Shkrimtari Mehmet Myftiu përballë zhdanovizmit

933
Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Mehmet Myftiut i grabitën katër të drejta, katër liri) 
Shkrimtari Mehmet Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave: diktaturës naziste, e cila e dënoi me vdekje; diktaturës komuniste, që e internoi.
Shkrimtarit, njeriut Mehmet Myftiut i grabitën katër të drejta, katër liri:
Lirinë kryesore: I grabitën atdheun nazifashistët .
Liria e individit: I hoqën të drejtën për të shkruar, e internuan.
Lirinë e dashurisë: I morën të dashurën nga shtëpia.
Lirine profesionit: Me intriga alla sigurimsash e larguan nga mësuesia dhe e “strehuan”, si shitës cigaresh në atë qoshkun në kryqëzimit e rrugëve te Dibrës me atë të barrikadave. 

Lirinë e pestë ia hoqi shoqëria jonë e quajtur demokratike pluraliste, duke e lënë në harresë, në shurdhësi publike dhe pa nderimi.

Kjo e fundit ndodh në një hark kohor gati 30 vjeçar kur nderohen e vlerësohen me tituj e dekorata më të larta lloj biçimësh që nga tradhtarë me damkë e gjer tek sigurimsa emërzinj. 

Mehmet Myftiu në qenien e vet njerëzore, karakterin, idealin shoqëror më të lartë e më fisnik, kishte lirinë e popullit të vet nga pushtimi nazifashist; ndërsa thelbi i lirisë së vet individuale ishte mospranimi, kundërshtimi i hapur i metodës sovjetike letrare, të quajtur realizëm socialist, variantit më të keq të saj,zhdanovizmit. Është gëzim të jesh pranë tij, të bisedosh me të dhe të ndjesh shpirtin e dashurisë njerëzore, që me qeshjen e vet karakteristike dhe kumbuese ngjan sikur je në magjinë e bjeshkëve shqiptare; ndërsa sytë tij të mëdhenj e me dritë diellore të bëjnë të ndjesh mirësinë e një njeriu kaq burrëror po kaq të thjeshtë që nuk flet kurrë për të bëmat e veta, madje e shtyn bisedën nëse dikush i përmend ndonjë nga episodet e jetës së tij kaq dramatike.
“Ishte i furishëm, rrezikshmërisht i sinqertë, i zjarrtë për gjithçka… Ai si përherë e mbante veten, nuk ankohej kurrë për asgjë”, shkruan Kadareja.
Shqipëria ishte pushtuar nga fashistët italianë dhe pastaj nazistët gjermanë. Ata ishin okupatorë, që vranë, internuan me mijëra bijë e bija të Shqipërisë, dogjën qytete dhe fshatra, mbi të gjitha i grabitën lirinë dhe pavarësinë Shqipërisë. Populli u ngrit me armë qysh se fashistët shkelën në tokën shqiptare më 7 prill 1939. Burra dhe gra, të mëdhenj e të vegjël, me armë, demonstrata dhe me aksione luftarake, me trakte etj. shprehën urrejtjen ndaj pushtuesit. Në Tiranë fëmijët krijuan organizatën me emrin “DEBATIK”. Mehmet Myftiu ishte ndër organizatorët e saj, bashkë me Selman Vaqarin. Meti shquhej për guxim, shpejtësi dhe befasi në aksionet ilegale, si shpërndarje traktesh me thirrje për luftë, shpim të gomave të makinave të pushuesve, bënin roje në bazat ilegale sa herë në to kishte takime ose mbledhje sekrete etj. Në një nga këto aksione trimin debatikas, Metin, e zunë ushtarët nazistë, e burgosën, e torturuan dhe e internuan në kampin famëkeq të Prishtinës, ku ishte në listën e 105 vetëve që do të pushkatoheshin. Meti i shpëtoi rastësisht ekzekutimit. Më 1944 u kthye në Tiranë, pranë familjes, i rrethuar me dashuri e nderim për luftën dhe kalvarin e pësuar. Lufta, internimi dhe ballafaqimi me vdekjen e kishin burrëruar, rritur dhe forcuar më shumë bindjen për të punuar për një shoqëri të lirë, të barabartë dhe të ndershme. Disa vjet punoi si gazetar dhe, krahas artikujve të shumtë, botoi edhe ese dhe tregime letrare, që tërhoqën vëmendjen e lexuesve dhe kritikës letrare për stilin realist dhe guximin në trajtimin e problemeve të kohës. Gazetari Mehmet Myftiu nëpërmjet lidhjeve me njerëzit, nga vizitat në fshatra, qytete, qendra pune etj. shikonte që jeta shoqërore dhe politike nuk zhvillohej ashtu siç e kishte ëndërruar ai dhe mijëra shqiptarë, që kishin luftuar dhe sakrifikuar për “një botë të re”, e më të mirë. Esetë, tregimet, i përmblodhi dhe i botoi në një libër me titull domethënës, “Njerëzit e fabrikës” (1951). Shkrimtarët që kishin përqafuar metodën e realizmit socialist, ose më saktë zhdanovizmin, nuk e pritën mirë këtë botim dhe e quajtën si largim nga vija e partisë për një letërsi me frymë proletare.

Po ç’ishte kjo letërsi që u quajt letërsi e realizmit socialist?
Letërsia dhe artet në Shqipëri në periudhën 1945-1990 u zhvilluan dhe u mbështetën në metodën e realizmit socialist. Metoda e realizmit socialist, që lindi në Bashkimin Sovjetik, kishte si bosht kryesor ideologjinë marksiste-leniniste. Sipas Leninit letërsia dhe artet duhet t’i shërbejnë kauzës së proletariatit, duhet të jenë vidë e rrotës së diktaturës së proletariatit. Në Shqipëri, Partia e Punës, në plenume të ndryshme të KQ të PPSH, në fjalimet e Hoxhës, kërkonte që letërsia dhe artet të mbështeteshin në metodën e realizmit socialist. Kjo nuk ishte thjesht një kërkesë estetike, por orientim, vijë politike e detyrueshme, që krijuesit (shkrimtarët, piktorët, skulptorët etj) duhet ta zbatonin në veprat e krijuara. Metoda e realizmit socialist erdhi në variantin më të keq më të ashpër. Në këtë drejtim letërsia ndoqi ose më saktë pasqyroi modelin e socializmin dogmatik, që u zbatua në Shqipëri , ndryshe nga varianti liberal ose siç quhej atëherë socializmi revizionist polak, hungarez ose ndonjë tjetër. Veprat letrare artistike që nuk zbatonin kërkesat dogmatike të kanunit të metodës së realizmit socialist, kritikoheshin, ndalohej botimi dhe ekspozimi i veprës së krijuar. Madje krijuesit edhe mund të ndëshkoheshin, t’u hiqej e drejta e botimit, mund të burgoseshin ose internoheshin. Edhe pse qëllimi i kësaj eseje nuk është as analiza dhe as historiku i letërsisë dhe artit në shoqërinë socialiste, duhet pranuar se u krijua një pasuri e gjerë kulturore-artistike. Mjerisht sot, në një mjedis politiko-shoqëror tepër konfliktual, ndaj kësaj letërsie dhe arti mbahet një qëndrim i njëanshëm: ose mohohet, damkoset gjithë ajo pasuri letrare-artistike, ose pranohet e tëra si model e vlerë edhe në ditët tona. Ajo krijimtari letrare-artistike u krijua dhe u zhvillua në një periudhë historike të caktuar, që padyshim duhet t’i nënshtrohet një kritike profesionale dhe edukative, për secilën vepër dhe krijimtari artistike. Metoda e realizmit socialist në Shqipëri erdhi në një formën më të keqe dhe dogmatike, në formën e zhdanovizmit. Termi dogmatizëm buron nga emri i A. Zhdanovit, sekretar ideologjik i KQ të PK (b) të Bashkimit Sovjetik, i cili në një plenum të asaj partie mbajti një fjalim të ashpër kundër devijimeve, shtrembërimeve të disa veprave letrare të krijuara nga shkrimtarë të njohur, si Ahmatova e të tjerë dhe shtroi detyrën e forcimit dhe kontrollit më të fortë të letërsisë dhe arteve nga pushteti sovjetik. Në Shqipëri u botua në vitet 60’ të shekullit të kaluar libri me titull “Realiteti, Jeta dhe Arti” nga Alfred Uçi. Libri shpalos gjerësisht parimet e realizmit socialist dhe estetikës marksiste-leniniste. Studimi i estetikës marksiste-leniniste u përfshi në programet universitare, në Akademinë e arteve dhe jepej si provim i detyrueshëm për ata që kërkonin gradën kandidat i shkencave në lëndët shoqërore. Shkrimtari Mehmet Myftiu ishte ndër të parët, që me krijimtarinë e vet letrare, nuk ndoqi kërkesat e estetikës marksiste-leniniste dhe as ligjet kanunore të metodës së realizmit socialist. Kjo i kushtoi rëndë shkrimtarit Myftiu, atë e kritikuan ashpër dhe e larguan nga organet letrare. Në shtator të vitit 1953 ai u ul në bankën e studentit të viti të parë në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën gjuhë-letërsi shqipe. Ky është viti kur u njoha me Metin. Rrinim zakonisht në të njëjtë bankë dhe gradualisht u bëmë shokë dhe miq, miqësi që e ruajmë edhe sot e kësaj dite. Studenti Mehmet Myftiu studionte me zell dhe lexonte shumë, zgjeronte njohuritë për letërsinë evropiane, por edhe shkruante.
Aty nga fillimi i vitit të dytë, 1954, Metin e thirrën në Ministrinë e Arsimit. Qibrie Ciu, zv. ministre e atij dikasteri, pas një fjalimi politik për kujdesin e PPSH për letërsinë e realizmit socialist, i ofroi pasaportën për studime letrare në një universitet sovjetik. Mehmet Myftiu e kishte befasuar Qibrie Ciun, kur nuk e kishte marrë, nuk e kishte pranuar pasaportën, dhe ishte larguar. U kthye në fakultet dhe vazhdoi rregullisht studimet. Rrebeshet e ashpra të jetës gjer tek dënimi me vdekje ia kishin kalitur qëndrimin stoik, pathyeshmërinë dhe integritetin njerëzor. “Ishte në stilin e tij të mos mposhtej” – shkruan Kadareja.

Kur Mehmet Myftiu nuk pranonte të merrte pasaportë për studime në universitetet sovjetike kishte shkrimtarë dhe artistë që luanin të gjitha gurët, madje ishin gati të ndaheshin edhe me gratë, po të kishin ndonjë njollë politike në CV-në e tyre. Diktatura totalitare nuk mund t’ia falte Mehmet Myftiut refuzimin e hapur të pasaportës për studime në vendlindjen e realizmit socialist, të zhdanovizmit. Refuzimi i pasaportës ishte një qëndrim i hapët politik kundërshtues ndaj letërsisë sovjetike dhe metodës së saj të realizmit socialist. Nuk kaluan as 5-6 muaj dhe Mehmet Myftiun papritur, në një mëngjes plot shi, e kishin arrestuar dhe e internuan në një kamp “elitar” diku në periferi të Fierit. Zhdanovizmi kafshoi si gjarpri, se ajo metodë nuk ishte thjesht një metodë letrare, por armë që godiste, burgoste, internonte çdo krijues që nuk i nënshtrohej zinxhirëve të saj kanunorë. Me këtë metodë u krijuan mjaft vepra të dobëta artistikisht, që i ngjanin pamfleteve ideologjike, vepra që nuk ngjallnin asnjë ndjenjë estetike. U krijuan piktura dhe skulptura që paraqisnin njerëz viganë, me muskuj si tela çeliku dhe gjoks gati shkëmbor. Ndërsa në letërsi u botuan romane, drama dhe poema entuziaste dhe skematike. Një poet i kohës do të arrinte gjer aty sa për të treguar rendimentet e larta në bujqësi do të shkruante:

Të rritet misri i lartë,
Sa të pritet me sëpatë. (?!)
Në mbrojtje, në roje të veprave skematike të krijuara me metodën e realizmit socialist, u bë kritika letrare. Veprat, para se të botoheshin, kalonin në një sitë të fortë ideologjike, me anë recensionesh, diskutimesh të quajtura krijuese etj. Pas botimit të një vepre letrare ose artistike (film, pikturë, shfaqje teatrale etj.) ishin kritikët e partisë që gjykonin fatin e veprës së botuar. Ndër këta kritikë, më i zellshmi ishte Koço Bihiku, i cili edhe si shefi i sektorit të letërsisë së realizmit socialist në Institutin Gjuhë-letërsi, ishte bërë “gogol” për shkrimtarët e talentuar dhe veçanërisht për Ismail Kadarenë. “Koço Bihiku kishte studiuar në Ukrainë dhe kishte sjellë me vete dogmatizmin sovjetik në variantin më të keq të tij. Ai kishte një post kyç në Institutin e Studimeve Letrare. – shkruan Helena Kadare në librin “Kohë e pamjaftueshme” (Kujtime), 2011, f. 132-133. Pas disa muajve në internim Meti u kthye në fakultet. Ai vazhdonte të shkruante edhe pse ia kishin ndaluar të botonte. Sa herë shkoja në shtëpinë e tij, në dhomën e studimit vija re se kanistra nën minderit ku uleshim shtohej dita ditës me krijime të reja letrare: drama, kritikë letrare, romane etj. Mehemet Myftiu nuk e ndaloi asnjëherë krijimtarinë. Kishte filluar prej vitesh të shkruante një roman, që do të ishte një sintezë artistike e një jete plot furtuna, por edhe me fitore mbi këto sfida. Romani mbante titullin domethënës “Shkrimtari”, që u botua më 1991 dhe u ribotua i përpunuar disa vite më vonë. Pas ribotimit të romanit “Shkrimtari”, ai botoi librin e ri me titull “Tronditjet e një njeriu”, (Tiranë, 2016) që u përurua në një mjedis miqsh të ngushtë të shkrimtarit, nën kujdesin e së bijës, shkrimtares Besa Myftiu.
Mehmet Myftiu është njeriu, heroi, miku më i mirë i shqiptarëve, të cilëve u dhuroi dy gjërat më të shenjta njerëzore – jetën dhe lirinë individuale. Aty, në rrugën “Siri Kodra”, ku jeton në katin e 6-të të një pallati përballë ish-shtëpisë ku lindi dhe u formua, në dritare, në mbrëmjen tiranase ndrisin dhjetëra e dhjetëra xixëllonja, që nderojnë njeriun e thjeshtë, qytetarin e parë, shkrimtarin e dy diktaturave, me emrin Mehmet Myftiu, ish-debatikasi Meti. Te personaliteti i shkrimtarit, atdhetarit të madh dhe njeriut fisnik, shqiptarët shohin historinë e tyre të ndritur, prandaj nderimi dhe vlerësimi publik i prurjeve të pazakonta të shkrimtarit Mehmet Myftiut kërkojnë që ne të gjithë dhe institucionet e larta ta shpallim “Nderi i kombit” dhe me urdhrin e “Flamurit të kuq”.


Sigal