Shmanget tragjedia në azilin e pleqve në Skrapar

641
Ministri teknik i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj deklaroi se vendi po përballet me një emergjencë për shkak të zjarreve në vend. Ai bëri të ditur se mbrëmjen e sotme është bërë i mundur shmangia e djegies së azilit të pleqve në Skrapar.
“Shqipëria ka qenë e goditur vazhdon të goditet.Kemi pasur rreth 200 raste, 81% e tyre shumë të mëdha.Kryesisht në rajonet e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Dibrës, Pukës dhe Skraparit.Rreth një orë më parë është vënë në kontroll një zjarr shumë i madh në Skrapar, ka qenë duke u djegur azili i pleqve dhe falë angazhimit të forcave të zjarrëfikëse dhe ushtrisë është shmangur”, tha ai për Ora News.
Demiraj falenderoi dhe kompaninë Viva për asistimin e saj me dy helikopterë në të gjithë territorin ku është kërkuar ndërhyrja e tyre.
Ministri tha se shumica e zjarreve kanë qenë të qëllimshme dhe po godasin ekonominë dhe sigurinë e vendit.
“Zjarrëvëniet kanë qenë të qëllimshme, pardje kemi pasur djegie të një pjesë të konsiderueshme të hekurudhës Laç-Shkodër ku bëhet një transport intensiv mallrash, duke cënuar jo vetëm ekonominë por dhe sigurinë kombëtare. Jemi në sezon turistik, prezenca e zjarreve afër plazheve dhe vendeve turistike e dëmton rëndë.Duhet që çdo prefekturë dhe bashki të ngrejë një sistem sinjalizimi, vrojtimi dhe lajmërimi në mënyrë që zjarri të kapet në fazat e para”, – perfundoi ai.
Sigal