Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” vlerëson Birçe Haskon, Moikom Zeqon dhe Agim Çirakun

730
Sigal

Të shtunën më datë  19 prill, ora 11:00, në ambientet e Ministrisë së Kulturës

Të shtunën më datë  19 prill, ora 11:00, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”  do të zhvillojë një aktivitet krejt të veçantë, do të nderojë me titujt e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë” Prof. Birçe Hasko, Dr. Moikom Zeqo dhe Agim Çiraku  , investitor ,niznesmen si dhe botues i gazetës “Telegraf”, ndërsa me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, z. Saimir Strati, Eno Peçi dhe Novruz Dervishaj. Kjo veprimtari është në vazhdën e aktiviteteve të shumta që po zhvillon kjo shoqatë në prag të Kuvendit të saj të V-të, që do të mbahet në datat 24-25, maj 2014 në qytetin muze të Gjirokastrës. Këto vlerësime bëhen për të përcjellë tek brezat respektin që duhet të kenë të rinjtë, por dhe gjithë krahina e Labërisë për intelektualët që e nderojnë dhe që marrin pjesë aktive në aktivitete me karakter patriotik,  ruajtjen dhe përhapjen e traditave, dokeve, zakoneve të kësaj treve me histori të madhe.

 Birçe Hasko ka lindur në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942 është aktor i njohur shqiptar. Mbas mbarimit të shkollës së mesme punon si mësues në Memaliaj, ku dhe angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Mbas diplomimit mbahet pedagog pranë këtij Instituti punë ti cilën e vazhdon edhe sot dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit. Për punën e tij akademike i është dhënë titulli “Profesor” . Në teatër ka interpretuar mbi 12 role.. Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh” dhe po këtë vit shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit. Birce Hasko ka lozur në më shumë se 30 filma.

Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C.. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave. Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.Është autori i 62 librave me poeziprozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

AGIM ÇIRAKU ka lindur në 31.05.1958 në Tiranë.

Ka mbaruar UT Dega Inxhinjeri Mekanike në vitin 1992 si dhe Fakultetin Juridik në Vitin 2006.

Nga viti 1973 deri në Vitin 1979 ka ushtruar sportin e Notit në Klubin Sportiv “ 17 Nëntori”, ku si trajner ka pasur zotin ESAT MUZINA. Nga viti 1979 deri në 1983 e ka ushtruar këtë sport me Klubin “Dinamo” ku për trajner ka pasur zotin EMIN GRIPSHI, vit në të cilin e ka lënë si sport në mënyrë të organizuar me klube, por atë e vazhdon dhe sot në mënyrë individuale.Ortak i Shoqërisë “Albit – Diabra” SH.P.K, si dhe botues i gazetës “Telegraf”. Zotëron gjuhën Angleze. Aktualisht është President I Federatës Shqiptare të notit.

Pjesë nga historiku i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”

Grupi Organizator, në zbatim të detyrave që shtroi mbledhja e Përgjithshme e Degës së Tiranës dt 13 Janar 1998, programoi hollësisht punën që duhej bërë në trevën e Labërisë, në qytete të tjera të Shqipërisë, ku kishte ngulmime labësh për ringritjen a ngritjen e degëve dhe në Tiranë për përgatitjen e kushteve dhe të dokumentacionit të nevojshëm për thirrjen dhe mbajtjen e Kuvendit të Parë të Përgjithshëm të shoqatës. Kërkohej jo vetëm realizimi i ngritjes së strukturave organizative por edhe një sensibilizim sa më i gjerë i opinionit mbarë lab.

Së pari, rinxjerrja e gazetës së shoqatës sa më shpejtë, nëpërmjet së cilës edhe do të kuvendohej me labët për nevojën dhe punën që duhet të bëhej për ringritjen e shoqatës. Kryeredaktor i gazetës u caktua Pëllumb Tare. Nga puna e bërë në Tiranë dhe në disa takime nëpër rrethe, delte se në tërësi njerëzit ngulmonin të sqaroheshin se çfarë shoqate kërkohej të ngrinim. Labët, në tërësi, ishin të indinjuar nga sa e si u veprua me shoqatën e nëpërmjet shoqatës deri në vitin 1997 si dhe nga protagonistët e saj. Gjithashtu, një pjesë e madhe e atyre që interesoheshin për ringritjen e shoqatës, kërkonin të dinin se cili do të ishte qëndrimi ndaj LANÇ, luftë që nga ish-drejtuesit e shoqatës ishte mohuar apo nëpërkëmbur. Kjo buronte edhe nga fakti se ndër pjesëmarrësit aktiv për ringritjen e shoqatës kishte edhe persona nga Grupi Nismëtar fillestar i shoqatës. E vërteta është se këta nismëtarë, nuk pajtoheshin me qëndrimet e gabimet e së kaluarës dhe ishin ndër më aktivët për ringritjen e shoqatës. Ndaj në numrin e parë të gazetës, krahas botimit të përshëndetjes së disa intelektualëve si shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, shkrimtarit Dhimitër Xhuvani dhe Kryetarit të shoqatës së të përndjekurve Kurt Kola, do të botohej Deklarata e Mbledhjes së Degës së Tiranës, ku sqaroheshin disa nga qëndrimet lidhur me të kaluarën e shoqatës, Statuti i shoqatës me disa ndryshime që mendohej fillimisht t‘i bëheshin në Kuvend etj. Gjithashtu, u pa e domosdoshme edhe botimi i një materiali përmbledhës për dy brigadat “Heroinë e Popullit”, Br5,6S, të krijuara me bij e bija të Labërisë dhe të mbuluara me lavdi në LANÇ, si një shprehje e mbështetjes së kësaj luftë nga shoqata, luftë që ishte nëpërkëmbur e deri mohuar në të shkuarën. Kjo përkonte edhe më përvjetorët e inaugurimit të tyre. Natyrisht në këtë numër u botuan edhe shkrime të tjera. Në numrat e mëvonshëm do të botoheshin materiale mbi Labërinë, hershmërinë e rrjedhat e kohës të banorëve të Labërisë, traditat, zakonet, figurat e shquara si dhe gjithë puna që bëhej në praktikë për ringritjen e shoqatës.

Së dyti, në ecurinë e punës për ringritjen e shoqatës e paralel me të, të përgatitej e zhvillohej një veprimtari konkrete në fushën atdhetare që të siguronte pjesëmarrje të gjerë të anëtarësisë, pa dallim të bindjeve politike. Për këtë, duke qenë se gjendeshim në prag të përvjetorit të fillimit të Luftës së Vlorës, u organizua një simpozium shkencor për figurën e Osman Hxhiut, njërit nga personaliteteve kryesore të kësaj lufte, duke përkuar edhe me një përvjetor të tij. Një punë të posaçme për këtë veprimtari bënë Halil Qëndro, Ibrahim Gani, Nimet Balili etj.

Së treti, në kuadrin e punës që duhej bërë për ringritjen a ngritjen e degëve në trevën e Labërisë dhe në qytete të tjera të vendit ku kishte ngulmime labësh, u bë ndarje e detyrave në mes të anëtarëve të Grupit Organizativ për të dhënë ndihmesë konkrete në bazë.