoret në asnjë rast si një mjet politik për të refuzuar kandidatët e aftë profesionalisht dhe me integritet moral, për shkak se ekziston rreziku që këto gjykata të ngarkohen me paragjykime politike, gjë e cila mund ta etiketojë punën e tyre si të motivuar politikisht, duke cenuar në këtë mënyrë imazhin e pavarësisë së saj në sytë e publikut. Përsa i përket kushteve dhe kritereve që duhet të plotësohen për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, mendoj se këto duhet të bëhen më të forta, me qëllim tërheqjen nga radhët e gjyqësorit, apo jashtë tij, të gjyqtarëve apo juristëve të cilët kanë një karrierë apo përvojë profesionale më të gjatë në profesion, gjë e cila do të sillte si pasojë krijimin e një trupe gjyqësore, e cila do të karakterizohej nga një përvojë profesionale dhe pjekuri intelektuale më e madhe, dhe rrjedhimisht më e kualifikuar, duke sjellë si rezultat edhe përmirësimin e cilësisë së përbërjes si dhe të profesionalizimit të trupës gjyqësore të Gjykatës se Lartë. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është dhe garantimi i statusit dhe karrierës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë mbas mbarimit të mandatit, ku kapacitetet dhe kontributi profesional i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në radhët e gjyqësorit duhen ruajtur dhe shfrytëzuar akoma. Këto çështje kanë qenë në vëmendjen e Trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, e cila doli me propozime konkrete me synimin që ato të adresoheshin në mënyrë të qenësishme dhe shteruese në projektligjin e Gjykatës së Lartë, propozimet të cilat iu bënë prezente me shkrim edhe Ministrisë së Drejtësisë, Misionit Euralius si dhe Komisioneve Parlamentare me qëllim që të pasqyroheshin në projektligj. Në vendin tonë nuk ekziston një sistem për vlerësimin e punës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Kjo nisur jo vetëm nga roli apo pozicioni i saj kushtetues, apo nga funksioni i saj si një gjykatë ligji, por aftësitë profesionale, meritat apo cilësitë morale të këtyre gjyqtarëve janë marrë paraprakisht në konsideratë nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë gjatë procedurës së emërimit të tyre në detyrë. Si përfundim përcaktimi në mënyrë rigoroze i këtyre kritereve shtron nevojën e një analize më të thellë e më të kujdesshme të çështjeve që lidhen me përzgjedhjen, emërimin dhe transferimin e gjyqtareve me qellim që zbatimi i tyre praktik në të ardhmen të kryhet në frymën e parimeve kushtetuese dhe ligjore për ekzistencën e një gjyqësori të përgjegjshëm, profesional dhe efektiv, në mbështetje të interesave të qytetarëve.