Shpërthimi i Robert Ndrenikës: “Për Teatrin vjen era kusari!”

488
Aktori i njohur kërkon reagimin e krerëve të institucioneve dhe shoqërisë civile për të ndalur grabitjen e tokës
Aktorët janë mbledhur si çdo të hënë për të kundërshtuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave në sipërfaqen e tij. Ata kanë përsëritur kundërshtimin e tyre për projektin e qeverisë, ndërsa kanë mbrojtur idenë e një restaurimi të godinës. Aktori i njohur Robert Ndrenika ka qenë mjaft i ashpër në fjalën e tij të shkurtër. “Për mua nuk ka shumë rëndësi, nëse është apo nuk është Teatri. Këta duan tokën ta vjedhin. Duhet të flasim dhe jo vetëm ne. Pse nuk flet p.sh. ministri i Financave, të thotë edhe ai një fjalë. Edhe të tjerë, kryetari i Kuvendit, shoqëria civile, të flasin, nëse është e drejtë. Mua më tha dikush që edhe ndërkombëtarët nuk janë dakord me këtë Partneritetin Publik-Privat. Prapë po e përsëris. Të na lënë kështu siç jemi, se vemi edhe 70 vjet të tjerë. Kiço Londo ka gjetur dy ustallarë nga Maqellara dhe e ka mbajtur shumë mirë godinën. Kaq dua të them. Këtu vjen era kusari, vjen era hajdutllëk”, u shpreh Robert Ndrenika, duke nënvizuar zhgënjimin e tij me mënyrën se si po trajtohet çështja e teatrit. Gjithashtu aktorët kanë kritikuar edhe drejtorin e Teatrit, Hervin Çuli, i cili nuk u ka mundësuar që takimin e përjavshëm ta zhvillojnë brenda godinës. “Jemi në shi dhe nuk futemi dot brenda, sepse drejtori, ai që ka lëpirë 4 vjet dhe do lëpijë edhe 4 vjet të tjera, na mbylli derën”, u shpreh aktori Arben Derhemi, duke iu referuar drejtorit të rizgjedhur Hervin Çuli. Aktorët kanë shfaqur edhe një dokumentar lidhur me mbrojtjen e një teatri në Itali. 

Prej disa muajsh, aktorët vijojnë protestat e tyre, ndërsa e ardhmja e godinës së Teatrit Kombëtar mbetet e paqartë. Qeveria prezantoi një projekt, që parashikonte shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një teatri të ri. Gjithashtu, pranë tij parashikohej edhe ndërtimi i disa kullave, që do të shërbejnë për ambiente tregtare. Vetë artistët hartuan një projekt tjetër, që synon jo shembjen, por restaurimin e godinës. Gjithashtu sipas këtij projekti, dy godinat e teatrit do të lidhen mes tyre me një holl xhami. 

Çipi: “Ministre e papërgjegjshme!”
Regjisori Kastriot Çipi ka reaguar dje për gjendjen e godinës së Teatrit dhe lidhur me debatin nëse ajo duhet të shembet apo të restaurohet. “Të shtunën paralajmërova se një shembje “aksidentale” nuk mund të ndodhte në fasadën anësore të Teatrit Kombëtar, ku hyrja ishte e bllokuar me llamarina. Sot llamarinat ishin hequr. Pjesëmarrësit në protestë mundën të shohin me sytë e tyre mjerimin që ka shkaktuar një drejtor dhe një ministre e papërgjegjshme! Por lajmi i mirë është se kolonat e zbuluara pas goditjeve me mjete të forta janë aty, po aq të sigurta sa i kanë certifikuar ekspertët Niko Verdha e Forcim Softa! Kolonat do të jenë aty edhe kur shkaktarët e gjendjes do të dalin para gjyqit!”, shprehet Çipi, një ndër njerëzit më aktivë të protestës së zgjatur të artistëve në mbrojtje të godinës së teatrit. Vetëm pak ditë më parë, ai kishte akuzuar drejtorin Çuli për punimet në godinë. “Nëse ndodh një shembje aksidentale, pas thyerjes nga “degradimi” i një kolone hekurbetoni, të ndodhur në këtë anë të hollit të Teatrit Kombëtar, ndërkohë që kjo zonë është e bllokuar për publikun nga ky rrethim që duket në foto, unë akuzoj drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe ministren e Kulturës!”, ishte shprehur Çipi.
Sigal