Shoqata: Të gjitha ndryshimet në statusin e ri të dëshmorit

1212
Shoqata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ dhe ajo e Dëshmorëve të Atdheut, nëpërmjet një projektligji, dërguar institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, kërkojnë rishikimin e ligjit Nr. 8607 dt. 27.04.2000, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, të ndryshuar. Më poshtë pa japim propozimet e dy shoqatave për këtë projektligj. Mbi disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8607, dt. 27.04.2000, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, të ndryshuar .Pas nenit 1 të ligjit për statusin shtohen; neni 1 e 2.

Neni 1: Dëshmori është figura më e lartë e popullit dhe e Atdheut, gëzon mbrojtje të veçantë ligjore.
Neni 2: Statusi i Dëshmorit të Atdheut nuk u njihet ose u hiqet personave që janë dënuar ose dënohen me Vendim të Gjykatës të formës së prerë për krime lufte, për bashkëpunim me pushtuesit nazifashistë ose për veprimtari agjenturore kundër interesave të Atdheut.
Pas nenit 2 të ligjit për Statusin shtohet: Neni 3: Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut është e pavarur dhe mbron veprën e dëshmorëve, të të gjitha kohërave, simbolet, të drejtat ligjore të tyre e të familjarëve, si dhe i përfaqëson ato në organet shtetërore dhe gjyqësore. Organizata e Dëshmorëve të Atdheut gëzon përkrahjen sociale dhe materiale të Shtetit dhe financohet nga buxheti.
Neni 4: Neni 13 ndryshohet si më poshtë: Dëshmori i Atdheut dhe familja e tij gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ato përfitojnë pension familjar dhe beneficione (përfitime) të veçanta të parashikuar nga ligji. 
Neni 5: Neni 14 ndryshohet si më poshtë: Anëtarët e familjes të dëshmorit të Atdheut përfitojnë pension familjar për dëshmorin, sipas kushteve të parashikuara nga neni 40/1 i Ligjit Nr.7703 dt.15.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Në rrethin e familjarëve bëjnë pjesë: bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët, mbesat e nipërit; të adoptuarit; prindërit, prindërit e prindërve (gjyshërit), adaptuesit, vëllezërit e motrat, njerku e njerka e dëshmorit. 
Neni 6: Pas nenit 40 të Ligjit Nr. 7703, dt.11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, shtohet neni 40/1 me këtë emërtim dhe përmbajtje.
Neni 40/1: Pensione familjare të dëshmorëve të Atdheut. Pensione familjare përfitojnë edhe pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve të Atdheut.
1. Bashkëshorti ose bashkëshortja e dëshmorit të paaftë për punë ose kanë mbushur moshën burri 60 vjeç dhe gruaja 50 vjeç. Bashkëshorti ose bashkëshortja humbin të drejtën e pensionit familjar për dëshmorin kur rimartohen.
2. Prindërit, prindërit e prindërve (gjyshërit), adoptuesit, njerku e njerka e dëshmorit kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, që jetojnë në të njëjtën familje me dëshmorin dhe kanë mbushur moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë ose nën këtë moshë kur janë të paaftë për punë.
3. Fëmijët e dëshmorit dhe të adoptuarit nën moshën 18 vjeç dhe deri në moshën 25 vjeç kur kryejnë studimet e larta ose janë të paaftë për punë para se të arrinin këtë moshë.
4. Mbesat e nipërit e dëshmorit kur janë në ngarkim të tij, bënin pjesë në të njëjtën familje dhe janë nën moshën 18 vjeç ose deri 25 vjeç nëse vazhdon studimet për shkollën e lartë ose është bërë i paaftë para se të arrijë moshat e mësipërme.
5. Vëllezërit e motrat e dëshmorit përfitojnë pension familjar kur janë nën moshën 18 vjeç dhe deri në 25 vjeç kur vazhdojnë studimet për shkollën e lartë dhe nuk kanë prindër të aftë për punë dhe janë në kujdestari të dëshmorit të Atdheut. Familje dëshmori është ajo familje që i ka dhënë Atdheut një ose më shumë dëshmorë. Pensionin familjar të dëshmorit të Atdheut e përfitojnë pjesëtarët e familjes pasi Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut e i ka njohur dëshmorit Statusin. Pension familjar i dëshmorit të Atdheut është i barabartë me pagën referuese të dëshmorit në çastin e rënies së tij.
Neni 7: Pas nenit 41 të ligjit Nr. 7703, dt. 11.05. 1993 (shuma e pensionit) “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të shtohet Neni 41/1 “Shuma e pensionit”: “Shuma e pensionit familjar të dëshmorit të Atdheut përfitohet në vlerën 100% të pagës referuese të tij në çastin e rënies dhe jepet në masën 50% për bashkëshortin ose bashkëshorten dhe 50% për fëmijët dhe personat e tjerë që e përfitojnë”. 
Neni 8: Beneficione të veçanta. Varësisht nga Statusi i Dëshmorit të Atdheut, familjarët përfitojnë dhe beneficione (përfitime) të veçanta, të cilat janë. a) Përparësi në punësim e gëzojnë familja e ngushtë e dëshmorit ; b) Përparësi për strehim familjarë do të ketë familja e ngushtë e dëshmorit; c) Tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike për nevoja personale në rast të gjendjes së rëndë ekonomike kur i plotëson kriteret e skemës së asistencës sociale është e drejtë që i gëzon familja e ngushtë e dëshmorit të Atdheut’ ç) Lirimi nga pagesa e taksave gjyqësore, administrative dhe publike e përfitojnë anëtarët e familjes së ngushtë të dëshmorit të Atdheut’ d) Përparësi në regjistrimin dhe pranimin në institucionet arsimore publike e kanë të drejtë ta realizojnë anëtarët e familjes së dëshmorit të Atdheut; dh) Lirimi nga pagesat administrative për shkollimin në Universitet Publik, si pagesa e bursës, pagesa vjetore e shkollimit dhe vendosja në konvikte pa kompensim, e gëzojnë familja e dëshmorit të Atdheut’ e) Përkujdesjen shëndetësore primare, sekondare dhe shërbime falas të realizuara në institucionet shëndetësore publike e përfitojnë familjet e dëshmorit të Atdheut; ë) Përfitojnë falas barnat për sëmundjet kronike sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave nga familja e ngushtë e dëshmorit të Atdheut.
Neni 9: Anëtarët e familjes së ngushtë të dëshmorit në kuptim të nenit 8-të të këtij ligji janë bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët dhe prindërit. Ndërsa anëtarë të familjes së dëshmorit të Atdheut janë edhe vëllezërit e motrat, fëmijët e fëmijëve, fëmijët e adoptuar, prindërit e prindërve (gjyshërit), njerku e njerka.
Neni 10: Disa përmirësime të tjera: Në nenin 3 paragrafi 3, fjalët: “përfaqësues të shoqërisë civile”; të zëvendësohet me fjalët: “Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ”-it; 2. Neni 4, paragrafi i parë “shoqëria civile” të zëvendësohet me fjalët “Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ-it; 3. Në nenin 15, rreshti i parë fjalët “Shoqatat e tyre” të zëvendësohen me fjalët “Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut” dhe në rreshtin e dytë pas fjalëve “Këshilli i Ministrave” të shtohen fjalët në organet gjyqësore, si dhe në rreshtin e tretë pas fjalëve “përkujtimore, etj”, të shtohen fjalët “vënien para përgjegjësisë ligjore të personave fajtorë”.
Neni 11: Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
Neni 12: Shfuqizohen nenet 4 e 5 të ligjit Nr. 9650 dt. 27.11. 2006.
Sigal