Shok dhe mik i shkencëtarëve të rinj (Homazh për Akademikun YLLI POPA)

111
Izet S. Çulli

Për nivelin e njohurive shkencore e letrare dhe dimensionin human, për modestinë dhe ndihmën që u jep më të rinjve, ai është i njohur prej të gjithë kolegëve të tij, të vjetër dhe të rinj. Atij i hov shpirti për sukseset e atyre që hedhin hapat e sigurtë në profesionin e bukur të mjekut. Ai frymëzohet e këndon si poet, kur shkencës i vijnë talente në këtë fushë. 
“Sigurisht, shkruan profesori, ata nuk janë të shumtë (parfumi i shtrenjtë shitet në shishe të vogla), por ata duhet të depistohen qysh në bankat e shkollës dhe potencialeve të tyre mendore t’u krijohet shtrati i nevojshëm, t’u vihen “prita” e t’u ndërtohen “diga” që ata të vërshojnë mbi “turbine” për të “prodhuar” dritë dhe enegji të pashtershme…” 
Dhe ja, kur një ish-student i tij, dr. Anesti Kondili, po mbronte doktoraturën, profesori i entuziazmuar nga përgatitja e lartë, i tha faqe të tjerëve pak a shumë kështu, me gjuhën e shpirtit të pastër, pa smirë e pa krahasime hiperbolike, të cilat përdoren zakonisht, pa kandar, në raste të tilla:
Në këtë auditor, ku ne të gjithë përbëjmë një trupë kardiologjike, “truri” i kardiologjisë jeni ju, edhe unë pa hezituar, në qoftë se do të ndodhem para një rasti me çrregullim të tillë të ritmit të zemrës (që ju e mbrojtët me kaq sukses sot këtu), do të merrja mendimin e plotë nga ju…”
Emocione e gëzim njëherësh në auditorin shkencor. Profesori Ylli Popa edhe si shkencëtar, edhe si njeri, vlerëson me zemër të madhe studentin e tij, shokun e tij më të ri në udhën e vështirshme të shkencës. Asi asin e kërkon…
*Marrë nga libri “Të jesh mjek”