Shoferët blejnë linjat nga sekserët e ministrive

539
Sigal

Skandali : 8 muaj për të marrë një liçensë për linjë transporti  por edhe 16 po nuk u  lidhe me njeriun e brendshëm

Të marrësh një liçensë transporti ndërqytetase sot, është një torturë e vërtetë. Shoferët e rretheve rropaten dyerve të institucioneve vendore dhe veçanarisht dyerve të ministrive  për tu përballur në fund me sekserët, personat të cilët  zgjidhin problemin e tyre. Ditët e fundit, një qytetar tepër i shqetësuar ka treguar për “Telegraf”  odisenë e sorollatjeve dhe mashtrimeve dhe zgjidhjen e problemit të tij (pavarsisht se kishte të drejtë) nga sekseri. Pas marrjes së të gjitha letrave që i duheshin për të plotësuar dosjen e tij për marrjen e liçensës për linjën ndërqytetase, ai është përballur me një vonesë prej afro 8 mujore në dyert e Ministrisë së Transportit. Nga muaji  18 maj 2014 deri në 27.12.2014, shoferi SH.B, është sorrollatur dhe mbajtur me premtime nga zyrtarët e këtij dikasteri duke shpresuar se do të gjente zgjidhje ligjore ashtu siç bëjnë të gjithë shoferët e këtij vendi me automjetet e tyre 15 vëndëshe, për të rinovuar liçensën  e linjës që kishte me Tiranën. Por nuk ka ndodhur kështu. SH.B, prej muajit maj deri në fund të dhjetorit 2014, ka vajtur masatarisht  3-4 herë në javë në Tiranë, ka pritur me orë të tëra në dyert e Ministrisë së Transportit, derisa në fund një koleg i tij i ka dhënë “çelësin” e zgjidhjes së problemit. Kolegu i ka propozuar “takimin me një sekser të cilin edhe atij ja kishin prezantuar, dhe gjithçka merr fund”. Dhe ashtu ka bërë. SH.B. e ka takuar sekserin ditët e para të muajit dhjetor 2014, i ka dhënë dosjen e tij me shkresat e nevojshme, por nuk ka munguar ti japë atij edhe “gjobën” për të mbaruar punë. Përgjigja nuk ka vonuar. Brënda pak ditëve, sekseri e ka telefonuar dhe i ka thënë “hajde në Tiranë, ajo punë mbaroi”. Duke folur me shoferin  SH.B, babai i tre fëmijëve mësuam se “ashtu si unë veprojnë edhe shumica e kolegëve të mi, nuk çahet ndryshe rrjeti korrupsionit, nuk ke shans jo për 8 muaj por edhe për 16 muaj për të mbaruar punë në rast se nuk lidhesh me sekserin”. Shitja dhe blerja e linjave të transportit ndërqytetase ka vite që lulëzon si biznes i pistë, por realisht muajt e fundit ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha. Kjo për faktin se Ministria e Transportit edhe linjat brënda çdo qarku i ka kanalizuar permes drejtorive të saj në Tiranë, duke detyruar shoferët të dynden në dyert e këtij dikasteri, kur njësitë vendore mund të plotësonin mjaft mirë nevojat e tyre. Por biznesi sekserëve duket se ka pushtuar çdo dikster të këtij shteti, dhe nuk ka shanse të mbyllet  një ditë. Shoferët thonë se shitja dhe blerja e linjave sidomos ndërqytetase varion nga largësia e tyre. Dhe konkretisht linjat me jugun dhe veriun e vendit për autobuzë dhe forgona 15 vendesh, kanë çmimet më të larta nga sekserët, por ndryshojnë ato me rrethet e afërta me Tiranën si Durrësi, Elbasani, Kavaja, Lushnja, etj. Por ka edhe një faze tjetër, ajo e shitjes dhe blerjes së  linjave derisa ato  kalojnë nga dora e parë,  tek e dyta dhe e treta. Sekserët kanë edhe lidhjet e tyre në rrethe, me të cilët kryejnë shitjet, duke i kaluar linjat nga njëra dorë tek tjetra, nga njëri shofer tek tjetri. Ata të dorës së tretë janë të gatshëm të pranojnë edhe linja pa bereqet si me rrethet e vogla, vetëm e vetëm për të mos mbetur pa punë. Natyrisht ky rrjet korruptiv ka tjetërsuar gjithë strukturat ligjore të dikastereve dhe sidomos të transportit rrugor, duke i dhënë pushtet sekserëve, njerëzve që po përbaltin çdo ditë institucionet e këtij vendi.