Shoqata “Labëria” ka sjellë risi, duke e pasuruar aktivitetin e saj patriotiko-kulturor

211
Sot në Muzeun Kombëtar, 26-vjetori i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”
Në emër të Kryesisë së shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit”, në cilësinë e kryetarit të shoqatës, me rastin e 26-vjetorit të krijimit të saj ndihem i privilegjuar t’iu përcjell urimet më të sinqerta Labeshave dhe Lebërve, siç i quante Noli i madh, kudo ku janë, brenda dhe jashtë vendit. Bashkë me ditëlindjen e shoqatës, duke filluar nga data 12 Dhjetor 1991, shoqata jonë ka pasur si pjesë identitare të saj, Labërinë. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Historia heroike e Labërisë, dëshmon më së miri vetë rrugëtimin e saj në vite e shekuj. E tillë është edhe historia e shoqatës sonë, që nga dita, kur sistemi ndryshoi e deri me sot, ajo ka qenë gjithnjë në frontin e parë të përpjekjeve për të normalizuar të gjitha krizat që ka kaluar vendi ynë. Ajo, është angazhuar në të gjithë spektrin e situatave të vështira për t’iu qenë pranë lebërve për atdhetarizëm dhe kulturë. Që nga dita e krijimit, shoqata “Labëria dhe njerëzit e saj, kanë përjetuar me shqetësim gjithçka që ka përjetuar dhe shoqëria shqiptare. Rrugëtimi i shoqatës fillon me fundin e monizmit, për të vijuar me ngjarjet e vitit 1997, me ringritjen e saj, por edhe duke u bërë faktor në të gjitha ngjarjet dhe evenimentet e shoqërisë shqiptare, duke ngritur fuqishëm zërin për probleme madhore të vendit. Shoqata “Labëria” u krijua në kohën e shembjes totale të shtetit, fitoi fizionomi në kohën pas ngjarjeve të vitit 1997, sikurse u konsolidua si shoqatë hap pas hapi me Kuvendet e saj në Tiranë, në Vlorë, në Himarë, në Kuç dhe në kuvendin e Pestë në Gjirokastër. Tashmë shoqata ka krijuar përvojën dhe ka fituar opinion në mbarë shoqërinë shqiptare, madje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Shoqata ka qenë pranë komunitetit lab dhe ka ngritur në vijimësi probleme, ashtu si dhe ka evidentuar trashëgiminë e pasur historike, atdhetare, kulturore e shpirtërore të Labërisë dhe të bijve e bijave të saj. Kontributi i saj në këto vite është jo vetëm i pazëvendësueshëm, por që ende kërkon respekt, konsideratë, mirënjohje të veçantë dhe kujdes në rritje. Këto vlera të shoqatës nuk kanë ardhur për një ditë, por është një trashëgimi e një kontributi që është dhënë gjatë gjithë viteve të jetës së saj, duke i ngjitur shkallët suksesshëm në tërë veprimtarinë 26-vjeçare, qysh nga Kuvendi i Parë me kryetar Halil Qendron dhe sekretar Xhemil Çelin, dhe nën kryetarët Enver Guga, Maliq Lila, Dasho Matodasho, që edhe pse nuk jetojnë më ata e kanë emrin në faqen e ndritur të historisë së Shoqatës “Labëria”. Nga njëri vit në tjetrin, Shoqata “Labëria” ka sjellë risi, duke e pasuruar aktivitetin e saj patriotiko-kulturor. Ka treguar në vazhdimësi një sensibilitet të shprehur për çështjet kombëtare. Ajo ka marrë pjesë aktivisht në përvjetorët e lidhjes së Prizrenit duke çuar zërin e saj, ka denoncuar nëpërmjet deklaratave në shtyp qëndrimet shoviniste greke për synimet e tyre të mbrapshta për ta quajtur Himarën minoritet grek. Njëkohësisht në situatë kritike për vendin, siç ishte ngërçi në drejtësi, ka organizuar një takim me shoqatat patriotike-kulturore mbarë Shqiptare duke dalë me një deklaratë të përbashkët për shtyp drejtuar Parlamentit, Qeverisë, Opozitës, trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe gjithë opinionit shoqëror për Reformën në Drejtësi dhe Vetingun. Por fatkeqësisht roli i medias në propagandimin e nismave patriotike e kulturore të shoqatës ka bërë që ato nuk janë pasqyruar si duhet. Një shqetësim permanent i shoqatës “Labëria”, ka qenë dhe mbetet mungesa e vlerësimit të figurës madhore të kombit tonë, krijuesit të shtetit të pavarur Shqiptar, plakut të mençur Ismail Qemali, që ende nuk ka një shesh qendror dhe një monument madhështor në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. Ironia e qeverisë Shqiptare është unikale. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, nxorën nga magazina e Muzeut Historik Kombëtar, një monument sallonesh, të aksidentuar në reliefin e tij, i tillë është edhe sot dhe e vendosën pranë një bunkeri në një sfond të shëmtuar. Ky veprim është një turp kombëtar dhe një shembull i pa precedent për asnjë vend të emancipuar demokratik. Shoqata “Labëria” për këtë shqetësim evident e ka ngritur zërin në shumë evenimente dhe në instancat më të larta, me rastin e 24 dhe 25-vjetorit të kremtimit të saj, por zëri i saj ka rënë në vesh të shurdhër. Kohët e fundit një grup përfaqësuesish të kryesisë së shoqatës, kanë marrë një takim me Kryetarin e këshillit Bashkiak të Tiranës z. Aldrin Dalipi, ku kanë parashtruar kërkesën nëpërmjet një promemorie dërguar dhe Kryebashkiakut Erion Velia Është fatkeqësi kombëtare, që vendin e patriotëve dhe luftëtarëve e kanë zënë tradhtarët. Shoqata “Labëria” ka qenë e ndjeshme dhe për probleme sociale dhe dukuri shoqërore. Me rastin e emigracionit ka dalë në skenë një fenomen, që në shumë familje emigrantësh fëmijët e tyre nuk dinë të flasin shqip, kur arbëreshët kanë ruajtur gjuhën e të parëve në stuhinë e shekujve. Një prirje tjetër snobë në Shqipëri është vendosja e emrave të huaj mjediseve shoqërore dhe fëmijëve, që duhet përkthyes t’i kuptosh. Në këtë sfond kemi realizuar një takim me 100 gra dhe vajza me emrin Vlora në Preshevë, së bashku me shoqatën “Nermin Vlora” ku patëm mbështetje nga Kryetari i Komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa, të cilin gjej rastin ta përgëzoj për angazhimin e tij në këtë nismë. Këtë nismë do ta shtrijmë në Prishtinë në tremujorin e parë të vitit 2018, në një takim më të gjerë me emra gjithëpërfshirës nga Labëria, në bashkëpunim me anëtaren e Kryesisë, znj. Labëri Luzha, Drejtoreshë e Institutit Pedagogjik të Kosovës. Ndërkombëtarizimi i Shoqatës “Labëria”, do kulmojë në datën 23, në Prishtinë ku do marrë pjesë aktive në një kongres që emërtohet “Uniteti Global Alban, me pjesëmarrjen e gjithë popullsisë shqipfolëse nga trojet e banuara me shqiptarë dhe nga diaspora, nga gjithë kontinentet. Shoqata “Labëria” është rritur, jo vetëm nga ana sasiore, por kryesisht nga ana cilësore ku në forumet e saj drejtuese sot ka 33 anëtarë me tituj e grada shkencore, profesor, profesor të asociuar e doktor. Dueti në simbiozë, intelektual të shquar dhe biznesmen të fuqishëm kanë krijuar aristokracinë e Labërisë që kryeson gjithë shoqatat homologe. Kemi pasur një bashkëpunim të ndërsjellët me shoqatat homologe si “Çamëria”, “Kosova” dhe “Vëllezërit Frashëri” të Përmetit. Gjatë gjithë veprimtarisë së saj qysh nga krijimi e deri më sot, shoqata “Labëria” është mbështetur nga një grup biznesmenësh në stafetë, duke filluar nga i ndieri Enver Guga, Gafur Duda që vazhdon prej 20 vjetësh deri më sot pa u ndalur, Kastriot Zoto, Fatmir Toçi, dhe pas Kuvendit të Pestë kanë hyrë në lojë; Agim Çiraku, Agim Rrapi, të pasuar nga Vullnet Sina, Ardian Resuli, Profesor Arben Malaj dhe Olsi Idrizi. Një kontribut të veçantë ka dhënë dhe Dr. Bujar Leskaj, jo thjesht nga ana financiare, por edhe për të promovuar veprimtaritë dhe krijimtarinë labe. Kontributi i tyre tërësor është për t’i përshëndetur, se me praninë e tyre arrihet të realizohen aktivitete cilësore. Veprimtaria e degëve në rrethe ka ardhur vazhdimisht duke u rritur e pasuruar me aktivitete patriotike, kulturore e historike, me një pjesëmarrje të gjerë të komunitetit lab. Për nga larmia dhe pasuria kulturore kanë bërë një hop cilësor Shoqata “Labëria” dega Vlorë me Kryetar Ahmet Demën dhe dega e Tiranës me kryetar Benard Zotaj. Jeta dhe veprimtaria e Shoqatës “Labëria”, është përcjellë te komuniteti Lab nëpërmjet zëdhënëses së saj, gazetës “Labëria”, me kryeredaktor Albert Zholin që, jo vetëm ka informuar për tërë aktivitetet që kryhen në degët e ndryshme të vendit, por ka sjellë dhe eksperienca të vyera të trevës së Labërisë. 

Prof. Dr. Ago Nezha