Shpërthen nafta edhe në malin e Shpiragut

2522
Sigal

BERAT/ Shpimet e kryera nga firma kanadeze “Shella”, rezultuan pozitive në fshatin Mbolan. Pusi ruhet me roje

Tanimë nafta nuk do të jetë vetëm në qytetin e Kuçovës, e cila njihet si zonë naftëmbajtëse, por edhe në malin e Shpiragut. Shpimet e fundit kanë rezultuar pozitive dhe në zonë ka dalë nafta e parë. U bën gati 10 vjet që zona e Shpiragut është vënë në shënjestrën e të huajve, që janë specialistë në nxjerrjen e naftës. Për herë të parë shpimet për naftë kanë nisur në fshatin Mbreshtan nga një firmë e huaj, e cila zbuloi nga thellësia naftë, por pusi u mbyll nga firma, për arsye që ende nuk dihen dhe prej vitesh ruhet me roje. Por gama e kërkimeve për naftë vazhdoi në rrëzë të malit, pikërisht në fshatin Mbolan nga një firmë kanadeze, e njohur me emrin “Shella”. Kjo firmë ka më shumë se tre vjet që kryen punimet e saj në këtë zonë. Sipas burimeve brenda firmës bëhet e ditur për gazetën “Telegraf” se, “rezultati u arrit dhe janë zbuluar shtresat e naftës”. Gjithashtu, burimi ynë, tregon se pranë kantierit kanë mbërritur pajisje të ndryshme me dimensione të mëdha dhe i gjithë vendi rreth e qark pusit ruhet me roje. Por kjo zonë përveç naftës, njihet për pasuritë që ka edhe në mineralet e çmueshme dhe sipas burime, jo zyrtare bëhet e ditur se gjatë shpimeve për naftë janë zbuluar edhe minerale të tilla. Kërkimet për naftë janë shtrirë edhe në malin Partizanë në qytetin e Beratit. Helikopterët vazhdimisht çojnë aparatura të ndryshme, por deri tani ende nuk ka dal ‘ari i zi’.

Punësimi

Në një vizitë të kryer nga ish- kreu i qeverisë Sali Berisha në këtë zonë, ku kryejnë veprimtarinë këto firma të huaja, por dhe nga statistikat thuhet se, së shpejti do të punësohen në këtë zonë 1000 punëtorë, të cilët do të kryejnë punë të ndryshme si specialistë, punëtorë, inxhinierë etj.. Në këtë rast vlen të theksohet se, deri tani një numër i lartë punëtorësh janë punësuar, duke punuar në hapjen e rrugëve dhe shtrimin e tyre. Rrugët në disa degëzime do të shërbejnë për të lidhur zonat me njëra-tjetrën. Burimet bëjnë të ditur se, shumë shpejtë do të fillojnë edhe shpimet e tjera në këtë zonë nga firmat e huaja, të cilat do të fillojnë shumë shpejtë nga puna. Prioritet për t’u punësuar u është dhënë fillimisht banorëve të zonës e më pas atyre nga qyteti. Si rrjedhojë këto firma u kanë dhënë hapësirë punësimit dhe kjo zonë tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi.

Shpiragu turistik

Përveç shtresave naftëmbajtëse dhe minerale të ndryshme, kjo zonë ka dhe resurset e një turizmi malor. Shpiragu, në çdo stinë ka bukuritë e veta. Mali ka ngjyrë të murrme në stinën e dimrit, madje, ai ka dhe 24 brinjë gjigande, ku çdo brinjë ka një histori të veçantë. Aty ka edhe shumë shpella që turistët e shumtë impresionohen nga historitë e tyre. Kështu era e sherebelit dhe ngjyra rozë e tij, shpellat gjigante, kalatë, historia e Sinjës dhe asfaltimi i rrugës ka bërë që kjo zonë të mbi popullohet me banorë dhe turistë të shumtë vendas dhe të huaj. Shuma familje të kësaj zone i kanë kthyer banesat e tyre dykatëshe karakteristike, në hotel për turistët. Djathi i dhisë, mishi në hell dhe gatimet interesante ia kanë shtuar akoma më shumë numrin e vizitorëve.

Minerale të tjera

Burimet, jo zyrtare, por tepër të sigurta bëjnë të ditur se, përveç shtresave të naftës që tashmë ekzistojnë, në këtë zonë ka edhe minerale të tjerë të çmueshme, të cilat janë zbuluar nga analizat e kryera nga këto firma të huaja, por se për çfarë mineralesh bëhet fjalë është mbajtur shumë sekret