Rritja e kriminalitetit ditët e fundit në qytetin e Shkodrës ka shtuar praninë e policë në këtë qytet. Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës që patrullojnë në zonë prej një jave, i janë bashkuar edhe RENEA dhe Forcat Operacionale të Tiranës. Raportohet se janë shoqëruar 20 persona si dhe janë bllokuar 4 automjete te blinduara.

Prej mbrëmjes së të martës Shkodra ndodhet në shtetrrethim. Forca të shumta të policisë, RENEA-s, Shqiponjat dhe Ndërhyrja e Shpejtë kanë zbarkuar me urdhër të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, me kontrolle intensive në terren.

Ato po krehin zonën e Livadheve, Dobraçin dhe Kirasin, zona që policia i cilëson problematike. 6 vrasjet pa autor dhe 2 personat e rrëmbyer janë bilanci i këtyre ditëve në Shkodër, për të cilat policia është vënë në lëvizje, ku burimet saktësojnë se janë shoqëruar në komisariat mbi 20 persona në këto orë.

Ato po merren në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokuroria e Shkodrës në bashkëpunim me Krimet e Rënda. Krehja që po ju bëhet zonave në fjalë, është shoqëruar nga autoblindat e policisë dhe snajpera të vendosur në pika të larta, që mbajnë nën kontroll të gjithë territorin.

Gjithashtu forcat policore kanë hyrë edhe në disa banesa. Detajet e operacionit po mbahen të fshehta dhe pritet që në përmbyllje të dilet me një deklaratë për shtyp nga ana e strukturave që udhëhoqën këto grupe në terren.