Shkollat profesionale nisin mësimin në gusht, këto janë degët më të kërkuara

4706
Regjistrimet në shkollat profesionale nisin në datën 22 gusht, ndërsa kriteret për pranimet e reja janë të njëjtat edhe për këtë vit të ri shkollor.
Drejtori Albin Gega thotë se në vitin shkollor 2017-2018 parashikohet të regjistrohen 5.700 nxënës në klasat e 10-a, ndërkohë që vjet ndoqën arsimin profesional 18.500 nxënës.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Formimit Profesional, degët më të kërkuara janë Hoteleri-Turizëm, Mekanik, Shërbime dhe Teknologji Informacioni, ndërsa profilet më pak të preferuara janë Përpunimi i Drurit, Ndërtimi dhe Bujqësia.
Për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës, Gega thotë se janë hapur drejtime të reja si Detari, Gjeologji-Miniera, Kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi.
Megjithatë, drejtori i arsimit profesional thekson se disa profesione që kërkohen gjithashtu nga tregu i punës janë në fushën e turizmit, mekatronikës, elektroteknikës, bujqësisë dhe veterinarisë.
Lidhur me investimet në sistemin e formimit profesional, drejtori i kësaj drejtorie, Albin Gega shprehet se buxheti për arsimin profesional është rritur me 35% dhe investimet për këtë vit janë dyfishuar.
Gjatë periudhës së 3 viteve të fundit u investua në 33 shkolla të arsimit të mesëm profesional dhe 10 qendra të fomimit profesional, janë përmirësuar ambientet e 8 shkollave me infrastrukturën e nevojshme edhe për personat me aftësi të kufizuara, si dhe 8 të tjera janë në proces. Janë blerë pajisje laboratorike për repartet e praktikave mësimore në 15 shkolla të arsimit profesional dhe pajisje për laboratorët e lëndëve të përgjithshme për 20 shkolla.
Sigal