Sigal

Pas ngjarjeve të rënda kriminale të ditëve të fundit, një tjetër person denoncohet i zhdukur në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në Vau Dejës në Fshat i Ri. Mësohet se P. Z., 44 vjeç është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Familjarët janë alarmuar nga largimi prej banesës i 44-vjeçarit dhe në këtë mënyrë kanë shkuar në policinë e Vau Dejës duke bërë një kallëzim.

Ka qenë vëllai i personit të humbur, me inicialet N. Z., i cili ka treguar se vëllai i tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer. Efektivët po kërkojnë për gjetjen e tij.

Para 10 ditësh u zhdukën dajë e nip në Shkodër, Gëzim Hysa dhe Agron Mollaj, dhe deri tani për to nuk ka asnjë gjurmë. Frika dominon kryeqendrën e veriut pas ngjarjeve kriminale. Një ditë më parë u ekzekutua me armë zjarri kallashnikov biznesmeni Arjan Ferracaku, 30-vjeç, baba i dy fëmijëve të mitur. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me përplasjet mes bandave kriminale, por dy pistat ku po hetohet janë konflikti për hotelin dhe gjobat.

Njoftimi i Policisë

Më datë 31. 08 .2018, shtetasi N. Z., vjeç 55, banues në fshatin Fshati i Ri, ka bërë kallëzim se i është larguar nga banesa vëllai, P. Z., vjeç 44. Po punohet për gjetjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër.