Shoferët e taksive dhe furgonave shpërndarës droge dhe spiunë të policisë

550
Duket se shpërndarësit e drogës kanë gjetur një metodë të re të shitjes së “mallit” të tyre edhe në rrethe. Të paktën në Elbasan, në ambientet shkollore dhe ato publike shitja e drogave po bëhet nga shpërndarës që vijnë në Elbasan si “udhëtarë të zakonshëm” me linjat e transportit, duke mos rrezikuar nga kontrollet e policisë. Kjo e fundit ndoshta nuk e kishte menduar se shpërndarja e “mallit” ka nisur të bëhet nën hundën e tyre me metoda “bashkëkohore” dhe të “specializuara”. Sipas një shoferi që kryen transportin e rregullt disa herë në ditë, nga Elbasani drejt Tiranës dhe anasjelltas thuhet: “unë rastësisht e kam zbuluar se personat që udhëtonin me mua si pasagjerë të zakonshëm, pothuajse njëherë në 2-3 ditë, ishin në dukje si studentë apo zyrtarë, por që në fakt ata shisnin droga të ndara në porcione dhe kryesisht në zona ku gjenden shkolla, apo lokale të frekuentuara nga rinia”. Duket se një metodë e re ka nisur në tregtinë e “mallit” dhe shpërndarjen e tij nga kryeqyteti drejt Elbasanit. Sipas një burimi policor mësohet se “informacionet paraprake uniformat blu kanë nisur t’i marrin edhe nga shoferët e linjave, pasi çdo ditë shpërndarës moshave të ndryshme madje edhe femra, nisen me linjat e rregullta të transportit të pasagjerëve nga Tirana duke kryer misionin e tyre të shitjes së drogave në lloje të ndryshme, në pika të veçanta të qytetit si në ambiente rreth shkollave etj”. Në këtë rast, vetë shoferëve të linjave të transportit apo taksive, u leverdis të bëjnë këtë punë, pra raportimin tek uniformat blu, për shkak se këta të fundit fitojnë disa herë më shumë me anë të kësaj pune. Në shumë raste me këtë funksionon, ata mbulojnë dhe lojëra të tjera, të cilat nuk lënë asnjë dyshim tek uniformat blu. Kjo “lojë” duket se është mjaft fitimprurëse, pasi përfitimet në këtë rast për shoferët e automjeteve janë shumë herë më të mëdha sesa mund të nxjerrin nga pozicioni i punës së tyre si shofer taksie. Shqetësimin e tij e ka deklaruar për “Telegraf” edhe nënë e një vajze, e cila kishte zbuluar prej disa ditësh grupin e të rinjve shokëve dhe shoqeve të bijës saj, axhendën e tyre, që prisnin nga Tirana qysh herët në mëngjes shitësit e drogës. Ajo kishte njoftuar edhe uniformat blu të qytetit të saj, të cilët i kishin thënë se “jemi në dijeni të këtij fenomeni, kemi nisur hetimet, aksionet dhe kontrolle në linjat e transportit, kemi të evidentuar disa prej tyre”. Duket se tregu i shitjes së drogave ka gjetur terren në qytetin e Elbasanit me anë të një forme të re. Tregtarët e dozave synojnë shitjen tek sekserët e tyre apo duke bashkëpunuar për të gjetur klientë në zonat ku shtrihen shkollat e mesme, apo edhe ku ka përqendrim të institucioneve shkollore. Shitja e tyre varion sipas llojit të drogës dhe cilësisë saj. Prindi, i cili ka vajzën e tij maturante, ka vënë alarmin në Drejtorinë Arsimore dhe Drejtorinë e Policisë Elbasan, duke gjetur gjithsesi mbështetjen maksimale, por deri sot nuk ka asnjë të evidentuar dhe të arrestuar. Sipas tij “ekziston një neglizhencë totale, duke pasur frikë nga zbulimi që mund t’u bëhen grupeve te tilla të përdoruesve dhe konfliktit me tyre dhe personelit të shkollave”. Një konflikt i tillë, vjet ka qenë me pasoja të rënda për një nga shkollat e qytetit dhe familjen e një prej përdoruesve të drogës. Pikërisht ai nxënës, blinte çdo javë drogë tek shitësit e helmit të bardhë në një lokal, gjë e cila kishte vënë në vështirësi serioze ekonomike familjen e tij. Kjo ishte bërë shkak për debatet dhe denoncimin e tij në polici nga prindi. Histori të tilla, në institucionet shkollore ka me dhjetëra, aq sa mësuesit dhe pedagogët shprehen se, “pas mureve të auditorëve vijnë shpërndarës dhe shitës drogash, por nuk kemi forcën e duhur t’i ndalim”. Situata tronditëse kërkon masa urgjente nga organet kompetente, për të frenuar dhe ndaluar ekspansionin e shitësve të helmit të bardhë, që po shkatërron jetën dhe të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, dhe po krijon drama familjare, duke shkatërruar edhe financiarisht buxhetin e pakët të prindërve të tyre. 
Alma JONUZI
Sigal