Shkozet, ndërtim pa leje para Qendrës Shëndetësore

558
Sigal

DURRËS/ Flet për “Telegraf” inspektori i Drejtorisë Rajonale Mjedisore për Qarkun e Durrësit, Servet Boriçi

Në fund javën e kaluar, në kohen kur të gjithë qytetarët përgatiteshin të festonin 100-vjetorin e  shpalljes së Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit, një person ka “pushtuar” një pjesë të territorit para Qendrës Shëndetësore Nr 7 të Shkozetit. Nga një pikë farmacie që ka pasur me parë ai ka filluar që të zgjerohet duke ia bllokuar tërësisht dritaret e katit të parë të Qendrës Shëndetësore. Kundrejt një akti të tillë ka ndërhyrë Drejtoria Rajonale e Mjedisit duke kërkuar bllokimin e këtij ndërtimi të jashtëligjshëm, deri në pajisjen me lejë mjedisore të ndërtimit, ndërtim, i cili siç ka rezultuar nuk kishte as lejë ndërtimi nga bashkia. Megjithëse inspektorët e ARM kishin shkuar për të kërkuar bllokimin e objektit, ata nuk janë përfillur megjithëse janë përfaqësues të shtetit dhe puna vazhdonte normalisht siç shihet edhe nga fotot që po paraqesim.

Situata

Ndërtimi ka shkuar thuajse drejt përfundimit. Lulishtja me gjithë disa pemë po bllokohen nga tarraca e betonit që do të hidhet mbi skelën me dërrasa që po ngre punëtori i ndërtimit. Lidhur me këtë akt inspektori i DRM për Qarkun e Durrësit Servet Boriçi, deklaroi se ky ndërtim i përkiste shtetasit Enver Saraçi dhe se për bllokimin e ndërtimit i kishin bërë thirrje Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake, të cilët realisht nuk kishin ndërhyrë. Inspektorë të Drejtorisë së Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Durrës pohojnë se nga ana e tyre është kërkuar pezullimi i menjëhershëm i punimeve, pasi subjekti nuk është i pajisur me leje mjedisore e ndërtimore dhe për këtë kanë hartuar edhe proces verbalet përkatëse. Krahas kësaj gjendjeje ai ka kritikuar për inaktivitet Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë: “Inspektorati Ndërtimor pranë Bashkisë së Durrësit, i cili është edhe institucioni përgjegjës për degradimin e situatës, nuk punon dhe shkel haptazi ligjin, duke qëndruar indiferent ndaj ankesave që u kemi bërë, për ndërhyrje në objekte të ndryshme që po ndërtohen pa leje në qytetin e Durrësit dhe rrethinave të tij. Një ndërtim pa leje ka nisur të ngrihet ditët e fundit në zonën e Shkozetit në një sipërfaqe toke që pak ditë më parë shërbente si lulishte publike. Por, abuzimi shkon më tej, pasi ndërtimi po ngrihet ngjitur me hyrjen e qendrës shëndetësore, duke shkelur çdo ligj urbanistik. Kemi dërguar procesverbale të njëpasnjëshme, ku i kemi kërkuar Inspektoratit Ndërtimor, por ankesat kanë rënë në vesh të shurdhët, ndërsa punimet vijojnë, duke shpërfillur haptazi institucionet shtetërore”. Boriçi tha se, priteshin reagime gjatë këtyre ditëve. Me sa duket dhe me këtë mos ndërhyrje në kohë kishin favorizuar ritmet e ndërtimit. Inspektori Boriçi tha se duke mos pasur asnjë reagim nga ana e tyre ne do t’i drejtohemi prokurorisë për të hapur çështje penale.