Shpërthim vullkani në malet e Gramozit, zjarri dhe tymi vijuan për dy ditë me radhë

7861
Sigal

KOLONJË/“Një vullkan shfryu në malet e Gramozit, në vendin e quajtur “Qafa e Kazanit”. Ky vullkan në fillim të shfryrjes ishte shumë i rreptë, por tani u pakësua. Ndonjë dëm material nuk ka, sepse katundet ndodhen mjaft larg. U shënuan tërmete të lehta”. Ky ishte lajmi i ditës, që gazeta “Posta e Korçës” përcolli mëngjesin e 31 majit të vitit 1921. Lajmi ishte i shkurtër, vetëm disa rreshta, por të gjithë ata që mbanin gazetën në dorë, pasi lexonin këtë informacion të shkurtër, mbeteshin të hutuar. Madje ishin të gatshëm të besonin se tashmë përveç tërmeteve, edhe vullkanet do të ishin të pranishëm në Korçë, në Kolonjë, në Pogradec e në Devoll. Kjo gjë po sillte një lloj shqetësimi tek të gjithë. Lajmi mbi shpërthimin e vullkanit ishte përhapur gjithandej. Të gjithë flisnin vetëm për këtë gjë. Gjithkush donte të dinte si kishte ndodhur, kush kishte qenë atje në momentin e shpërthimit. Redaksia e gazetës për momentin nuk kishte ndonjë informacion më shumë, veçse shpërthimin e  kishin konfirmuar edhe persona të tjerë.

Qafa e Kazanit”

Njerëzit që vinin nga Kolonja dhe Devolli e konfirmonin një lajm të tillë. Sipas tyre, shpërthimi i vullkanit ishte parë nga disa barinj, që atë çast kishin qenë duke kullotur bagëtinë mbi malet e Gramozit. Gjithçka kishte qenë e papritur. Fillimisht ishte dëgjuar një zhurmë e fortë, e ngjashme me një ulërimë, që i ngjasonte klithmës së një përbindëshi i  cili përpiqej të dilte nga thellësitë e tokës, duke shtyrë me gjymtyrët e tij dheun dhe gurët që kishte pasur mbi vete për miliona vjet me radhë. Ata kishin kthyer kokën andej dhe prisnin të shihnin se çfarë do të ndodhte. Një frikë e paprovuar më parë kishte filluar t’ u pushtonte gjithë qenien. Tmerri po u kalonte papushim në gjithë trupin e tyre. Mos vallë atë çast gjithë bota do të përmbysej?! Nuk vonoi shumë dhe një vorbull zjarri dhe tym i dendur kishte nisur të dilte nga toka, duke u përpjekur të shkonte drejt qiellit. Sa më lart ngrihej aq më shumë shpërfaqeshin krahët e vorbullës të përbëra nga hiri, zjarri dhe oshëtima. Dukej sikur gjithë vendi do të mbulohej nga kjo re e zjarrtë e jeta mbi tokë do të merrte fund. Të tilla rrëfime sillnin banorët e Kolonjës dhe Devollit, tregonin gjithçka që kishin dëgjuar nga të tjerët dhe gjithçka e rrëfenin me një shqetësim të madh. Tani e tutje, Kolonja dhe Devolli do të ishin më të rrezikuara sepse gjendeshin shumë më afër me këtë vend që quhej “Qafa e Kazanit”. Duket se jo më kot mbante këtë emër. Ndoshta qindra vjet më parë, ai do të kishte shpërthyer, ashtu siç shpërthen e gurgullon një kazan i madh i mbushur me ujë, kur e vendos mbi një zjarr të madh që përvëlon

 Po më pas çfarë ndodhi?

 Lajmi kishte qenë tërësisht i vërtetë. Nuk kishte mbetur pa u pasqyruar edhe nga gazetat e tjera: “Si një shenjë qiellore do të jetë të plasurit e një vullkani në malet e Gramozit midis karakolleve shqiptare dhe greke. Ky vullkan nuk  mbajti shumë kohë se pas dy ditë u shua , pasi nori frymë. Dëme nuk pati, po qeveria duhet të dërgojë ndonjë specialist për të analizuar këtë vullkan”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 4 qershor 1921).

Gazeta e përmendur më sipër e shihte shpërthimin e vullkanit si një ngjarje të shenjtë, si një paralajmërim që vetëm Zoti e dinte se çfarë mund të ndodhte pas kësaj. Ndoshta përsëri do të kishte luftë, por pse jo mund të vinte edhe një paqe e madhe e të mbulonte gjithë botën. Po çfarë ndodhi më pas? Kjo ishte pyetja e të gjithëve. Dhe ata që pretendonin se e kishin këtë informacionin, tregonin diçka më shumë. Fillimisht lumi prej zjarri që  kishte dalë krejt befas nga toka kishte qenë mjaft i fuqishëm. Toka kishte shfryrë me gjithë mushkëritë e saj, me një gulçimë rënkimi për të nxjerrë nga brendësia e trupit të vet diçka që nuk e dëshironte ta mbante më brenda vetes. Që të gjithë rrëfimtarët pohonin se për dy ditë me radhë malet e Gramozit ishin shndërruar në llahtar e frikë. Më pas, vendin e zjarrit e kishin zënë grumbuj avujsh që dilnin herë pas herë. Për shkak të tmerrit që kishin provuar, nuk ishin në gjendje  t’ i afroheshin më shumë dhe të shihnin çfarë po ndodhte. Rrëfimi i tyre i mëtejshëm ishte: gjithçka u qetësua, vetëm kur vorbulla e zjarrit doli tërësisht nga barku i tokës, fuqia e tij u bë më e pakët pas dy ditësh. Më pas njerëzit kishin parë të dilte një shtëllungë tymi dhe pas kësaj gjithçka kishte përfunduar me një heshtje të plotë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Barinjtë kishin vendosur të qëndronin edhe për një farë kohe larg tij dhe vetëm kur të bindeshin se e kishin harruar frikën që kishin provuar, mund të shkonin drejt atij vendi ku toka u ça për të vjellë kuçedrën me gjymtyrë zjarri dhe tymi. Megjithatë që nga ajo ditë e deri më sot përbindëshi ka qenë në një gjumë të thellë e nuk po ndihet. Nuk i dihet se deri kur!

                                                                                      Vepror Hasani