Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion: Të arrestohet Gëzim Kalaja dhe Kolë Nikolla

1176
Avokat, Ndue Pjetra, Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, në një kërkesë publike drejtuar Ambasadorit të SHBA, Presdientit Nishani, Kryeministrit Rama, Ministrave Klosi dhe Manjani, Kreut të Policisë Çako, Kryetatimores Shehaj si dhe ambasadorëve të BE dhe OSBE, kërkon monitorimin dhe hetimin e thellë e të gjithanshëm, në lidhje me përvetësimet personale të z. Gëzim Kalaja President i BSPSH si dhe z. Kol Nikollaj President i KSSH, nëpërmjet fshehjes dhe tjetërsimit të pasurisë publike në pronësi të shtetit dhe qytetarëve, në kundërshtim me statutin e organizatave si dhe ligjet në fuqi, kjo bazuar në denoncimin e dhjetra qytetarëve pranë SHAASH. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion e miratuar me vendimin Nr.3635 datë 30.07.2013 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka si mision të saj luftën kundër korrupsionit si dhe veprave të ndryshme penale sipas parashikimeve statutore. Gjatë muajve të fundit, në adresë të SHAASH kanë ardhur dhjetra denoncime të qytetarëve, që ankohen për veprimet e paligjshme të z. Gezim Kalaja President i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) si dhe Kol Nikollaj Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). 
Përvetësimi i pasurive publike
Më konkretisht Gëzim Kalaja si dhe Kol Nikollaj në cilësinë e përfaqësuesve të këtyre organizatave akuzohen nga qytetarët se përvetësojnë pasuritë publike pa inventar, duke grabitur miliona lekë, nga objektet dhe ndërtesat e dikurshme të shtetit shqiptar, që konsideroheshin pronë e ish bashkimeve profesionale dhe në fakt qëllimi i tyre është për të plotësuar nevojat e sindikalistëve. BSPSH, themeluar dhe i drejtuar prej 25 vjetësh nga kryetari i saj, Gëzim Kalaja, gjatë kësaj periudhe ka krijuar dëmin më të madh ekonomik, me privatizimin e atyre objekteve që i përkasin popullit shqiptar dhe jo një grupi uzurpatorësh. Sipas informacioneve, janë me qindra objekte që janë pushtuar padrejtësisht, nga BSPSH dhe KSSH dhe të gjitha veprimet e përfitimit të parave bëhen në mënyrë të fshehtë e tepër sekrete, ku vetëm 45 objekte janë të regjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive. Por në vitin 2009 është bërë inventari i plotë i objekteve të cilat janë dhënë me qira për 19 vjet resht, pa asnjë dokumentacion, ndërkohë paratë shkonin në xhepat e Kalasë dhe Nikollaj që kanë një suport shumë të fuqishëm politik. 

Në këto kushte, SHAASH kërkon një hetim të thellë e të gjithanshëm, monitorim të këtij procesi në lidhje me grabitjet kolosale, për të kuptuar se ku shkojnë paratë që i takojnë aksapaguesve dhe çfarë përfitojnë sindikalistët nga këta parazitë që sillen vërdallë, duke mbledhur qiratë e objekteve shtetërore (të ish Bashkimeve Profesionale) që janë pronë e popullit tonë. Në fakt, ligji i ndalon këto organizata të sillen si pronarë dhe aktualisht ndodh e kundërta, jo vetëm që këto organizata kanë disponuar pronësinë në kundërshtim me ligjin, por për kaq vite pa bërë asnjë punë, kontrollet me prapaskenë politike s’janë të afta të kapin shkeljet e evidentuara prej tyre. Ka disa raste, ku drejtuesit e sipërcituar, kanë përfituar në kundërshtim me statutin dhe ligjin, mbi pronat publike që i kanë në administrim dhe jo në pronësi si dhe mbi pronat private të qytetarëve, duke i tjetërsuar ato, me afera korruptive. Nga informacionet e mara na rezulton se, deri në 2009, kreu i BSPSH Kalaja ka fituar në mënyrë të paligjshme miliona lekë, duke shfrytëzuar padrejtësisht, me qindra objekte pa asnjë lloj inventari. Në vitin 2009, Qeveria përfundon inventarizimin e të gjithë pasurive të paluajtshme që kanë qenë në përdorimin e sindikatave në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare të Këshillit të Ministrave, janë gjithsej 125 objekte në të gjithë vendin, por vetëm 45 prej tyre janë të regjistruara në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethe. I gjithë procesi i inventarizimit nisi kur qeveria vendosi të shtetëzojë këto prona, të cilat janë përdorur deri më tani nga Kol Nikollaj dhe Gëzim Kalaja. 

Tjetërsimi i pasurive
Sindikatat përfituan nga Bashkimet Profesionale administrimin e objekteve për sigurimin e kushteve për pushimin e argëtimin e punonjësve, gjë që më pas nuk evidentohet (sikurse del edhe nga denoncimet, një pjesë e konsiderueshme e objekteve u është shitur personave të tretë, të cilët ja kanë ndryshuar tërësisht destinacionin). Për të gjitha këto shkelje ka dy vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë, ku evidentohen shkeljet e këtyre pseudosindikatave, por përsëri ato vazhdojnë me të njëjtin ritëm të shkelin ligjin pasi kanë mbështetje të fortë politike duke shtuar çdo ditë e më shumë korrupsionin me pasuritë publike që nuk përdoren për qëllimet që këto organizata kanë në statusin e tyre. Theksojmë se, ligji i kohës nuk njihte pronësinë e shoqatave, prandaj objektet Bashkimeve Profesionale ua kishte lënë në administrim. Për pasojë cdo veprim për kalimin e pronësisë është nul përballë prioritetit që i jepet ish pronarit në njohjen dhe kthimin e ish pronës së tij. Në këtë kontekst, ish pronarët duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që u njeh ligji nr.7698, datë 15.04.1993 (duke përfshirë këtu edhe të drejtën e parablerjes) ta fitojnë sipas ligjit jo vetëm ndërtesat e pandryshuara dhe trojet e pazëna, por edhe objekte të ndërtuara nga shteti mbi truallin ish pronë të tyre. Por edhe në këto raste, në proceset gjyqësore rezulton se sindikatat dalin gjithnjë fitimtarë duke dëmtuar interesat e ish pronarëve të dëmtuar më së tepërmi nga regjimi komunist.

Veprimtaria e paligjshme
Theksojmë se organizimet sindikaliste ushtrojnë një veprimtari të paligjshme bazuar në dekretin nr. 204 datë 05.06.1992 i cili edhe sipas vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë rezulton se nuk ka hyrë ndonjëherë në fuqi. Aktualisht kemi dy akte ligjore: atë me nr.8340, datë 06.05.1998 “Për mosmiratimin e dekretit nr.204, datë 05.06.1992” dhe me nr.8340/1, datë 06.05.1998 “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr.204, datë 05.06.1992”. Kjo do të thotë se në të gjitha rastet kur ka pretendime pronësie për prona të marra nga sindikatat bazuar në dekretin nr.204, ky dekret nuk ka vlera në raport me ish pronarët. Këta të fundit për ish pronën e tyre kanë rregullim të posacëm ligjor dhe asnjë akt tjetër (qoftë dhe sikur dekreti të merrej i mirëqënë) është akt normativ më i ulët e nuk mund të prekë interesat e tyre. Gjendja faktike është krejt e kundërta ku Gëzim Kalaja dhe Kol Nikollaj me mbështetje të fortë politike kanë abuzuar duke shkelur ligjin dhe duke u bërë të pacënueshëm. 
Sigal