Shpërndarës droge nga Tirana në Durrës,  çdo ditë sjellin mallin me linja treni dhe urbani

582
Sigal

Një metodë e re ka nisur në tregtinë e “mallit” dhe shpërndarjen e tij nga kryeqyteti drejt Durrësit. Sipas një burimi policor mësohet se “çdo ditë rreth 20 apo 25 shpërndarës mosha 16 deri 18 vjeç nisen me linjat e rregullta të autobusëve apo trenave duke kryer në mënyre perfekte misionin e tyre të shitjes së drogave në lloje të ndryshme duke nisur nga cigaret e hashashit e duke përfunduar në pluhurin e kuq apo të bardhë dhe kjo në pika të veçanta të qytetit si ish-sheshi buzë detit tek  shëtitorja “Vollga”, apo edhe në ambiente rreth shkollave të mesme në qytet dhe Shkozet”. Alarmin e ka dhënë  për “Telegraf” një prind i cili kishte zbuluar prej disa ditësh grupin e të rinjve dhe axhendën e tyre, duke u nisur nga Tirana qysh herët në mëngjes e duke u kthyer pas orës 16:00 drejt kryeqytetit me xhepat të mbushur me para nga shitja e drogës. I njëjti burim policor tha për “Telegraf” se, “jemi në dijeni të këtyre grupimeve ndaj kemi nisur organizimin e aksioneve nga ana jonë duke kryer edhe kontrolle në linjat me Tiranën, kemi të evidentuar disa prej tyre”. Duket se tregu i shitjes së drogave ka gjetur terren në qytetin bregdetar me anë të një forme krejt të re. Tregtarët e dozave synojnë shitjen në sekserët e tyre në Durrës, apo duke bashkëpunuar  për të gjetur klientë në zonat ku shtrihen shkollat e mesme, apo edhe në Shkozet ku ka përqendrim të institucioneve shkollore. Shitja e tyre varijon sipas llojit të drogës dhe cilësisë saj. Prindi, i cili ka dy fëmijët e tij në një nga gjimnazet e Durrësit ka vënë alarmin në Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Policisë Durrës, duke gjetur gjithsesi mbështetjen maksimale vetëm tek uniformat blu. Sipas tij, në gjimnaze ekziston një neglizhencë totale, duke pasur frikë nga zbulimi që mund t’u bëhen grupeve te tilla të përdoruesve dhe konfliktit me tyre dhe personelit të shkollave. Një konflikt i tillë vjet ka qenë me pasoja të rënda për një nga shkollat e qytetit dhe familjen e një prej përdoruesve të drogës. Pikërisht ai nxënës i vitit të tretë, blinte çdo javë drogë tek shitësit e helmit të bardhë në nga lokalet e bregdetit, gjë, e cila kishte vënë në vështirësi serioze ekonomike familjen e tij. Kjo ishte bërë shkak për debatet dhe denoncimin e tij në polici nga prindi dhe mësuesi kujdestar”. Histori të tilla në gjimnazet e qytetit bregdetar ka me dhjetëra, aq sa mësuesit shprehen se, “e dimë se pas mureve vijnë shpërndarës dhe shitës drogash që blihen nga nxënësit  por nuk kemi forcën e duhur t’i bëjmë ballë”. Situata tronditëse kërkon masa urgjente nga stafet e shkollave dhe jo përgjumje  nga eprorët e tyre. Rinisja e ritualit të vjetshëm të shitësve të helmit të bardhë, duket se edhe këtë vit të ri arsimor ka gjetur shtratin e duhur  duke paralajmëruar situata dramatike në ambientet shkollore dhe ato familjare.