Shpenzimet e larta të fundjavës për zgjedhjet çojnë euron në pikiatë

529
Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u konstatua një qarkullim i lartë në valutë, që u reflektua në tregun zyrtar ditën e sotme, kur u hapën bankat, me një rënie të fortë në tregjet e këmbimit valutor argumentojnë ekspertët…
Pas tre ditësh pushimi zyrtar, por që kanë qenë mjaft aktive sepse përkuan me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme 2017, tregjet valutore janë hapur me një forcim të ndjeshëm të monedhës vendase dhe rënie të fortë të të gjithë valutave pa asnjë përjashtim.
Euro ka pësuar një tjetër zhvlerësim të fortë në tregun vendas. Monedha e përbashkët këmbehej sot me 131.98 lekë, 0.24 lekë më pak se fundi i javës së kaluar, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Nënçmimi i euros ka tërhequr poshtë të gjitha monedhat e tjera, duke qenë se euro në tregjet ndërkombëtare është forcuar përkundrejt dollarit duke kapur nivelet më të larta të këmbimit që nga shtatori i vitit të shkuar. Si rrjedhojë, ky dobësim i euros ka ndikuar në zhvlerësimin e të gjitha monedhave të tjera, duke ruajtur raportin e këmbimit të euros me shportën e monedhave kryesore në bursë.
Sipas ekspertëve të kursit zgjedhjet kanë qenë shkaku kryesor i nënçmimit të euros, e cila po këmbehet në nivelet më të ulëta që nga fundi i gushti të 2009-ës, kur këmbehej më 131 lekë. Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u konstatua një qarkullim i lartë në valutë, që u reflektua në tregun zyrtar ditën e sotme, kur u hapën bankat, me një rënie të fortë në tregjet e këmbimit valutor argumentojnë ekspertët.
Dollari, paundi britanik dhe jeni japonez janë zhvlerësuar në tregun vendas me më shumë se 1 lek.
Nga fillimi i qershorit euro është zhvlerësuar me 2.2 lekë dhe ekspertët parashikojnë se euro do të vijojë të zhvlerësohet me shtimin e fluksit të turistëve dhe rikthimin e emigrantëve në vend.
Euro ka pasur një vit të dobët në Shqipëri. Rënia e monedhës së përbashkët në tregun vendas nisi që vitin e kaluar ndikuar edhe nga zhvlerësimi që po pësonte euro në tregjet ndërkombëtare (një vit më parë referendumi në Britani dobësoi euron dhe paundin). Megjithatë monedha e përbashkët e rimori veten në tregjet ndërkombëtare.
Në zhvlerësimin e mëtejshëm të euros në Shqipëri vepruan faktorë të brendshëm. Në të njëjtën datë, një vit më parë euro këmbehej 5.5 lekë më shumë se sot, me 137.19 lekë. Sipas ekspertëve faktorë që zhvlerësuan euron, përveç investimeve të huaja si TAP, ishin dhe aktivitetet e jashtëligjshme që rritën ofertën në valutë ën tregun vendas./Monitor/
Sigal