Shpendi Topallaj/ E paharruara, shkolla e lavdishme “Skënderbej”

1095
Sigal

Në 74-vjetorin e krijimit të saj, asnjeri nuk është i sigurt se kush ia shtiu ndërmend udhëheqjes së sapodalë nga lufta nacional – çlirimtare që të krijonte shkollën e pionierëve të Luftës, më 28 mars të vitit 1945, kryesisht me djem që ende nuk e kishin lëshuar armën nga dora. Po ashtu nuk dihet mirë se kush u kujtua pak më pas, pra më 11 shkurt të vitit 1947, ta quajë atë shkolla ushtarake “Skënderbej” dhe vetë nxënësit që mësonin atje, skënderbegas.

E sigurt, pas kaq e kaq vitesh është se ajo ka qenë një nga punët më të zgjuara të asaj periudhe, pasi ajo shkollë, duke u vënë në krye të gjerdanit të artë të ushtrisë tonë të re, e përligji besimin, kujdesin, vëmendjen dhe shpenzimet që u bënë nga populli ende shumë i varfër, duke u rreshtuar pa asnjë mëdyshje edhe në pararojë të historisë së lavdishme të arsimit shqiptar. Me kalimin e viteve dhe vështirësive të panumërta, ajo erdhi duke u forcuar e konsoliduar si nga ana ekonomike, baza materiale dhe ajo didaktike, perfeksionimi i taktit pedagogjik të oficerëve komandues e personelit mësimdhënës, përzgjedhja e atyre që do të studionin atje, pra krijimit të kushteve të një shkolle moderne, por edhe në kalimin e saj në një shkollë të mesme të arsimit të përgjithshëm, me programet e miratuara nga e njëjta ministri Arsimi si të gjitha simotrat e saj.

Fjala “ushtarake” që shpesh konfondohet, ka një konotacion krejt tjetër nga ai që përfytyrohet, pasi ajo përveç uniformës, rregullit e disiplinës dhe kontingjentit që përgatiste për t`i çuar në të ardhmen kryesisht në shkollat ushtarake brenda dhe jashtë vendit, ku do aftësoheshin si oficerë që do të merrnin në dorë drejtimin dhe komandimin e reparteve të ndryshme të të gjitha llojeve dhe armëve, në asgjë nuk dallonte nga ato të arsimit të përgjithshëm. Natyrisht, që kishte dhe disa avantazhe të tjera, si studimi i organizuar, serioz dhe i kontrolluar pasditeve, mundësia e kalitjes fizike, marrja me të gjitha llojet e sportit nën mbikëqyrjen e trajnerëve dhe mësuesve tejet të kualifikuar, plot pasion e përvojë, e kombinuar me edukimin atdhetar, qytetar dhe kulturor. Libri artistik që kalonte dorë më dorë, u bë për skënderbegasit i shenjtë.

Aty mësuam jo vetëm jetën dhe bëmat e kapedanëve të mëdhenj, ku pa tjetër hynte edhe Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, por edhe autorët më në zë të botës, për të mos thënë se i mësuam përmendësh krijimet më të arrira të poetëve gjenialë. Kjo është dhe arsyeja, përse miqtë më të mirë dhe më të dashur të tyre ishin sportistët, artistët dhe shkrimtarët. Dhe vetëm këtu e gjen shpjegimin fakti që nga dyert e kësaj shkolle, përveç oficerëve të kulturuar e gjeneralëve të zot në të gjitha llojet e armëve , dolën një pafundësi poetësh, prozatorësh, dramaturgësh, këngëtarësh, valltarësh, shkencëtarësh, mjekësh dhe sportistësh elitarë, shumë prej të cilëve janë laureuar me tituj të ndryshëm dhe bëjnë pjesë te lavdia dhe krenaria e Shqipërisë.

Me këtë shkollë janë të lidhur shumë nga emrat e kthyer tashmë në legjendë të cilët gjithë jetën shprehën respektin dhe dashurinë më të madhe për skënderbegasit dhe dhanë vlerësime nga më të lartat për atë shkollë. Dhe kishin plotësisht të drejtë, pasi nxënësit e asaj shkolle edhe kur u caktuan në detyra të ndryshme anë e kënd Atdheut si kuadro të të gjitha rangjeve, u dalluan për vlera të padiskutueshme njerëzore, besnikëri e atdhetari, edukatë e thjeshtësi në marrëdhëniet me të tjerët, dashuri për shokët, shpirt të madh sakrifice, këmbëngulje në realizimin e detyrave, vullnet në kapërcimin e vështirësive, trimëri e qartësi kur e lypnin interesat e Shqipërisë.

Kur ndryshimet e domosdoshme politike sollën suprimimin e shkollës tonë, gjë që ndodhi pas vendimit Nr. 3 dt, 14. O8.1992 dhe lëshimit të urdhrit Nr. 159 dt. 25.08.1992 të Ministrisë të Mbrojtjes, natyrisht që u hidhëruam. Ndiheshim bijtë e saj. Ne kishim shumë e shumë kujtime e mirënjohje për të, ndaj dhe e përjetuam keq atë mbyllje. E dinim fare mirë kontributin që ajo kishte dhënë, pasi prej saj dolën mijëra e mijëra kuadro besnike të atdheut, nga të cilët mbi njëqind mbanin tituj të lartë shkencor dhe përsëri mbi një qind, u bënë Mjeshtër dhe Mjeshtër të Mëdhenj Sporti që i dhanë emër Shqipërisë edhe në arenat ndërkombëtare.

Prandaj kjo nostalgji për të ishte e kuptueshme dhe tërësisht njerëzore. Pastaj, ne as që i mendonim kuadrot e ushtrisë pa kaluar në bankat e kësaj shkolle. Mirëpo, hapja e domosdoshme e jona drejt Evropës, politikat e reja të mbrojtjes dhe futja e Shqipërisë në NATO, modernizimi dhe krijimi i një strategjike të re në pajtim me synimet e aleatëve perëndimorë me në krye SHBA- në, morën rrjedhë tjetër. Efektivat e ushtrisë, të reduktuara në maksimum, mundet që e bënë të pa nevojshme mbajtjen e asaj shkolle, madje edhe të shkollave të oficerëve dhe akademinë ushtarake.

Në këto kushte s`na mbetej tjetër, veçse shoqatës “Skënderbegasi” që kishim krijuar, t`i jepnim karakter koomemorativ. Pra të mblidheshim, të evokonim ngjarje dhe personalitete të shquara që kishin lidhje me atë shkollë, të çmalleshim me njeri – tjetrin dhe të mos harronim kurrë se atje u mbrujtëm me virtytet më të mira dhe morëm mësimet themelore për t`i shërbyer Atdheut me nder. Dhe sidomos, edukimin e anëtarëve me mendimin e ri se interesat e atdheut tonë, tani ishin orientuar drejtë dhe jo të kushtëzuara nga ideologjitë e dështuara aventureske dhe vasaliteti.

Fundja, kështu edhe kthenim në një fare mënyrë detyrimin që kishim ndaj vendit dhe asaj shkolle. Mjaft të përmend faktin se Shtatmadhorinë e Ushtrisë shqiptare sot dhe shumë nga formacionet e saj me mision jashtë vendit, i drejtojnë me sukses të plotë ish skënderbegasit e dikurshëm. Kush i ndjek nga afër këto veprimtari, sidomos ato të 28 Marsit, ditës së krijimit të shkollës tonë, duke parë pjesëmarrjen e pashembullt, entuziazmin e paplakur të ish nxënësve të saj, sytë e qeshur të atyre burrave tashmë të moshuar që shkëlqejnë me një ndriçim rinor dhe besim në të ardhmen demokratike të popullit tonë të vuajtur, dashurinë e pashuar për njeri – tjetrin dhe krenarinë që ende quhen skënderbegas, bindesh se ajo shkollë nxori bijtë më të mirë të Atdheut tonë.

Dhe duhet theksuar se një rol të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e kësaj shoqate, luan kryetari energjik, doktori i shkencave Mikado Shakohoxha i cili me mençurinë, urtësinë dhe modestinë e tij, ka bërë që kjo shoqatë të ruajë të paprekur reputacionin që me të drejtë gëzon. Ne skënderbegasit vijmë me kokën lart para Atdheut në këtë përvjetor, pasi gjithmonë i kemi shërbyer dhe jemi gati t`i shërbejmë me besnikëri vendit e popullit tonë, ashtu siç thoshte poeti i famshëm rus, A. Pushkin te “Çadajev” dhe që gjithë kënaqësi e deklamonim dikur korridoreve të shkollës tonë:

Gjersa me nder të rrojmë mbi dhe

E për liri ne të luftojmë

O miku im veç për Atdhe

Çdo çast ne duhet të mendojmë.