Shpërthimet në Marinzë/ Prokuroria heton 7 drejtues administrativ të Bankers

517
Sigal

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin për 7 persona, drejtues administrativ dhe teknik të “Bankers Petroleum” dhe kompanive nënkontraktorëve të saj, si përgjegjës për shpërthimet e gazit natyror në zonën e Marinzës, të ndodhur në datën 1 prill të këtij viti.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se këta persona të identifikuar si; Leonidha Çobo, Drejtor i Përgjithshem i Bankers Petroleum; Lane Gardipee, me detyrë supervizor shpimi i Bankers Petroleum për operacionet ditore të sondës 504 ; Wayne Gaunt, me detyrë menaxher për operacionet e shpimit të BankersPetroleum; Steve Hrushka, menaxher i sondës i shoqërisë “Simmons” në pusin 5761; Mike Davy përgjegjës mbikqyr për operacionet e ekipit të shpimit, i shoqërise “Simmons”, Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary”; Tibor Vargon, inxhinjer i operacioneve të çimentimit, i shoqërisë “Rotary”, po hetohen për veprat penale “Shkatërrim i pronës” nga pakujdesia dhe “Ndotja e ajrit”.

Menjëherë pas shpërthimit të gazit natyror në zonën e Marinzës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin, në kuadër të të cilit u administruan raportet e inspektimit dhe kontrollit të disa institucioneve qendrore dhe lokale, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet konkrete mbi personat e sipërpërmendur. Ndërkohë, në vijim të hetimit, Prokuroria e Fierit është në pritje të raportit nga Drejtoria e Tatimeve, lidhur me veprimtarinë financiare të kompanisë Bankers Petroleum.