Shpërdorimi i ujit në Shkodër, Kepi: 70% nga lidhjet e paligjshme

636
Shpërdorimet e ujit në qytetin e Shkodrës kryesisht nga bizneset e ndryshme siç janë lokalet e thjeshta, restorantet e aq më tepër edhe lavazhet po kthehen në një problem shqetësues. Po ashtu jo pak edhe vetë qytetarët me ujin që furnizohen nga ujësjellësi e shpërdorojnë duke lagur oborret apo tokat e tyre. Lidhur me këtë problematikë ditët e fundit prefekti i Qarkut Shkodër Paulin Radovani zhvilloi një takim në bashkinë Shkodër ku përveç drejtuesve të kësaj bashkie mori pjesë edhe vetë drejtori i ujësjellësit Leonard Kepi. Pas këtij takimi prefekti Radovani u shpreh qartë se tashmë nuk do lejohet më shpërdorimi i ujit në Shkodër dhe se ndërmarrja e ujësjellësit përmes 5 grupeve të punës dhe me mbështetjen e policisë do të ndërmarrë aksione e po ashtu edhe masa konkrete për shpërdoruesit. Prefekti i Shkodrës la të kuptohej se mund të ketë edhe procedime penale edhe pse dëshira e tij nuk është kjo. “Problem këto ditë në Shkodër është uji i pijshëm. Rrugës humbet rreth 70% e sasisë së ujit që duhet të furnizojë qytetarët. Kjo nga lidhjet e paligjshme dhe po ashtu edhe ajo sasi uji që futet në qytet ka përfunduar në lavazhe, lokalet freskojnë pllakat e pedonales dhe banorët e qytetit nuk kanë ujë. Pra harxhohet ose shpërdorohet uji me bollëk. Ne kemi rënë dakord që të ngrihen disa grupe pune nga ndërmarrja e ujësjellësit dhe do të mbështeten nga policia dhe do nisin që me lavazhet, lokalet por edhe lidhjet e paligjshme” – tha prefekti i Shkodrës.
Sipas Radovanit qëllim nuk është dëmtimi i bizneseve por tregon se askush nuk ka të drejtë ta shpërdorojë ujin e pijshëm. “Qëllimi nuk është për të bërë raprezalje, nuk është për t’u sjellur keq me kënd as për t’i mbyllur ndokujt biznesin por ndërkohë që janë harxhuar miliona euro për ujësjellësin e Shkodrës kërkush nuk ka të drejtë që ta shpërdorojë ujin e pijshëm. Nuk është e drejtë që qytetarët të mos kenë ujë në banesa ndërsa të tjerët të lagin trotuaret, pllakat e pedonales apo lavazhet të lajnë makinat. Nuk duam që të arrijmë deri në atë gradë që ndokush ndoshta ta ndjejë veten të ndaluar apo prceduar penalisht” – shprehet prefekti Radovani. Më tej prefekti i Shkodrës thotë se një detyrë të rëndësishme ka edhe drejtoria rajonale e tatim-taksave me lavazhet për t’i regjistruar ose për t’i mbyllur menjëherë ndërsa konfirmon se tashmë qeveria pas aksioneve për energjinë elektrike do nisë edhe me ujin e pijshëm. “Janë bërë disa ndërhyrje por ende nuk është gjetur zgjidhja përfundimtare për ujin e pijshëm në Shkodër ku ish-komuna Rrethina ku kalojnë tubacionet që furnizojnë Shkodrën duhet të ketë një rrjet veçmas për furnizim dhe Shkodra ta ketë veçmas. Një porosi ka edhe drejtoria e tatim-taksave që në rastet kur konsiston lavazhe të jashtëligjshme duhet t’i mbyllë menjëherë. Duhet të jeni të sigurtë se pas aksioneve për energjinë elektrike në Shqipëri do të nisin kontrollet për ujin e pijshëm” – ka përfunduar prefekti i Shkodrës. Tashmë ajo që mbetet për t’u parë është se sa efektivitet do të kenë 5 grupet e ndërmarrjes së ujësjellësit qytet dhe se a do të arrihet që të minimizohet ashtu siç është vendosur shpërdorimi i ujit të pijshëm në qytetin e Shkodrës. 
Sigal