Shpiragu, si zonë naftëmbajtëse do të punësojë së shpejti 1 000 vetë

1116
Sigal

Flet për “Telegraf”, Kryetari i Komunës Sinjë, Pelivan Sina: “Turizmi dhe nafta po rrisin nivelin e jetesës në këtë zonë”

Zona e Shpiragut që njihet jo vetëm për historinë patriotike ndër vite është dhe një zonë turistike, por me kalimin e viteve kjo zonë u lakmua edhe nga sizmikët për të nxjerrë shtresa të reja nafte, gjë, e cila u vërtetua pozitivisht. Tanimë kjo zonë është vënë nën zhurmat e makinerive shpuese, të cilat prej disa vitesh po punojnë në zonat e Shpiragut. Pikërisht në zonat Mbreshtan dhe Molishtë të njohura si zona turistike janë kthyer dhe në zona naftë mbajtëse, pasi firma të mëdha, të huaja kanë arritur të zbulojnë naftë dhe fill pas kësaj gjetjeje, komplet ky vend është futur në hartën naftëmbajtëses. Sipas specialistëve të këtyre firmave, që kryejnë punime në këtë zonë bëhet e ditur se mali i Shpiragut ka shtresa nafte dhe sipas analizave të kryera, nafta është e një cilësie të lartë. Është për t’u theksuar se aty janë të punësuar një numër i madh punëtorësh, të cilët marrin edhe rroga të larta. Burimet bëjnë të ditur se, punëtorët që punojnë në këto zona janë kryesisht nga zona e Shpiragut, ku dhe varfëria ka qenë e madhe prej vitesh, për vetë faktin se, kjo zonë është zonë e thatë dhe pikërisht për shkak të thatësirës nuk kanë prodhime bujqësore. Marrja e punëtorëve nga kjo zonë ka zbutur sadopak varfërinë e këtyre fshatrave.

Kryekomunari

Kreu i Komunës së Sinjës, Pelivan Sina bënë të ditur për gazetën “Telegraf” se, kjo zonë, tashmë është kthyer nga një zonë turistike në një zonë naftëmbajtëse. “Turizmi dhe nafta, kanë ndikuar për mirë, pasi gradualisht nga të ardhurat e turistëve dhe punësimi nga firmat e shpimit, ka sjell rritjen e të ardhurave të Komunës Sinjë si dhe të vetë banorëve të saj. Në takimin që Kryeministri Berisha ka patur me banorët e kësaj zone, ku ka bërë inaugurimin e rrugës së asfaltuar Berat-Sinjë, ka premtuar se shumë shpejtë nga firmat e shpimit për kërkime të naftës, do të punësohen 1000 punëtorë që do të jenë nga kjo zonë dhe nga qyteti i Beratit. Tashmë me ndërtimin e rrugës banorë që kanë braktisur shtëpitë kanë filluar të rikthehen përsëri. Por dhe unaza e rrugës që shumë shpejtë do të fillojë nga qyteti i Urës-Vajgurore, rrëzë malit të Shpiragut, ku do të dalë në qendrën e Komunës Sinjë do të përfitojnë 12 fshatra, të cilët do të tregtojnë mallrat e tyre në tregjet e Beratit e më gjerë, pasi deri kohët e fundit nga mungesa e rrugës, iu dëmtohej malli dukë mbetur stoqe. Turizmi dhe nafta do ta kthejnë këtë zonë nga një zonë e prapambetur në një zonë të zhvilluar”,- tha Sina.