Shoferi i spitalit të Gramshit, drejtor i vetëshpallur

920
Dhjetëra banorë të qytetit të Gramshit, të cilët vijnë në Elbasan për dializën, kanë protestuar para zyrave të Drejtorisë Spitalore të atij qyteti, për të shfaqur zemërimin ndaj shoferit të autoambulancës. Ky i fundit prej muajsh sillet sikur të ishte drejtor spitali dhe e përdor autoambulancën e vetme të atij institucioni për interesa private duke mos pyetur as për drejtuesin dhe eprorin e tij. Dhjetëra banorë që prisnin tek dera e spitalit të Gramshit janë shokuar, teksa shoferi i autoambulancës ka ardhur në mëngjes, ka ndezur mjetin e shtetit dhe nuk ka pranuar të marrë personat e listuar nga drejtoria e spitalit për t’i nisur në ditën e caktuar drejt Elbasanit për dializën. Sipas Rabije Veselit, banore e Skënderbegasit, fshat 1 orë larg Gramshit “jemi ngritur qysh në ora 04.30 të mëngjesit, kemi ardhur dhe kemi pritur 4 orë tek dera e spitalit dhe sapo ka ardhur shoferi autoambulancës, ashtu si edhe herët e tjera, ka refuzuar të na marrë, duke na deklaruar se “nuk iki sot në Elbasan, kam punët e mia”.

 Ankesa jonë vajti edhe tek drejtori spitalit, Qemal Zani, por duket se edhe ai nuk e ka të lehtë të merret me shoferin e autoambulancës, duke na premtuar se “do ta ndreq unë herën tjetër këtë gabim të tij”, por ne kemi paguar 50 mijë lekë taksinë dhe kemi ardhur në Elbasan, një kohë kur e ka për detyrë që spitali të vendosë mjetin e tij për transportin tonë”. Të indinjuar nga sjellja e një shoferi të papërgjegjshëm, dikush nga familjarët u shpreh se “ne e kemi të fotografuar dhe filmuar me zë dhe figurë gjithë debatin me shoferin kapadai, që e trajton mjetin e shtetit sikur ta kishte privat, dhe ndoshta duke na lënë rrugëve ne, e përdor për punë të tjera, drejtoria dhe zoti Zani duhet të bëhen më të përgjegjshëm, dhe jo ti krehin bishtin një shoferi, qoftë ky edhe miku i ndonjë ministri apo deputeti”. 

Pavarësisht telasheve dhe shpenzimeve, edhe dje të sëmurët e Gramshit, ata që vijnë për të bërë dializën në Elbasan, sërish kanë pajtuar taksi, dhe kanë nxjerrë lekë nga xhepat e tyre, në një kohë që këtë gjë duhej ta bënte automjeti i spitalit të shtetit. Duket se korrupsioni ka mbuluar prej kohësh gjithë strukturat e këtij shteti, aq sa drejtuesit nuk janë në gjendje të ndalin as shoferët e tyre ligjërisht dhe shoqërisht. Trajtimi i një shoferi sikur të ishte ‘kolegu” apo “miku i shefit”, pothuajse në të gjitha institucionet e shtetit po shkatërron gjithë linjën e drejtimit dhe ka ndotur dhe kompromentuar gjithçka ligjore. Në mjaft institucione dhe sidomos në rrethe, nuk dihet se kush është drejtori dhe kush është shoferi institucionit, pasi ka gjasa që, ky i fundit të ketë fuqi më të madhe ligjore, pasi është njëherësh edhe “kolona e pestë” që dërgon lart në qendër gjithçka ndodh poshtë në bazë. Por të tallesh me të sëmurët, dhe tu mohosh atyre lëvizjen me një mjet të spitalit, tu kërkosh atyre të “marrin taksi”, kjo është më shumë se shkelje dhe abuzim. Ndoshta atyre banorëve hallexhinj, duhet tu vijë në ndihmë Zoti, sepse shteti i tyre i ka braktisur me kohë, duke i mohuar edhe shërbimin e detyrueshëm mjekësor. 

Sigal

Maksim TUFA