Shoqata Shqiptare e Bankave falënderon autoritetet shtetërore që bënë të mundur arrestimin e autorëve të grabitjes në Rinas

477
Shoqata Shqiptare e Bankave në një njoftim për shtyp falenderon Ministrinë e Punëve të Brendshme për zbulimin dhe arrestimin e gjashtë autorëve të grabitjes së eksortës e cila transportonte vlera monetare në rrugën e Rinasit.
Deklarata e plotë
“Shoqata Shqiptare e Bankave, si gjithë opinioni publik, u njoh me komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 14 shkurt mbi zbulimin dhe arrestimin e katër prej gjashtë autorëve të aktit kriminal të grabitjes së eskortës që transportonte vlera monetare në datën 9 shkurt në rrugën drejt Rinasit.
Shoqata Shqiptare e Bankave, në mbështetje të plotë të strukturave përgjegjëse të shtetit, falënderon publikisht autoritetet shtetërore që bënë të mundur arrestimin e autorëve të këtij akti brenda një kohe mjaft të shkurtër. Kjo është përgjigja e denjë që Drejtoria e Policisë i jep çdo keqbërësi dhe krimineli. Gjetja e autorëve është një inkurajim i madh për forcën e policisë jo vetëm për industrinë bankare, por për të gjithë ekonominë dhe shoqërinë, një sinjal dhe mesazh pozitiv dhe i mirëpritur edhe për të gjithë partnerët, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit tanë përtej kufijve.
Arrestimi i autorëve dekurajon elementin keqbërës. Kjo forcë zbuluese dhe eficiente, e koordinuar dhe plotësuar edhe me rregullimet e tjera ligjore nga institucionet përgjegjëse dhe të gjithë aktorët pjesëmarrës në transportimin e vlerave monetare, është përgjigja më e mirë dhe rruga e duhur për të mos lejuar përsëritjen e këtyre akteve në të ardhmen.
Shoqata Shqiptare e Bankave, duke falënderuar dhe përgëzuar sinqerisht Ministrinë e Punëve të Brendshme për këtë arritje dhe duke mbështetur institucionet shtetërore në eficencën e punës së tyre, siguron mbështetjen dhe kontributin e saj në përmirësimin e situatës dhe rritjes së sigurisë. Sektori bankar është i shëndetshëm, i sigurt dhe do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë.”
Sigal