Shoqata e Hidrokarbureve: Tarifa abuzive, do të bllokojmë pikat e shitjes së naftës

594
Ministria e Energjisë dhe Industrisë po përgatitet të rivendosë tarifën për rilicencimin e karburanteve. Tarifa do të jetë 300 mijë lekë në Tiranë dhe 100 mijë lekë në rrethe. Vendosja e tarifës kundërshtohet nga Shoqata e Hidrokarbureve, ku përfaqësuesi i saj Luigj Aliaj pohoi se në rast se rivendoset tarifa që është rrëzuar një herë nga Gjykata Kushtetuese, bizneset e ‘arit të zi’ do të bllokojnë të gjitha pikat e shitjes.

TAKIMI 
Përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve dhe përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë zhvilluan dje një takim, ku është diskutuar lidhur me idenë e ministrisë për rivendosjen e taksës së rilicencimit të pikave të shitjes së karburanteve e gazit, pas shfuqizimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar. Vendosja e tarifës kundërshtohet nga bizneset. Kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” pohoi se bizneset që ai përfaqëson e kundërshtojnë tarifën dhe e cilësojnë atë si antikushtetuese. Sipas shoqatës, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 86, datë 30.12.2016, e ka quajtur antikushtetues VKM-në nr. 970, datë 2.12.2015, me anë të të cilit u shumëfishua tarifa e rimarrjes së lejes së tregtimit. Kjo VKM e dhjetorit 2015 rriti tarifën me 50-fish për Bashkinë Tiranë dhe 20-fish për bashkitë e tjera.

Gjykata argumentoi se ky veprim është abuziv, tejkalon të drejtën që ligjvënësi i ka dhënë qeverisë, dhe kjo është joproporcionale, pasi kjo tarifë paguhet karshi shërbimit që merr. Përfaqësues të shoqatës thanë se kjo nuk është një taksë, por është tarifë shërbimi, dhe qeveria nuk ka argumentuar dot në mënyrë proporcionale se çfarë shpenzon më tepër, që në mënyrë proporcionale të arsyetojë rritjen. Gjithashtu, gjykata ka cilësuar shkeljen e sigurisë juridike, pasi pronarët e pikave e kanë fituar të drejtën e tregtimit, sipas tarifave të VKM-së nr. 170, datë 25.4.2002, që janë vetëm 100 mijë lekë.

PROPOZIMI 
Ministria propozon ndryshimin e masës së tarifës, e cila, nga 5 milionë lekë që ishte për Tiranën para se të hidhej poshtë nga gjykata, të bëhet tashmë 300 mijë lekë, ndërsa për rrethet, nga 2 milionë lekë, të ulet në 100 mijë lekë. Kjo taksë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, por të ardhurat që vijnë prej saj përdoren nga bashkitë, ku ajo e Tiranës është përfituesja më e madhe, për shkak të nivelit të lartë, por edhe përqendrimit të pikave në zonën rreth kryeqytetit. Nga operatorët e fushës ishte kërkuar që përfaqësuesit e bashkive, sidomos të Tiranës, të ishin në takim që të argumentonin arsyen se pse propozohet rritja, që tashmë arrin në 30 dhe 10 herë. Edhe pse ishte njoftuar ardhja e tyre, në takim ishte i pranishëm vetëm një përfaqësues i Bashkisë Fier, i cili e pranoi që bashkia nuk ka pasur rritje të kostove për pajisjen e pikave të karburanteve me leje tregtare.

BLLOKIMI 
Të gjitha shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë në këtë fushë njoftuan drejtorin e përgjithshëm të sektorit, Dritan Spahia, se në rast të rivënies përsëri të kësaj takse, do të bllokojnë punën në gjithë stacionet e shpërndarjes së karburantit, pasi propozimi nuk merr në konsideratë as propozimet dhe argumentet e Shoqatës së Hidrokarbureve dhe as parimet kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu iu kërkua të njoftohet me urgjencë ministri Gjiknuri, dhe përmes tij edhe kryeministri, për konkluzionet e takimit.
Sigal