Shkrehet administrata publike në Durrës. Punonjësit, gjithë ditën nëpër kafene

621
Sigal

QYTETARËT NË HALL/ Burokratët, vendin e punës, e konsiderojnë si “tapi” deri në fund të mandatit qeverisës

Jo pse është dita e pestë e javës dhe moti ka ende trendin e verës, por, sepse punonjësit e administratës shtetërore të çdo institucioni publik, vendin dhe postin në zyrë e konsiderojnë të tyren, të paktën edhe për disa muaj deri në zgjedhjet vendore, ka bërë që administratat publike të institucioneve në Durrës të shthuren plotësisht. Nëse për një arsye, do t’i drejtohesh çdo lloj institucioni publik, në Prefekturë, ku operojnë të ndarë disa institucione, në Bashki, ku zgjidhen hallet e popullit, në Inspektoratin e Ndërtimit, në Policinë Ndërtimore, Hekurudhë, Ujësjellës- Kanalizime, në Autoritetin Portual, etj., për të mos renditur një listë të gjatë të institucioneve publike, është e vështirë të gjesh jo vetëm ditën e premte, në zyrë personin përgjegjës, por as në ditët e tjera të javës. Qytetarët që ju drejtohen institucioneve publike për zgjidhjen e problemeve qoftë personale, apo në lidhje me një komunitet të gjerë, në zyrat shtetërore nuk gjejnë asnjëherë zyrtarin përgjegjës. Nëse nuk do të përballen me derën e mbyllur kolegu apo kolegia e zyrës, do t’i thotë të presë, sepse punonjësi publik është në kafe. Dhe padiskutim që qytetari, i cili është gjendur ngushtë, jo sepse nuk ka gjetur aty në zyrë, zyrtarin, i cili duhet të zgjidhë problemin, por se problemi që ai ka është urgjent për të, duhet të presë, derisa funksionari i veshur me kollare zyre të kthehet nga kafja, apo nga takimet, që nuk zhvillohen më nëpër zyrat e shtetit, por nëpër lokalet dhe skutat rreth e rrotull institucioneve. Kur funksionarët të kthehen, atëherë qytetari duhet të shpjegojë ankesat e tij, apo problemin që ka, në një zyrë, e cila është e shtetit dhe para një zyrtari, i cili paguhet nga taksat e qytetarëve pikërisht për tu zgjidhur hallet dhe problemet këtyre të fundit. Por në zyrat e shtetit qytetarët gjejnë pak zgjidhje për të mos thënë asnjëherë, sepse burokratët, vendin e punës, e konsiderojnë si tapi deri në fund të mandatit qeverisës. E për sa kohë partitë, ku militojnë të jenë në pushtet, asnjë “gjemb në këmbë” nuk u hyn këtyre punonjësve.

Fenomeni

Fenomeni është i përhapur në të gjitha institucionet qoftë të pushtetit vendor, edhe të atyre të pushtetit lokal në varësi nga qeveria. Shthurja ka nisur pikërisht nga titullarët e tyre, të cilët në të njëjtën mënyrë veprojnë me vartësit, e më pas në të njëjtën mënyrë vartësit veprojnë me qytetarin. Fakti që vihet re është se nuk ka kërkesë llogarie nga drejtuesit e institucioneve tek vartësit dhe mungesë llogaridhënie nga këta të fundit tek titullarët. Në këtë mënyrë administrate shtetërore e publike në Durrës janë shthurur tërësisht, pavarësisht se kjo gjë ndodh dy apo tre muaj para zgjedhjeve lokale apo parlamentare që bëhen. Tashmë fenomeni burokrat është hapur e përhapur nga titullarët e deri tek punonjësit me më pak rëndësi në institucione, ndërsa qytetarët, vijnë vërdallë kafeneve për të gjetur personin, i cili duhet tu zgjidhë hallin dhe problemet.

Vëzhgim, nga kafeja në pilaf

Të drejtohesh në çdo zyrë shteti, pa asnjë ndikim politik, punonjësit nuk gjenden në zyrë, duhet t’i gjesh në kafenetë, përreth institucionit. Dhe në një vëzhgim të thjeshtë, kafenetë ndryshojnë nivelet nga një institucion në tjetrin ashtu si edhe çmimet. Në institucionet në qendër të qytetit të Durrësit, kafenetë, kanë klas dhe çmime, ndërsa sa më larg qendrës, zyrtarët e shtetit i gjen duke ngrënë pilaf, ndërsa qytetarët duke pritur para zyrave të këtyre të fundit. Pasi ora ka shkuar 10 apo edhe më vonë, grupe, grupe zyrtarët u ngjiten institucioneve dhe hapin zyrat, ndërsa pas dere qytetarët kanë zënë radhën që prej tre orësh.