Shpëtim Gjika: “Berisha t’u kërkojë falje sot vlonjatëve”

605
Sigal

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika një ditë para se në Vlorë të shkojë kabineti qeveritar me në krye Kryeministrin Berisha, deklaron se do ta presë atë, por sipas tij, kjo qeveri nuk ka asgjë të përbashkët me atë të Ismail Qemalit para 100 vitesh. 

“Në atë shtëpi më 4 dhjetor të 1912 është bërë me të vërtetë mbledhja e parë e qeverisë së Ismail Qemalit, kanë qenë 12 ministra, por përpara se të kishin portofole ministrore ishin 12 patriotë shqiptarë që sakrifikuan gjithçka nga jeta, nga benefitet për ta bërë Shqipërinë. Ndërsa sot në atë vend për fat të keq do të ulen vetëm 16 a 17 portofole qeveriste që s’kanë asgjë të përbashkët me kontributet që ka dhënë qeveria e Ismail Qemalit”, -tha ai. Gjika shton se, Kryeministri duhet t’ju kërkojë falje vlonjatëve për investimet e munguara në tetë vite, por edhe pse siç thotë ai, donte t’i zbehte Vlorës festën e Pavarësisë, për ta zhvendosur në Tiranë. “Ashtu sikurse kam ditur ta pres kryeministrin që në vitin 2005 në Vlorë, se vinte me një projekt serioz siç ishte rehabilitimi dhe përmirësimi i infrastrukturës së rrugës Transballkanike, unë do ta pres dhe nesër, në rast se në këtë mbledhje do i kërkojë falje qytetarëve të Vlorës për investimet e munguara në qytet në 8 vite. Do ta pres në rast se do t’i kërkojë falje qytetarëve dhe historisë në lidhje me dëshirën e tij të errët për të spostuar vendin dhe rëndësinë e Vlorës në 100 vjetorin e Pavarësisë. Do ta përshëndesja nëse nesër ai dhe qeveria që përfaqëson do deklarojë investime për qytetin dhe qytetarët”, tha Gjika. Gjika shtoi se flamurin e ngritur në Vlorë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë ai do ta dorëzojë në Muzeun e Pavarësisë. “Ky është flamuri që është ngritur në Vlorë më 28 Nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Do ta dorëzoj në Muzeun e Pavarësisë që 1 mijë vite më pas qytetarët të kenë mundësi ta shohin dhe ta prekin”,- tha ai.